Vleresoj duartrokitjet dhe jo parate

Vleresoj duartrokitjet dhe jo parate

E ka kryer gjimnazin në vitet ‘93-‘97, në një periudhë jo të lehtë të viteve të para të demokracisë. Marin Orhanasi, aktori i mirënjohur i teatrit, por edhe i humorit, tregon se gjatë kohës kur ka fituar Akademinë e Arteve, në kohën e trazirave, paralelisht ka fituar edhe të drejtën e studimit në dy shkolla të tjera, në Fakultetin e Drejtësisë dhe Akademinë e Policisë. “Vlera e gjithë kësaj pune mbetet tek ata që e gjykojnë, tek spektatori. Më pëlqen, nuk kam për ta lënë kurrë! Edhe me një këmbë në varr do e bëja,” thotë plot krenari.

I lindur në një familje ku i ati ishte jurist dhe e ëma spikerja e parë e Televizionit Shqiptar, Marini thotë se i është ngacmuar gjaku nëpër vena dhe më mirë se aktrimin nuk do të bënte as profesionin e juristit dhe as atë të policit edhe pse mund të depërtonte shumë lehtë në të dyja këto fusha. Dikur, në rininë e tij, i ati i Marinit ka qenë mësues muzike, por ka luajtur edhe nëpër filma. Ky ka qenë ngacmimi i parë për Marinin, i cili nën përgatitjen e Drita Pelingut, mikeshës së familjes Orhanasi, ia doli të fitonte konkursin për të hyrë në Akademi. Mbështetja e vetme në rrugën e vështirë të artit ka qenë familja e tij.

“Sigurisht që kohët janë të vështira, shumë të vështira, por atij që ia ka dhënë zoti talentin, punon. Nuk mendoj se është çështje fati kjo gjë, është çështje pune, pune edhe talenti, por padiskutim që duhet edhe pak fat,” thotë Marini, ndërkohë që shpjegon se nga kursi i tij i aktrimit, sot, nëntë prej tyre janë në punë në këtë profesion nga 12 studentë gjithsej. Çelësi i suksesit është përkushtimi dhe ai tregon, tek sa mendohet, se në vitin e dytë të studimeve kanë krijuar një kompani teatrale si kurs, kompani e themeluar nga regjisori Altin Basha.

“Me krijimin e kësaj kompanie, ne bëmë atë që shumë pak veta e kanë bërë dhe paralelisht me shkollën, ne bënim shfaqje për këtë kompani,” thekson Marini. Ai ka qenë shumë i lidhur me teatrin, madje vendosi që  diplomën ta kam mbronte në Teatrin Kombëtar. Karriera e Orhanasit në teatër është mjaft e ngjeshur, edhe pse shumë njerëz nuk e dinë këtë. Duke qenë se ai është aktor në një format humori, kjo pjesë është zbehur pak. E vërteta është se, Marini nga Teatri Kombëtar ka shkuar tek Portokallia, pra rrugëtimi i tij i ka rrënjët nga ajo ndërtesa e vjetër e teatrit.

Duke folur për teatrin, ndalemi tek problemet e tij. Ai thotë se e mira nuk ka fund, por duke pasur parasysh vendet fqinje, tarifat janë shumë të ulëta, madje më të ulëtat që mund të ekzistojnë në treg. Orhanasi nuk fajëson askënd për gjendjen aktuale të godinës së teatrit, as aktorët dhe as drejtuesit e saj. “Shteti duhet t’i bënte dhuratë shqiptarëve një godinë të mrekullueshme se e meriton.

Ka nevojë të bëhet një godinë e re. Di që në një vend pranë nesh ka vendosur gjithë populli nga një dollar dhe është bërë një super godinë, si dhe kanë tepruar para për t’u bërë edhe një pllakë floriri jashtë,” tregon ai. Dëshira më e madhe e Marinit është të shohë një teatër dinjitoz, njësoj si aktorët dhe shfaqjet që vendosin ata. Ai ka investuar shumë në teatër dhe shprehet se është investim serioz, ku mund të rradhisë 35 premiera. E quan veten me fat për këtë gjë, pasi sipas tij, çdokush e ka ëndërr të luajë në teatër. Pas një heshtje disaminutëshe, e pyes nëse ka ndonjë pasion të madh tek ai të cilin mund ta ushtronte si profesion nëse nuk do të ishte aktor dhe pa hezituar më thotë: “Kam shumë pasione, por asnjë i cili mund të zëvendësojë aktrimin.

Teatri është pasioni im, ndaj dhe shumicën e shfaqjeve i kam bërë pa para, të jesh e sigurt për këtë!” Ai thotë me plot gojën që nuk ka për ta lënë ndonjëherë këtë punë, madje pohon se është shumë i angazhuar me disa projekte njëherësh. Marini, i brengosur thotë se kjo punë nuk të bën milioner, por i duhen më shumë 500 duartrokitje dhe ta bëjë gjumin e qetë sesa 500 “allish-verishe” në gjykatë edhe 50 milion lekë. Brenda një viti, ai konsumon tre premiera. Ka marrë pjesë në shumë shfaqje teatrale, në “Portokalli” po ashtu, si dhe ka qenë pjesë e disa filmave me metrazh të gjatë. Duke qenë se filmi prodhohet më pak në Shqipëri, ai nuk është fokusuar shumë në këtë aspekt. “Më vjen për të qeshur se jo vetëm që kam qenë prezent në teatër, por kam qenë edhe më tepër aktiv se disa aktorë të organikës së teatrit. Kam qeshur një ditë me një burrë aty jashtë pas një premiere që kisha para disa kohësh.

Dola jashtë, më dha dorën dhe më tha: “A mund të bëj një pyetje? Ç’ne në teatër ti?” Në fillim unë jo u fyeva, por ngela i shtangur dhe i thash: “A mund ta kthej përgjigjen me një pyetje? Po ti ç’ne në Tiranë?”. Gjykimi i tij ishte shumë  i përciptë, sepse ai ka menduar: Ky është tek “Portokallia”, çdo këtu ky. Në fakt, unë i kam bërë paralelisht të dyja,”- shpjegohet ai duke theksuar se Teatri dhe programi i humorit janë dy gjëra pa të cilat nuk mund të jetojë dot. Ai thotë gjithashtu se duke qenë më i angazhuar në televizion, njerëzit e njohin vetëm prej asaj që bën atje. Marini nuk pendohet që e ka konsumuar për 12 vjet imazhin e tij në një spektakël humori. Madje, me qëndrimin krenar thotë se ka qenë prezent në darkat shqiptare, duke ia shndërruar hallet dhe problemet në një moment të lumtur.

Disa këshilla për të rinjtë që aspirojnë teatrin dhe filmin

“Këshilla kryesore është të mos i hyjnë kësaj pune nëse nuk e duan shumë. Kjo punë kërkon shumë investim dhe investimin që ka bërë familja ime për këtë punë, megjithëse nuk jetojnë më, nuk e di nëse do ja shlyeja dot ndonjëherë në të gjitha kuptimet, moralisht, monetarisht, gjithçka. Në qoftë se, brenda tyre e ndjejnë se kanë diçka për të thënë përballë njerëzve, t’i përkushtohen shkollës sepse do e shohin që do ja vlejë. Por ka edhe gjëra qesharake kur dikush të thotë hajde bëje këtë rol se do të jap kaq lekë. Po si do më japësh kaq kur ti ke marrë kaq?! Kjo zakonisht bëhet me të rinjtë që i thonë, “po hajde more se ti nuk ke futur kokën në skenë.”

Jo mor, jo, jepi atë që i takon se duke e bërë ti sot kështu, ai nesër do të bëhet si ty e do thotë që kam punuar dikur pa lekë. Njoh aktorë shumë të mirë që e kanë lënë këtë punë. Edhe në kurs kam pasur shokë që kishin vërtetë vlera, si njerëz në fillim e pastaj si aktorë, por e kanë lënë këtë punë, kanë parë sistemin monetar, mirëpo kur takohemi e shoh në sytë e tyre sesa i dhemb dhe nuk dua t’ia shoh askujt prej atyre që aspirojnë të bëhen aktorë që t’i dhembi shpirti. Nuk duhet që një aktor të kthehet në shtëpi dhe të mos ketë bukë për të ngrënë. Është e frikshme, është e tmerrshme!”

Bashkëshortja është spektatorja e parë

Është i angazhuar pothuajse gjatë gjithë kohës për shkak të impenjimeve dhe projekteve të shumta në të cilën është përfshirë. Ndaj, koha për familjen është e limituar. Por Marini e ka gjetur zgjidhjen! “Kemi bërë prova intensive këto kohë, unë xhiroja nga ora 8 e mëngjesit deri në 11 të darkës dhe në 11 e gjysmë shkoja në teatër dhe bëja kalim deri në dy të natës. Tani gjeje mundësinë ti se kur mund ta shihja unë familjen,”-më thotë. “Atëherë bëra një gjë. Merrja nusen dhe djalin që të ishin këtu tek provat, aq kohë sa ishte të më shihnin se kur shkoja në shtëpi vetëm për të fjetur mendoja, madje, djalin e zinte gjumi këtu,”-vijon.

Kjo ka qenë mënyra e vetme, por sigurisht, si çdo mashkull shqiptar, ai e konsideron të shenjtë familjen dhe përpiqet që të lirohet sa më shpejtë nga impenjimet që e kanë “mbërthyer”. “Familja është shumë e shenjtë për këto dhe duhet të ketë vendin e saj në të njëjtën kohë, por kam një bashkëshorte që më mirëkupton kur bëhet fjala për punë, për mënyrën sesi unë e menaxhoj punën time, por sigurisht, edhe ajo ka nevojë për burrin një moment,”- qesh edhe justifikohet në të njëjtën kohë duke pohuar se në të ardhmen do të angazhohet në më pak projekte.

Bashkëshortja është spektatorja e tij më e mirë, por edhe një nga njerëzit që e ngacmon shpirtërisht për të bërë humor që s’e ka bërë as në “Portokalli”, por vetëm me të. “Ajo është edhe vetë tip që ka humor, kështu që ne të dy flasim vetëm me ironi, me sarkazëm, pastaj i shpërthejmë në të qeshura. Gjatë gjithë kohës jemi në ngacmim e sipër dhe kjo ta bën ditën më të gëzueshme,” shprehet i dashuruar. “Na qëlloi edhe djali pak karagjoz, kështu që ne nuk kemi më zgjidhje,” vijon dhe teksa flet për familjen ka një qëndrim tjetër. Ai shfaq një tjetër anë të tij, përveç humorit. Është i qetë, i dashur dhe i menduar kur e pyes për të ardhmen e djalit. Si çdo artist, edhe Marini, duke pasur parasysh rrugën e gjatë dhe të lodhshme të punës së tij, nuk dëshiron që fëmija e tij “të vuajë” si ai. Edhe pse thellë-thellë kjo është dëshira e tij më e madhe, që të shohë djalin të ngjitet në të njëjtën skenë ku ka performuar i ati.

“Djali ka jo të dhëna, po super të dhëna dhe sa herë e shoh, them ‘ishalla’ nuk bëhet aktor! Madje një ditë po debatoja me nusen, se ajo do që të bëhet doktor dhe djali kur është me bashkëshorten, për të përfituar, i thotë “Po, po, do bëhem doktor”. Një ditë ishim të tre bashkë dhe i thash unë, ça do bëhesh ti? Doktor të keqen mami, i tha ajo. Edhe njëherë i thash unë, ça do bëhesh ti? Ai më pa mua dhe tha aktor. “Si aktor,” i tha nusja, “ti më ke thënë mua doktor”. Epo mirë tha, që ju mos të ziheni, po bëhem doktor aktorësh,”- shprehet ai. Marini tregon se me djalin luan shumë dhe përgjithësisht bëjnë lojra inteligjence.

“Unë luaj me fytyra me të, luaj me pasqyrën (ushtrime të mjeshtërisë së aktorit), kështu që do apo s’do unë ja jap përditë nga një dozë të vogël dhe në fakt, më beso, që puna jonë është një punë e vështirë. Duket si shaka, duket sikur bëjmë gjithë ditën gallatë, por në fakt nuk është aspak gallatë. Edhe në “Portokalli”, ne qajmë në kuptimin figurativ që të qeshin të tjerët,” e mbyll rrëfimin e tij Marin Orhanasi dhe fillon të bëhet gati për shfaqjen, që filloi pas 30 minutash.
I thashë “po” shfaqjes së Esmeraldës

Jo vetëm që është i angazhuar me teatrin, por punon relativisht me regjisorët më të mirë duke filluar nga Ilir Bokshi, që është regjisor shqiptar i Kosovës e duke mbaruar tek pedagogu i tij, Altin Basha. “Unë nuk i them jo punës, qoftë edhe me regjisor të rinj siç është edhe rasti konkret me Esmeralda Stafën, e cila është regjisore e re, por që premton shumë.”

Shfaqjen e parë ku ka interpretuar

“Shfaqjen e parë, unë e kam luajtur në gjimnaz, “Shërbëtorin e dy zotërinjve” të Goldonit dhe më kujtohet ka qenë Aldo Kromina dhe Gjergji Trola të cilët ishin njëri për aktrim e tjetri për regji dhe shpërndaheshin nëpër gjimnaze për të vendosur nga një pjesë klasike ose një vepër si kjo e Goldonit dhe  e punonin nxënësit,”- kujton kontaktin e parë me aktrimin. Marini tregon se ka qenë shumë i shkathët gjatë adoleshencës dhe duke pasur nënën e tij nëndrejtoreshë, përpiqej që orët kur mungonte, t’i justifikonte me teatrin.

Të rinjtë dhe teatri

“Ne kemi bërë një projekt dikur, ishte i iniciuar nga një fondacion që kishte Xhevdet Ferri, një bashkëpunim me komitetin Evropian, ku ne po përpiqeshim ti mësonim njerëzit që të tërhiqeshin nga teatri. Përveç kësaj, u mësonim edhe ushtrimet që unë kam bërë në vitin e parë në Akademi. Pra, me tre muaj trajnim që iu bëmë gjimnazeve të Tiranës, jo vetëm që mund të gjeje aktorë, por ata mund të bënin një proces të plotë të semestrit të parë të akademisë, madje në mënyrë shumë më intensive. Mendoj se duhet të jetë politika ajo që e bën dallimin. Në politikat e arsimit duhet të futet si logjikë lënda e dijes së teatrit. Mendoj se ka nevojë për këtë. Të rinjtë jo vetëm që duhet ta frekuentojnë teatrin sepse ka karakter edukativ, por sepse teatri është ai që bën njeriun të vetëdijshëm për shumë aspekte në jetë.”

Roli i ri në “Portokalli”

Marini, çdo vit shfaqet në “Portokalli” me një personazh ndryshe. Edhe këtë vit, ai ka menduar për një personazh të ri që njerëzit nesër të mos e thërrasin as polici, as hidrauliku, por ta thërrasin në emër. “Çdo 2-3 sezone aktori duhet të ndërroj personazh, sidomos në një spektakël që për fat të keq është spektakël konsumi. Aktori duhet të provojë të bëjë gjëra të reja sidomos në një spektakël të këtij lloj,”-thotë ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama