Vlora pas pavaresise - Nje tog me plehra

Vlora pas pavaresise - Nje tog me plehra
Sheshi para Monumentit të Pavarësisë, që u inaugurua pak javë më parë, është prishur krejt nga skajet e tij, kurse në qendër i janë hapur gropëzat e para. S’mbaron këtu sepse i është shtuar edhe një atribut tjetër: vlonjatët e kanë kthyer në parkim. Pas saj, fragmenti i vetëm i mbetur i kalasë, shërben si banjë publike e qytetit të Vlorës. Kurse xhamia e Muradies po bjerret pak nga pak prej kohës, pakujdesit dhe indiferencës. Më pas, rruga e kthimit në Tiranë është një aventurë tjetër pasi nuk lajmërohet me asnjë tabelë, kurse asfalti i udhës që të çon drejt Skelës është krejt i ngrënë...Po të gjitha xhanëm në pritje të sezonit të ri turistik, mund të thotë dikush! Kush e ka fajin? Bashkia anatemon në çdo hap qeverinë e Berishës. Prefektura ia rikthen topin Bashkisë...

Moti i keq i fundmarsit e bën dimrin të duket krejt kokëfortë. Era i mban një iso të gjatë pluhurit që ngrihet në Sheshin e Flamurit, ku një punëtor i ngeshëm heq paradoksalisht me një mistri pak rërë. Dy furgonë dhe tre vetura kanë parkuar rehatisht mu në mes të sheshit, që duket krejt i pa zot me këtë rast. Vlora e vitit 2013 është kthyer sërish në identitetin e një qyteti pa dorë, kurse përçartjen e betonit që ka pushtuar qytetin, ta jep ngrehina që nuk do të mbarojë prej vitesh, përballë Grupit Skulpturor të Hadërit, Ramës dhe Dhramit.

Kur pak minuta më vonë, do të fillojë një rrebesh i papritur, njerëzit rreken me të shpejtë sesi ta braktisin sheshnajën. Punëtori e merr me vete mistrinë dhe largohet 50 metra më tutje, ku gjithçka është e prishur dhe sheshi që priti qindra-mijëra festuesit e Pavarësisë, sërish duket në ndërtim. Dy pirgje me material ndërtimi, atypari e provojnë këtë dhe pak më tutje edhe dy-tre punëtorë që fjalosen, pa marrë parasysh shtrëngimin e shiut.

Njerëzit vazhdojnë e përshkojnë sheshin pa e kthyer kokën, kurse stoik, një burrë gjysmë i shtrirë mbuluar me një kapuç repisti, e këqyr gjithçka skiç. Nuk i trandet asfare shiut. Sak te shkallarja e Monumentit të Pavarësisë, një burrë i vetëm ka vendosur një të ashtuquajtur peshore eletronike dhe pret myshterinj. Qëndron palëvizur edhe pse moti nuk e lë që të bëjë biznesin e vet. Era dhe shiu që fillon, pushon, e sërish nis nga e para, nuk i lë njerëzit të qëndrojnë . Ai s’lëviz fare. Një si gjysmë endacaku, me rroba të shkalafitura dhe me syze me numër epror, rrotullohet më kot edhe më i ngeshëm. Kërkon njerëz për muhabet dhe bjerraditje. Vetëm Ionesko mund t’i bashkojë të gjithë gjërat ketu me një kuptim. Teksa fotografojmë bëhemi pre e syzemadhit. “Nga të kemi...Ehh si ishin në kohët tona. Unë kam qenë motorist, por më thanë të lë punën. Tashti punon një tjetër. Nuk jam martuar. Ajo kohë ashtu ish., Kështu vendosa...”. S’i flasim. Thjesht pohojmë.

I themi se do ikim, por edhe ai ikën. Tashmë i gjendet dikujt tjetër pranë, që e bombardon me pyetje dhe biseda pakuptim. Tjetri e shikon i çakërritur. Njihen të gjithë personazhet tona, sepse kur mbesin pothuaj vetëm nën shi, shkëmbejnë romuze së largu me njëri-tjetrin. Në fakt, burri me syzet fundfilxhani, njeh të gjithë shitësit ambulantë të Sheshit të Pavarësisë, mjedis që vetëm 4 muaj më pas është krejt i dëmtuar. U flet të gjithëve në emër.

Jep dhe njohjen për ne. Afrohen sërish makina. Me të vërtetë, para Monumentit shërben tamam si parkim makinash. “Të paktën, shërben për diçka”, ma pret një mik i huaj. Sa mbaron fjalën, dikush hyn me makinë dhe e lë fare i qetë, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Po. Me sa duket, sheshi vërtetë është kthyer në parkim institucional makinash. Për fat, pak më tutje është rregulluar shtëpia e këndshme, ku dikur doli Vitore Emanueli III për të përshëndetur nënshtetasit e tij ‘të dashur’ dhe pak më tej, gjendet xhamia, ashtu e lënë dhe braktisur pa asnjë dorë, e që nuk e grish turistin për asgjë. Kaq.

Monumenti dhe kalaja

Por, s’është vetëm ajo pa dorë. Rruga drejt qytetit të pavarësisë është edhe vetë në rregullim e sipër. Nuk të mjafton segmenti deri në Levan, që të troshit komplet me gropat e veta të panumërta, por atij i shtohet edhe neglizhenca komplet e qeverisë qendrore për segmentin që lidh Fierin me Vlorën. Kjo i ka bërë të dy kryebashkiakët respektivë ta mbysin me mallkime qeverinë.

Kurse kjo ia kthen sipas mënyrës së tyre me harresë dhe mungesë fondesh. Anipse, të dy palët janë të mbushura me faj. Qeveria me premtimet e saj vazhdimisht të pambajtura dhe bashkiakët që i kanë bërë qytetet e tyre, vende të cilat janë gati pa asnjë lloj identiteti. Rrugët brenda Vlorës janë krejt të dëmtuara dhe ajo që të përcjell drejt Skelës, është krejt e shqepur nga një krah, në pritje të riasfaltimit. “Po pse mund të rrimë ndonjëherë ne si njerëzit”, më thotë një vlonjat, që dikur ka qenë sportist. “Këtu njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit. Të gjithë kundër të gjithëve”. Na duket sikur Vlora e vërtetë, ajo që është në memorien e njerëzve për pjesën më të madhe të vitit, është pikërisht në këto ditë që bën kinse përgatitjet të presë masën e madhe të ardhjes së turizmit.

Plazhi vazhdon të jetë i bukur, por i pisët. Nga ndonjë kioskë e mbetur afër detit në plazhin publik ende dëgjohet ndonjë muzikë. Ka ende kohë për të punuar. Veçse të gjitha mjediset janë të mbyllura. Vlora e pas pavarësisë i ngjan një qyteti të zakonshëm shqiptar, ku mungon çdo gjë që t’i të orientohesh tamam. Të ushqehesh, të shikosh, të kundrosh. Një mik i huaj më kërkon ndihmë se do të dalë nga qyteti por s’mundet. Ia tregoj me pak lodhje, sepse vendasit po kënaqen që e ngatërrojnë. Sa për autoritetet, që duhet të kujdesen për sinjalistikën rrugore harroji. Megjithëse, rruga e kthimit për në Tiranë, të bën vërtetë të lodhesh.  Duhet të futet pas shtëpisë së Eqerem Bej Vlorës, që megjithëse është restauruar, ashtu e zhveshur, i ngjan një lakuriqi të pajetë dhe shëmtaraq. Ai që e gjen shtëpinë, duhet të kaloj një rrugë plot me gropa pas, e që po të ketë makinë të ulët, duhet ta mendoj vetë rrezikun dhe pastaj të dalë...

Pastaj të ecë sërish dhe të kthehet. “Ore, s’kam punë tjetër, ty duhet të them udhën. I ke sitë e plasur”, i bërtet dikush mikut tim, që për fat s’kupton asgjë. Detyrohemi dhe e përcjellim vetë deri në të dalë, por kthehemi sërish. Me keqardhje them se pjesa heroike e qytetit nuk është më askund. Vlora patriotike i ngjan pak si shumë Durrësit arkeologjik. Kanë atribute në letra, por asfare në realitet. Si për ta shtuar ironinë, më fatkeq të duket monumenti patetik i Isa Boletinit para shtëpisë muze, ku Berisha bëri mbledhjen e qeverisë së tij dhe bëri aktin pa sqimë të kopjimit të shtetit të Enver Hoxhës më 1962...

Sa për Vlorën, ajo, vërtetë i ngjan një qyteti që nuk të ngjall për asgjë. I pisët, kaotik, pa asnjë sens të tregojë se ka dorën e vërtetë të njerëzit, që e mban ai po tregohet se nuk është larg imazhit, që kanë menduar të gjithë për të. E po t’i shtosh edhe batërdinë e ndërtimeve ngado, atëherë do kuptosh se ky qytet është krejt i mbaruar dhe pa asnjë atraksion. Bulevardi buzë detit që do mund të bëhej nëse do planifikoheshin mirë ndërtimet tashti është hipotetik.

Një rruginë e ngushtë betoni nuk mjafton për masën e madhe të njerëzve, që vinë në verë. Një arkitekt më rrëfen sesi dikur ka qenë plani në këtë vend për të bërë një shëtitore ose lungomare, si thuhet në zhargonin. Me të gjitha këto që bëhen, harroje...Pak minuta më parë, kur kemi kaluar pas Sheshit të Flamurit, kemi hasur të vetmin fragment arkeologjik të qytetit, që sot shërben si vend i përbashkët urinimi për të ngeshmit. Kur ne fotografojmë,  njëri syresh na afrohet nga 50 metra më tutje, zbërthen pantallonat dhe hopa në momentin final, na kthen kurrizin dhe lirohet i qetë. Është gati vetëm 80 metra mbetur nga kalaja, që vlonjatët e kanë sakrifikuar për urbanizimin e tyre, pasi mbi të ngritën godinat kryesore sportive të qytetit...

Flasim për kohën e Sulejmanit, bash të dhjetit sulltan të dinastisë osmane, që u ngjit në fron në vitin 1520, kohën kur Perandoria ishte në lulëzimin e vet historik. Ai ndihmoi shumë legjislacionin nga ku edhe fitoi epitetin Ligjvënësi (Kanoniu), duke hartuar konuname për çdo Sanxhak. Duket se reforma më interesante e tij ishte reforma administrative e Perandorisë. Sulejmani e ndau perandorinë e vet në 32 Elajete, të cilat si ndarjet më të mëdha administrative do ndaheshin më tej deri në njësi më të vogla si: Sanxhakë, kaza e nahije. Kurse në politikën e jashtme bëri akrobaci të panjohura për perandorinë e vet. Në vitin 1535, arriti të bëjë një marrëveshje me Francën për të luftuar kundër Habsburgëve. Ashtu si afrimin me Luteranët e shfrytëzoi me zgjuarsi kundër Karlit të V-të Habsburg. Gjatë vitit 1537, kohë të cilën e përdori gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri për shtypjen e kryengritjes së Himarës dhe pushtimin e Korfuzit, Sulltan Sulejmani (E.Bej.Vlora. Kujtime) ngriti kampin ushtarak në jug të qytetit të Vlorës pranë Tragjasit, në një pllajë të vogël buzë detit. Mbase, jo më kot, banorët e quajnë edhe sot “fusha e mbretit”.
 
Vlora dhe historia e mbetur

Vlora është e mbushur me këto histori, por do të ishte Pirro Stefa, që do të sillte trashëgiminë e madhe të qytetit përmes imazhit deri para pavarësisë, por edhe një kohë të domosdoshme më pas. Duket se Vlora e asaj kohe ka humbur krejt. Në vend të saj është kaosi dhe pasensi. Këtë  e ndjejmë teksa këqyrim xhaminë Muradie, në qendër të qytetit, vepër që mendohet se u ndërtua në vitet 1531-1550 nga i ashtuquajturi arkitekt Sinani. E ndërtuar në stilin turko-bizantin ajo na shfaqet me shumë pretendime me ndërtimin e saj me gurë në formë paralelopipedi, të cilët janë vendosur në formë brezash, të kombinuar me tulla të kuqe.

Që ia shtojnë bukurinë kupola e mbuluar me tjegulla të kuqe dhe minarja e ndërtuar krejtësisht me gurë të bardhë. Bash në këtë vend, pak metra më tutje janë sarajet e rregulluara të familjes Vlora, që i dhanë perandorisë dy personazhe të famshëm: Ferit Pashë Vlora, Vezir i madh (Kryeministër) i Perandorisë Osmane në vitet 1903-1908 dhe kushëririt të vet të varfër Ismail Qemal Vlorës,  Kryetarin e Shtetit të Pavarur Shqiptar në vitin 1912. Në fakt, restaurimi i saj, nuk i rri fare Vlorës historike të sotme sepse asnjë objekt nuk ka lidhje me tjetrin...

Harresa

Muzeu që i përkujton të gjitha këto është gjithnjë e më pak i vizitueshëm, kurse vendet përreth tashmë më shumë jetojnë me legjenda sesa me historinë e vërtetë. Në media, pak kohë më parë, doli se muzetë ishin fare të pavizitueshëm, por edhe eksponatet aty pothuaj janë fare pa shumë interes. Kanë mbetur vendet historike, të famshme për legjendat apo emrat që mbajnë. Sazani, një dukatas, që ka bërë një vilë në Orikum do të më shpjegojë me patos për luftën e Cezarit. Nga era dhe stuhia e fundit, uji i është futur në të gjithë vilën katërkatëshe, e cila e ka në pëllëmbë të dorës suprinën e madhe të kënetës së Orikumit.

“Po ike më andej, drejt kishës së Marmiroit dhe të ngjitesh pak më andej do të shikosh se ç’bëhet dhe duket fusha më shumë”. Këtu u bë lufta e Çezarit me Pompeun. Ai erdhi nga qafa e Qezarit (të cilën ne e themi e Çezarit)-më sqaron burri, që e ka marrë emrin nga perandori i famshëm i perandorisë romake, Jul Çezari. Ky e kaloi ushtrinë e tij për tu ndeshur me një tjetër perandor të famshëm të perandorisë romake Pompeun. Ai doli befas para Orikumit.

E gjithë kjo histori është hipotetike sepse tashmë qyteti është i mbytur nga këneta, përveç një hapësire të vogël që është ende ekzistent brenda bazës së Pashalimanit. Në antikitet, ky qytet liman i forcuar me mure i shërbeu Pompeut si një stacion për flotën dhe u pushtua nga forcat parthine, kurse më 6 janar të vitit 48 para Krishtit u pushtua nga Çezari pa luftë... Një mësues nga Orikumi do të ma tregojë më institucionalisht: ”Oriku ka pasur një pozitë mjaft të përshtatshme si skelë detare dhe paraqitet veçanërisht i përshtatshëm për operacione ushtarake, pasi kalimi tokësor për në qytet kryhej përmes rrugëve malorë të Rradhimës dhe të Llogorait që mund të bllokoheshin me lehtësi, ndërsa afrimi nga deti sinjalizohej lehtë nga pikat e kalimit në Karaburun. Ajo u shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe nga maqedonasit. Flota maqedonase e Aleksandrit të Madh e pushtoi në vitin 214..”.
...
Çezari u dislokua vërtetë atje me një pjesë të trupave të tij për afro dy muaj mbas zbarkimit në Palasë. A ka luftuar? Këtë askush nuk e di! Porti i brendshëm i përmendur nga Çezari që ndodhej në lagunën e Orikumit është lokalizuar me vetë lagunën. Kurse në perëndim të saj bankina përshkruhej nga një kanal, që e lidhte lagunën me detin...Megjithatë, një kanal më i vogël sot, që është poshtë vilës së Sazanit, si zor ta mbajë këtë peshë të historisë.

Kthehemi në Vlorë, ku historia është thjesht një koncept. Burri me syzet e mëdha është ulur sa gjatë-gjerë në një stol dhe se çfarë i tregon një plaku. Ka pushuar shiu dhe vlonjatët e moshës së tretë kanë zbritur të gjithë në parkun pas Sheshit të Pavarësisë dhe luajnë domino. Përpara sërish parkimi madh, kurse anash vinë dhe urinojnë të qetë rrugëtarë të zakonshëm. Kjo është Vlora e pas pavarësisë. Një qytet me histori të madhe në letër, por pa asnjë histori të vërtetë në realitet. Janë ditët e para të pranverës 2013. Edhe shiu e ka braktisur krejt Vlorën...
         

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama