Vlora kryqtare plazhiste dhe tollovia

Vlora, kryqtare, plazhiste dhe tollovia
Ka të ngjarë që fare-pak-kush të ketë dëgjuar për Arthur Blessitt në Vlorë, por emisarët kristianë britanikë, që imitojnë rrugëtimin e tij, pak ditë më parë kanë rrugëtuar realisht nga Tirana deri në Vlorë, duke mbartur mbi shpatulla kryqin e madh 4 metërsh. Qyteti, në përgatitjet rutinore për plazhin, i ka parë thjesht si të çmendur emisarët… Të vetmit, që s’kanë “prishur” rehatin, kanë qenë kolonia e piktorëve, që këtë vit, nën përpjekjen titanike të Piro Stefës plotësuan edicionin e tyre të radhës. Kronika tjetër e qytetit dihet: afrimi i tollovisë së afërt të mbipopullimit, pisllëku i pafre nga deti dhe bukuria e mbetur nga Zoti...

E ore, do hipësh në furgon apo jo...?! O ka luajtur mendsh, më duket!”; “Eoooooo, s’ke gjetur një më të madh...”, ia pret një shofer tjetër furgoni, teksa zbret nga Qafa e Koshovicës, me një spirale tymi të skrupullt si në filmat multiplikativë. Lindsay Hamon asfare nuk shqetësohet. Tërheq i qetë kryqin e stërgjatë 4 metërsh me një rrotëz në fund dhe pak i bën përshtypje. “Vlora, Vlora!”, ua pret ngakudo fierakëve dhe vlonjatëve, që e cysin. Është e vetmja gjë që di në shqip por edhe që i vjen ndërmend në këtë vapë të tmerrshme ballkanase. Shikon objektivin e aparatit drejtuar. Qesh. Rrëke njomësie derdhen nga qafa e tij. Urrejtje? Jo. Nga pas, dy mesoburra të tjerë britanikë, me trupa marinsash, e ndjekin heshtazi në një si lloj formacion luftimi. Nuk bezdiset nga fotoja. Hello! Ndalet. Miqtë e tij ruajnë diferencën. Shkëmbejmë përshëndetjet. Nuk e lëshon nga supi Kryqin e stërmadh. “Come close!” Afrohem.

Bashkohen dhe dy burrat. Bëhemi katër veta. Dy janë tepër më të gjatë, ndërsa Lindsay është më i shkurtër. Veshur si të gjithë bagpackers. Lindsay më shpjegon pak e shumë pelegrinazhin e tij. E pyes. Çfarë kishe bën pjesë? Pse e bën këtë rrugëtim në një kalvar të përbotshëm? Nga pas dëgjoj lloj-lloj përshëndetjesh dhe qesëndisjesh tip vlonjate. “Hejjjjj. Ç’po bëni?” Në fakt, nuk e zgjasin shumë. Ne, grupi i mbledhur,  jemi të gjithë shumë më sportivë se ta. Pesë metra më tutje, një furgon ka zënë rrugën dhe pret. Ku do e fusi kryqin?-ma bën me shenjë. Pak rëndësi ka për britanikët. Shoferi jep e merr me shenja nga brenda makinës, që ngjajnë me një pantonimë të çmenduri. “Do lutemi për ty”, më thotë Lindsay, këtu plot 115 km larg Tiranës. Sakaq, burri pas fillon lutjen, kurse Lindsay e ndjek me një si lutje druidësh. Më duket vetja si në ndonjë sekt kristian nga ata të qëmotshmit. “Lutemi për ty bir, që Jezusi të vi tek Ty. Lutemi që Jezusi të vi për shqiptarët. Lutemi që Jezusi...”. Pesë minuta më vonë mbaron gjithçka. Ku do ikni? “Do shkojmë në Vlorë! - ma pret burri. I kam takuar në kalvar dhe Golgota e tyre është në Vlorë... “Jesus did it! All Glory to God!”, përsërisin.
 
Kryqëtarët modernë

Shkëmbejmë email-et. Shtatë ditë më vonë, në kutinë postare arrin email i Lindsay. Më hedh dritë më shumë për pelegrinazhin e tij, i cili e ka marrë shtysën nga një britanik, që u orvat shumë të ndryshojë imazhin e kishës në vendin e tij. Quhej Arthur Blessit dhe e filloi pelegrinazhin në vitin e çuditshëm 1968, kur Evropa ishte e ngërthyer nga protesta pafund studentësh dhe një amullie kontinentale të pashoqe. Vite më vonë u listua në regjistrin e Guinness për rekordin e ecjes më të gjatë në histori: Plot 39.943 milje të përshkruara, duke kaluar përmes 319 vendeve & ishujve kryesorë për plot 44 vjet. Takoi papën, diku donin ta vrisnin, diku u strehua me refugjatë, kaloi i qetë mes myslimanëve dhe e zuri gjumi shpesh me të pastrehët dhe endacakët në periferitë e metropoleve. Lindsay, tashmë gjysh, jeton në Cornëall, në cepin juglindor të Britanisë, dhe këtë punë e bën që nga 1987, kur filloi ta bëjë pelegrinazhin e tij britanik me Jezusin mbi krahë në rrugë, pube, klube, Festivale Rock-u dhe në shkolla të mesme. “The Glory of the Coming of the Lord is at hand!”, e kam ende në vesh.

“Besoj se shpesh frika jonë më e madhe është nga humbja e besimit tek Jezusi, që na ndalon neve  të ndajmë dashurinë me Zotin në rrugët tona, - më thotë në minutat që rrimë bashkë, - ndaj ndih njerëzit që ta tejkalojnë këtë frikë duke përdorur komunikimin e rrugës ‘on-the-job’, me përpjekjen evangjeliste që trajnon kurajën”. Ai ka qenë në Bangladesh, Bjellorusi, Belgjikë, Bullgari, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Indi, Irlandë, Itali, Nepal, Zelandë e Re, Poloni, Rumani, Rusi, Sllovaki, Sri Lanka, kudo në Mbretërinë e Bashkuar etj. “Zakonisht marr një ose dy shokë me vete dhe mënyra sesi e mbaj kryqin është edhe arsyeja pse njerëzit më afrohen”. Pse po e mban kryqin? - e pyes. “U përgjigjem njerëzve se Kryqi është simboli më i madh sesa Zoti na do neve. Ne shpesh gjejmë kohë që të lutemi me njerëzit, si edhe për t’i bindur ta marrin Jezusin në jetët e tyre për shërim apo çlirim.

Ka qenë një mrekulli të shikoje njerëzit të ndjenin prekjen e Zotit kur ne luteshim...”. Këtë e ndjej dhe vetë. Burri pas nesh, reciton një lutje përmendsh dhe Lindsay dhe burri i tretë bëjnë një përsëritje të çudishme me gojë, që i ngjan një si rituali arab. Në internet lexoj se çfarë thonë për të: “Është një nga predikuesit e rrugës më të zotë që kemi pasur ndonjëherë”. Ndahemi. Lindsay merr i qetë maloren e Qafës së Koshovicës, ku vendasit i bënë dikur rezistencën e parë fashizmit. Shoferi i furgonit që s’lëvizi gjithë kohën, tani u vihet pas... Pak ditë më vonë u nis fotot shqiptare...
 
Piktorët

Por, vlonjatëve, në këtë ditë, e gjitha u bën fare pak përshtypje. Qytetarët janë krejt indiferentë për kryqin dhe në morinë e të huajve që mbërrijnë vend, kjo duket se është jo ndonjë ngjarje. Makina të bukura, katërfenershat, rrotullohen në shëtitoren e qytetit të gjithë kohën. Në trotuare deri në Skelë dhe më sipër ende,  vlonjatët kanë filluar të baresin në xhiro të stërgjata dhe, përveç kësaj, të mendojnë për ato që u sjellë plazhi. Ky qytet frymon vetëm me stinën e plazhit. Megjithatë, hotelet e pafundme, vazhdojnë të kenë mungesa informacioni.

Me ato që përcjell në internet, ndjehet mungesa e zakonshme e komunikimit, edhe në këtë vit. Humbasim një ditë në varganin e madh të njerëzve që shëtisin; të tjerëve që shesin gjithçka; dhe kuptohet të rinjve, që duket se dalin thjesht për parje. Vlora, ashtu si Saranda kanë shumë e shumë pushues, por gjithnjë e më pak prodhojnë kënaqësi. Arsyeja është e thjeshtë: nuk i shpëtojnë dot amullisë, ndërsa bashkia vendase, edhe me përpjekjet e saj, nuk arrin ta bëjë dot qytetin një vend të vërtetë, ku të ketë atraksione arti. Artistët, zakonisht, vinë dhe ikin me ndonjë koncert, ata të teatrit në përgjithësi e bëjnë pushim në verë, ndërsa sa për animatorët, janë disi të huaj për plazhet e vendit tonë. Në këtë amulli të zakonshme, një arkitekt i pasionuar pas pikturës, nuk fle.

Quhet Piro Stefa dhe për çdo vit, që ditën që një vit më parë mbaroi me sakrifica një aktivitet të mirënjohur piktorësh, nisi tjetrën, që e përfundoi këtë vit. Piron e takoj tek “Pikasso”, një mjedis i ri social-argëtues në Skelë. Dyshoj nëse e ka bërë më mirë aktivitetin se një vit më parë. Dyshimi davaritet shpejt. “Ia arrita dhe këtë vit”, më sqaron. “Unë e di sa e vështirë ka qenë, por edhe kënaqësia këtu është e pamat, kur i mbledh artistët”. Duhet të jetë e vërtetë kjo, se kur në darkë, humbas mes 50 piktorëve të ftuar nga Piro, që punuan për disa ditë me radhë në bukuritë e Vlorës, të gjithë ndjehen krenarë se ia arritën të jenë dhe një vit bashkë. Në Shqipëri është fat të ketë diçka një vazhdimësi. Dhe, vërtetë, Piro, për të disatin vit me radhë, në qershorin e vitit 2012, arriti të mbledhë në të gjitha hapësirën vlonjate tre dyzina artistësh dhe kaq shumë vepra në pak ditë nën okelion e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Më kujtohet ajo që kam shkruar njëherë për Ambasadën shqiptare në Francë dhe inaktivitetin e saj, vite më parë.

Çfarë na duhet vallë? Kemi Ismail Kadarenë dhe Angjelin Prelocajn..., për çfarë duhen burokratët e saj. E lidh me Piron. Po këtu, çfarë duhen strukturat e kulturës, që raportojnë vazhdimisht për aktivitete. “Ej, e lemë. Këtu gjithçka është e thjeshtë. U garantojmë pushim dhe i lusim artistët vetëm të punojmë. Ah, nuk është kjo ajo që do një artist. Të tjerat i lemë”, sqaron me modesti. Dhe, artistët e respektojnë.  “Ditët vlonjate të pikturës 2012” mblodhën një grup piktorësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi që nga data 30 maj deri më 2 qershor për të tretin vit me radhë në Vlorë, krijuan dhe ekspozuan krijimet e tyre. Piro dhe bashkëshortja e tij Desdemona, një militante e njohur për të drejtat sociale, ia kanë arritur në vetëm tre vjet t’i japin qytetit një aktivitet.

E të mendosh me një sakrificë të pashoqe. Si rrallëherë, miq e dashamirë nga të gjithë rrethet kanë qenë prezentë. Sepse Stefat këtë aktivitet se kanë më të tyrin, ai është aktivitet i jetës kulturore shqiptare! Jo më kot, të gjithë piktorët kanë sjellë gjendje të ndryshme peizazhi, realizuar në teknika të ndryshme, të cilat duhet thënë se kanë pasur të bëjnë shumë me atmosferën e jashtëzakonshme të qytetit, por ndërkohë edhe është siguruar një bashkëbisedim i shkëlqyer piktorësh, ardhur nga Prishtina, Maqedonia, Mali i Zi. Dhe, ajo që s’bëhet asgjëkundi, mund ta shikoje për pak ditë në Vlorë.

Qamil Prizreni, Hilmi Bani, Zeqir Alizoti, Agron Dine, Mustafa Arapi, Pashk Pervathi, Adrian Devolli, Zymer Mulliqi, Agron Polovina, Helidon Haliti, Barjam Mato, Haxhi Kastrati, Arif Lushi, Natali Nikolovska, Marjana Goxhabelliu, Adrian Cene, Adriana Puleshi, Zamfira Heta, Fatmir Carkanji, Xheneta Kadillari, Agim Kadillari, Aleksandër Vreto, Bilbil Mazreku, Merita Muço, Ed Kojani, Shpetim Xhema, Arsen Kurti, Kristaq Pavli, Fatos Zyberi, Roland Runaj, Ticiana Fejzullahu dhe Bedrana Feta e treguan këtë. A do mundet të zgjatet më tej? Piro Stefa ka pafund ide dhe mbetet modest. Dhe, nëse në qytetet tona ekzistojnë edhe të tjerë njerëz të tillë, atëherë quaje se misioni i artit nuk është përfunduar. Qyteti do të jetojë edhe përmes kulturës së tij. Ndaj, Piro Stefa, atë ditë, kishte dekikun të çlodhej dhe për vetëm një ditë të krenohej për atë që kishte bërë.
 
Vlora

Vetëm se Vlora jashtë kolonisë së piktorëve nuk ka shumë për të thënë. Qyteti vuan kaosin e tij të zakonshëm, ndërsa Adriatiku që i lëpin prej kohësh gjeologjike brigjet, është gjithnjë e më i pisët. Plazhi në Radhimë, por edhe kudo, shquhet për papastërtitë, ashtu si në çdo vend tjetër të Adriatikut shqiptar. Edhe me masat e marra dhe me kujdesin e treguar, duket se Shqipëria dhe pushteti lokal e ka të pamundur të ndërtojë një imazh tjetër. Të bën ende përshtypje komunikimi i vështirë me shërbimin dhe me shefat e hoteleve, të cilët komunikojnë shpesh jo aq mirë. Të duhet gati një orë që të përgatitet një dhomë ndenje në Vlorë, ashtu si jashtë tij, deti sjell vazhdimisht papastërti të panumërta, bashkë me bisedime në formë ulërime të vlonjatëve. Turli mbeturinash, plastika, shapka, shishe dhe kuptohet leshterikë janë ato që sjell pafund uji dhe që njerëzit i shohin indiferentë, krejt të mësuar. Sikur të mos mjaftojë kjo: Njerëz të ndryshëm që pushojnë, vendas por edhe të ardhur, kanë dhe një zakon ende të paqytetëruar, që mundohen të futen kudo në muhabet, me të panjohur. Kjo i bën jo vetëm të huajt por edhe pushuesit ta ndjejnë veten tejet të bezdisur...Por, kjo e gjitha ka pak rëndësi. Tek e fundit, rëndësi ka vetëm që të kalohet koha. Ndërkohë të tjerë hapin muzikë pafund zhurmëmadhe dhe të rinj vendas mbeten të pasjellshëm përsa i përket plehrave që i shpërndajnë kudo, pa e çarë kokën për gjëra të tjerat. Është jo e lehtë të parkosh, ashtu si mbetet shumë e vështirë për tu marrë vesh me policët vendas, që pas tunelit nga ana tjetër, i ndajnë makinat sipas preferencave. Ata me makina pa ndonjë imazh të mirë, degdisen nga rruga sipër tunelit, që është ende e parregulluar. Këto janë pikatore të një dite pushimi, por problemet e Vlorës ashtu si të gjithë qyteteve shqiptare, nuk i ezauron ky reportazh i thjeshtë. Këtë e mendoj në mbrëmje, kur hedh sytë poshtë një klubi afër Tunelit, që për fat këtë vit do jetë me dy korsi, ku papastërti dhe mbeturina që derdhen në det e bëjnë plazhin aty gati fare të pafrekuentueshëm...
...
Piro Stefa nuk besoj se do ta lerë aktivitetin e tij. Të paktën edhe për pak vjet. E besoj nga ngulmi i tij. Tek e fundit, nëse Vlora e të tjera syresh nuk do kenë njerëz të tillë me idealizma, quaje sikur s’ekzistojnë fare. Piro do e bësh sërish, i them. “Të të flas për një vit më tutje është pak e vështirë, por e kam nisur që tani që flasim bashkë idenë. Nuk i lë dot artistët”. Dua që të jetë kështu. Sepse dua t’i takoj sërish piktorët, shumë syresh të cilët nuk i takoj dot në Tiranë prej javësh, muajsh.... Lindsay më kërkon me ngulm ta mbaj në lidhje. Bën një email tepër të shkurtër dhe më tregon destinacionin e radhës. Nuk them se e ka mahnitur Shqipëria. Kur shikoj gjeografinë e tij ka vende shumë më ekzotikë se Shqipëria, që i kanë lënë mbresë. Më vjen mirë se është lutur dhe për vendin tonë, këtë mrekulli që dikur ia blatonin se e do Zoti thjesht se ka ngelur e pazhvilluar!!! Sa për Vlorën?! Është mrekullia jonë dhe qyteti që të gjithë shqiptarët ëndërrojnë të jetë kryeqyteti shpirtëror. Jo më kot, për këtë nuk ka ankesë as himarjoti, gjakovari, tropojani, shkodrani, gjirokastriti apo askush. U mbetet vlonjatëve dhe zyrtarëve të saj që të tregojnë ndryshe. Për fat të keq, deri më tani, qyteti është larg këtij përfytyrimi. Ka humbur atë kumtin e vjetër mesjetar, ca më shumë antik dhe mbi të gjitha Vlorën e kohës së pavarësisë...Sa për plazhin, vetë Zoti i ka falur mrekullinë, që njeriu shpesh ka dashur ta prishë me Tec-in dhe çudirat e tjera. Sa do zgjasë e gjitha kjo tollovi? Këtë një Zot e di. Të paktën e ndjej nga një furgon, që më grish me forcë dhe me britma, t’i ngjitem për në Tiranë.  Verë e vitit 2012.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama