Vlora kremton 10 vjetorin e shpalljes se Iso-Polifonise si Kryeveper e trashegimise gojore te njerezimit nga UNESCO

TIRANË, 7 Nëntor / ATSH -Klajdi Musabelliu / - Qendra Kulturore e Veprimtarive Folklorike Tiranë në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë, me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së Iso-Polifonisë si "Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit", mbrojtur nga "UNESCO" do të organizojë një festival Tipologjik Kombëtar të Iso Polifonisë në datat 20 dhe 21 nëntor në ambientet e Teatrit "Petro Marko", Vlorë.

"Iso-polifonia" jonë popullore, kjo dukuri e jashtëzakonshme e të konceptuarit dhe e komunikimit njerëzor është vendosur në vendin që meriton, në listën e madhe të kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit" shkruhet në lajmin që vjen nga specialitët e DRKK Vlorë.

Kjo listë e kryeveprave në thelb përbëhet nga fenomene dhe shfaqje dukurish të kulturave shpirtërore të popujve të ndryshëm të botës të cilat qëndrojnë në themel të kulturës njerëzore, dhe që dallohen për frymën dhe llojin unikal që ato përfaqësojnë.

Iso-polifonia popullore shqiptare, shpallet "Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit", mbrojtur nga UNESCO në 25 nëntor të vitit 2005, ndërkohë që data 25 nëntor është gjithashtu një ditë historike për mbarë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve por dhe për vetë Shqipërinë.

Në këtë ditë "Iso-polifonia popullore shqiptare" futet në listën e "Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit" mbrojtur nga UNESCO, fakt që u kumtua në të gjitha mediat e botës nga Dr. Koichiro Matscura, Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris.

Në studimet e Prof. Vasil toles, shrkuhet se Iso-polifonia shqiptare është realisht një ndër supervlerat e folklorit muzikor shqiptar por dhe të traditës botërore folklorike në përgjithësi.

Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo tosk, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit.
Toskëri shumëzërëshin e gjejmë me këtë organizim strukturor:

Zëri I -"ia hedh"-hedhësi ose marrësi
Zëri II -"ia pret"-pritësi
Zëri III-"mbajnë zënë" -iso

Në Labëri:

(tre zërëshi)
Zëri I-"ia merr"-marrësi
Zëri II-"ia kthen"-kthyesi
Zëri III-"ia mbush"-mbushësat-iso

(katër zërëshi)
Zëri I-"ia merr"-marrësi
Zëri II-"ia kthen"-kthyesi
Zëri III-"ia hedh"-hedhësi
Zëri IV-"ia mbush"-mbushësat-iso

Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat e mësipërme të cilar shprehin në thelb strukturën e iso-polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit.

/k.m/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama