Vlashent Sata Muzika ime nje dhurate per Shqiperine

Vlashent Sata: Muzika ime, nje dhurate per Shqiperine

Në Tiranë e ka sjellë promovimi i videos “Live sessions @Vollga” –një projekt muzikor me pesë këngë të interpretuara dhe regjistruara live, në hotel “Vollga” në Durrës. Vlashent Sata, muzikanti shqiptar, i cili prej 13 vitesh e ka ndërtuar karrierën në Paris, rrëfen artistin -përmes albumit të parë “Hana”, me të cilin do i shfaqet publikut në një koncert të madh në muajin prill – dhe njeriun, një kaleidoskop kujtimesh e emocionesh të mbledhura nga fëmijëria, ëndrrat, jeta…të gjitha brenda muzikës, që e sjell si dhuratë për ata që e dëgjojnë.

 Ndonjëherë, për gjërat më të mëdha nuk të duhet as të mundohesh fare. Duhet t’i presësh ashtu si të vijnë; si një dhuratë. Pa të pyetur dhe pa i kërkuar. Gjejnë kohën e duhur dhe shfaqen, ndërsa të mbetet vetëm t’i bindesh rastësisë…Siç i ndodhi Vlashent Satës, muzikantit shqiptar i cili prej 13 vitesh e ka ndërtuar karrierën në Paris. Ndodhet këto ditë në Tiranë për promovimin e videos “Live sessions @ Vollga” –një projekt muzikor me pesë këngë të interpretuara dhe regjistruara live, te hotel “Vollga”, në Durrës.

“Gjithçka ndodhi pas koncertit te Piramida, në prill të vitit të kaluar” – ia nis rrëfimin Vlashenti, duke sjellë ngjarje, personazhe e koincidenca të denja për një skenar filmi, duke lidhur kështu një subjekt sa të pabesueshëm aq edhe emocionues. Ai erdhi një vit më parë bashkë me këngëtaren e xhazit, Elina Duni ndërsa ajo prezantoi për publikun albumin “Muza e Zezë”.

Ajo që ndodhi më pas, ishte interesi dhe kureshtja e ndezur për të ditur më shumë rreth këngëtarit që e shoqëronte. Ata që ndodheshin në sallë, prisnin të dëgjonin edhe albumin e tij. Vlashenti iu prezantua me disa këngë të shkruara dhe kompozuara prej tij.

Ishte ajo natë që vijoi fill me disa intervista në mediume të ndryshëm –të cilëve muzikanti i ri u kishte mbërthyer kureshtjen profesionale –që gjërat për pianistin, pedagogun në Konservatorin e Parisit dhe kantautorin që në pak raste ishte shfaqur në pjesëmarrje disi të heshtura në festivale kënge si “Top Fest” apo “Kënga Magjike”, të merrnin trajtën e një rastësie të bukur.

Një prej këngëve të tij, “Hana”, e cila u pëlqye menjëherë, po aq menjëherë e gjeti rrugën për t’u përfshirë në mes të këngëve që vijnë këto ditë në “Live sessions @ Vollga”, një video e realizuar nga Kube Studios. “Një djalë me emrin Erti Lutaj, të cilin e kisha njohur para disa vitesh kur isha student. Ai kishte një qendër interneti dhe më pëlqente të bisedoja me të, kur vija. Kishte shkruar në Facebook se më kërkonte për të më prodhuar albumin tim. E takova Ertin, i cili tanimë ishte njeri i rëndësishëm në Marrëdhëniet Publike. Më tha: “Ti duhet të bësh patjetër një video dhe unë dua të ta realizoj”. I shpreha se kisha parë punët e një djali, të cilin nuk e njihja personalisht dhe do të doja, nëse do realizoja një video, ta bënte ai. Ndërkohë Erti më thotë se do më sugjeronte një mikun e tij. Të dy e kishim fjalën për të njëjtin: Eri Kuken” – vijon Vlashenti, ndërsa ajo që vjen më pas në rrëfim, e bindën se ishte koha për të realizuar një video, me të cilin do i prezantohet publikut shqiptar.

Pas shijes së mirë që kish marrë me vete pasi ishte larguar nga koncerti te Piramida, Eri Kuke ishte në kërkim të kontakteve të Vlashent Satës për t’i bërë një propozim. Do i realizonte një video pa parà, si një lloj shpërblimi për kënaqësinë që kish marrë prej muzikës së Vlashentit.

“E takova Erin, i cili ishte shumë i gatshëm për të më realizuar videon. Por e kisha të vështirë të zgjidhja se cilën këngë prej atyre që kisha shkruar, do të realizoja me video. Nuk kam ditur kurrë të zgjedh”. I propozoi të organizonte një mbrëmje muzikore, ku ai të këndonte, ndërsa stafi që do të merrej më pas me realizimin e videos, të zgjidhte. Në fund, u vendos se do të xhiroheshin të gjitha.

Nga Parisi drejt Vollgës

Kishte vetëm pak ditë që kishte lënë Parisin dhe kishte realizuar një koncert në Tiranë dhe pas pak një video me pesë këngë te “Vollga” në Durrës.

“Vendin e zgjodhi Eri Kuke. Shumë shpejt u mblodhën muzikantët, stafi organizativ dhe u nisëm drejt Durrësit. Kemi xhiruar gjatë gjithë ditës. Nga ora një pas mesdite deri në katër të mëngjesit” –rrëfen ai.

Rezultati ishte një sesion i gjatë live ku Vlashenti këndon, luan në kitarë dhe piano këngët e tij “Ëmbël” “Ëndërruar” “ Këmbëzbathur” “Hana” dhe “Tregimi i fluturës”, shoqëruar nga fizarmonika e Genti Rushit, klarineta e Ermal Rodit, bateria e Gerti Himës dhe bass-i i Enver Muhamedit. “Janë muzikantë nga më të mirët që kemi”, – konfirmon Vlashenti, ndërsa forma e të regjistruarit live, pa dubla, pa montazh, pa grim, pa studio, është hera e parë që vjen në Shqipëri.

“Është xhiruar në plane të ndryshme, me kamera të një cilësie shumë të lartë, nga ato që përdoren në Hollivud për filma me efekte speciale. Është xhiruar në cilësi 5K që praktikisht nuk ekziston në platformë transmetimi”.

Ajo çka Vlashenti mëton të transmetojë është thjeshtësia, e atij lloji që e vë në pah, në gjendjen e saj të pastër, të bukurën. “Më pëlqen liria për të qenë i thjeshtë. E thjeshta është rruga më e mirë, më e sigurt. Më pëlqen edhe që në Vollgën e cila po shkatërrohet përfundimisht, kemi krijuar diçka nga ana humane”.

Videoja muzikore, e cila shumë shpejt do të nisë transmetimin në kanale televizive dhe internet, është vetëm pjata e parë, që ka gatuar për publikun.

“Në fund të muajit Prill do të vij me koncertin e parë solo dhe do të prezantoj albumin tim, që është i përfunduar” – zbulon ai, duke planifikuar një koncert me përmasa dhe mesazhe të mëdha. Këngët do të vijnë të shoqëruara me projeksione video, të realizuara po nga “Kube Studio”. “ Janë rreth 11 këngë, por mendoj se do të shtoj ndoshta edhe disa te tjera, sepse jam i frymëzuar gjatë kësaj periudhe. Është për t’i thënë ‘Faleminderit’ Elina Dunit e cila u bë shtysa e parë me koncertin dhe në një vit unë kam krijuar një album. Elina ishte shkrepësja dhe ëndrra ishin njerëzit që kaq thjesht më kanë treguar zemrën, të cilën unë nuk e kam marrë me vete, por e kam lënë në Shqipëri”.

Një album, si peshqesh Shqipërisë

Albumin, i cili do të ndjekë një trajektore jashtë procesit të zakonshëm nëpër të cilin duhet të kalojë një i tillë- me dy koncerte, një në Tiranë dhe një në Prishtinë, përpara se të përfundojë në studiot e regjistrimit, e ka menduar si një dhuratë që i bën vendit.

“Është një dhuratë e fëminisë, e njerëzve të thjeshtë që nuk kanë nevojë për bojna, por për dashni dhe vëmendje. Është një kthim pagese për dashurinë që kam marrë në Prill, i papërballueshëm fizikisht dhe moralisht”.

Përpara se ta paketojë brenda një disku kompakt, ai do ta transmetojë gjallë emocionin e një rrugëtimi jete, në dy koncertet. Shokët e aventurës do të jenë disa prej atyre që e shoqëruan edhe gjatë realizimit të videos. “Armend Xhaferri në kitarë, këtë herë dua të dal kitarë e dytë, Enver Muhamedi në bass, Gent Rushi në fizarmonikë dhe sintetizator, Ermal Rodi në klarinetë, corn dhe trumbetë, në bateri Ernest Bajramliqi, nga grupi “Cute Babulja”, do të kemi një piano të vërtetë, ku unë do të luaj, pasi instrumenti im i parë është piano, në kitarë jam amator” –thotë, ndërsa i zhytur në një udhëtim kohe, zbulon motivet e këngëve.

“Flasin për fëmininë, shokët e parë. Kam pasur një shok që quhej Yllson dhe nuk e harroj sesi një ditë shiu më përcolli deri të shtëpia me mushama. U largua më pas në Amerikë dhe nuk e di ç’bëhet me të, por nuk e harroj atë gjest. Albumi flet për familjen, jo vetëm anëtarët me lidhje gjaku, por edhe me fantazinë. Kam pasur fatin që në familjen time kanë qenë të gjithë një botë e veçantë secili. Flet për dashurinë, por jo kjo dashuria si paracetamol, që kalon dhimbja për dhjetë minuta”, – thotë duke qeshur, ndërsa shton se aty brenda ka këngë ku ai shpreh këndvështrimin mbi jetën dhe veten, sesi kanë ndikuar tek ai 13 vite larg vendit dhe familjes.

Të ndjesh në gegnisht

Vargjet e këngëve i shkruan vetë, ndërsa ndjesitë i kalojnë prej shpirtit në duar, në dialektin gegë. Jo vetëm të pesë këngët që do të prezantohen në “Live sessions @ Vollga”, por i gjithë albumi. “Përdor gegnishten kryesisht, pasi mendoj se është shumë e pasur. Sidomos ajo e Shkodrës. Më ka ardhur si thirrje normale. Më pëlqejnë rimat në gegnisht, dhe për fat të keq nuk është vlerësuar kurrë sa duhet. Mendoj edhe se shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë kanë qenë gegë; Migjeni dhe Fishta dhe mendoj se gegnishtja është pasuri për Shqipërinë”.

Nuk di të thotë me siguri se do të shkruajë gjithmonë gegnisht, por që do ia prezantojë albumin publikut gegë, për këtë është i bindur. Këngët do të shkojnë në Kosovë e pastaj në Maqedoni, thotë ai, por për to ka parë horizonte edhe më të gjera. “ Pasi albumi të publikohet, do të përshtatet në gjuhën frënge për koncerte te ndryshme. Për të hapur derën e jetës artistike në Francë, me këngë që kam krijuar vetë, jo adaptime dhe për të përçuar gjuhën shqipe, muzikën shqipe përtej. Plani është afatgjatë” – zbulon besimplotë, i kënaqur nga kjo shkakësi, që duke u ndezur si rastësisht prodhoi shumë artistikisht. Një koncert që solli video muzikore, të cilat sollën albumin me dy koncerte, përkthimin e tij dhe përshtatjen për skenën franceze.

Simbole dhe kauza

“Këngët e mia janë shërim i plagëve të mia”, – thotë ai. Dhimbja kur nuk sheh të atin tek plaket, shokët kur thinjen si ai. “…kur nuk ndjej më të njëjtën erë”, shton. E megjithëse trishtimin dhe dhimbjen që përcjellin, për Vlashentin ka një motiv të gëzohet, për vlerën që të gjitha kanë për të. Kompozon në një formë aq personale, duke folur për veten, por duke i sjellë si dhuratë për dikë tjetër. Për dikë që e gjen veten të njëjtësuar mes vargjesh, mes tingujsh.

“Janë këngë të përjetuara, shumë personale, me dhembje që shkojnë deri në kockë. Ka shumë simbolikë aty brenda. Këto këngë i kam bërë për vete dhe dua t’ua dhuroj të tjerëve. Dua që të flasin për mua. Por duke qenë se gjuha ime nuk është në vetë të parë, mendoj se njerëzit i përvetësojnë dhe i bëjnë personale, janë histori shumë të ngjashme… Shpresoj të jem sa më shumë i sinqertë me njerëzit”. Për titullin e albumit, i ka ardhur krejt e natyrshme, gati e pashpjegueshme ta pagëzojë “Hana”, për rrugën që e ka gjetur vetë kjo këngë e shkruar katër vite më parë, për simbolikën e fortë që mbart brenda dhe për imazhin e fortë që sjell në mendjen e kujt e dëgjon dhe ndjenjën që përcjell ndaj kujt ia hap zemrën asaj.

Është një ndjeshmëri që derdhet përtej tingujve dhe kapërcen dimensionin artistik.

Koncerti që do të realizojë në Prill, do të jetë i gjithi për bamirësi. “Im atë është jetim nga e ëma dhe do të doja shumë që paratë e mbledhura nga biletat të shkonin për fëmijët jetimë. Jo për rroba apo ushqime, por instrumente ose mësime muzike, që mendoj se kanë më shumë vlerë, sipas këndvështrimit tim. Unë nuk kam planifikuar të marr asgjë me vete nga koncerti. Do të ishte mirë që njerëzit të na ndihmonin, do më ndihmonin mua, por edhe kauzën” –thotë, ndërsa synon me muzikën e tij të zgjojë vëmendje dhe gatishmërinë që njeriu duhet të ketë për tjetrin, diçka më shumë sesa dashuria, pranon ai. “Shpresoj të kemi mbështetje nga institucione, por edhe biznese që mbështesin artin të na ndihmojnë. Jam i sigurt që gjithçka do të jetë mirë.

Premton se do të jetë emocionuese, ajo çka do të servirë menyja e tij muzikore në Prill.

“Shpresoj që edhe unë vetë t’i përmbaj emocionet, sepse janë këngë shumë personale. Duhet stimuluar rinia shqiptare që ka dhënë aq shumë dashuri për këtë video. Falënderoj ‘Kube Studio’, Eri Kuke, Ina Lisi, Martin Bejleri, Borin Leka etj., që kanë punuar vetëm me dashuri e krejtësisht falas për një periudhë të gjatë”, – përfundon ai teksa telefoni nuk i pushon së tringëlluari. Janë gazetarë që e ftojnë në emisione, janë miq që vijnë prej së largu, të afërm që i takon kur vjen në Tiranë, bashkëpunëtorë me të cilët ndan projekte dhe plane…një rrjet i tërë që i bëjnë gjërat e mëdha të shfaqen papritur në horizont, ndërsa ai, si një instrument muzikor u bindet tingujve, me të cilët shpirti përcjell gjëra të mëdha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama