TIRANË, 17 Nëntor / ATSH / Klajdi Musabelliu / - E nëse menduat se takimi me librin, apo promovimi i tij mori fund për këtë vit me panairin e librit "Tirana 2015", gjatë së cilit miqtë e libirit dhe në veçanti të rinjtë shfaqën një interes tejet të madh për botimet e vitit 2014-2015 dhe paralelisht edhe për të mëdhenjtë që kanë shkruar kryeveprat dhe kanë bërë historinë, atëherë keni gabuar.
Sot gjatë ditës në sallën "Aleks Buda" të Akademisë së Shkencave" në praninë e Ambasadorit të Federatës Ruse në Shqipëri, shkëlqesisë së tij Alexander Karpushin, ish sportistit, diplomatit dhe shkrimtarit rus Vladimir Masallov, muzikantit mjaft të njohur rus Yuri Bogdanov dhe mjaft personaliteteve dhe miqve të letërsisë ruse, u promovua në shqip libri me titullin "Zjarri" vëllimi i 100 poezive të përmbledhura të autorit Vladimir Masallov.
Në shekullin e XIX pasi letërsia ruse hyri në fazën më të ndritur të saj me veprat e poetit dhe prozatorit Aleksander Sergeyevich Pushkin, kohë kjo e cila u cilësua si "epoka e ndritshme e letërsisë ruse" nga kontributi i Pushkinit dhe bashkëkohësve të tij, një tjetër poet i shkëlqyer dhe i atij kalibri dhe po rus, pikërisht Vladimir Masallov u prezantua sot me publikun shqiptar përmes 100 poezive të tij të përkthyera nga Jorgji Doksani e Qazim Shemaj, dhe të botuara nga Shtëpia Botuese "Fan Noli".
"Pushkini, Dostojevski e plot e plot emra të tjerë që kanë bërë historinë e letërsisë ruse janë tepër familjarë dhe të dashur për lexuesin shqiptar, i cili i ka kushtuar mjaft rëndësi kryeveprave ruse që edhe sot janë të pranishme në jetën e shqiptarëve" tha në fjalën e çeljes së aktivitetit, Rexhep Hida drejtori i shtëpisë botuese "Fan Noli".
"Një prurje me vlera të veçanta për lexuesin dhe mikun shqiptar të librit, është ky vëllim poetik i brilantit Vladimir Masallov, i cili sjell, përcjell dhe prezanton gjihashtu edhe vlerat e tij personale siç janë ato të humanizmit dhe dashurisë" u shpreh Rexhep Hida gjatë fjalës së rastit.
"Promovimi i autorit bashkëkohor rus Vladimir Masallov në Shqipëri, njërit prej më të shquarve jo vetëm në Rusi, u realizua dhe në kuadër të 70-vjetorit të shoqatës së miqësisë shqiptaro-ruse" tha Ambasadori rus Alexander Karpushin.
"Që prej janarit lindi ideja dhe puna për botimin e këtij libri, i cili gjithashtu përfaqëson edhe një aktivitet bashkëpunimi midis shqiptarëve dhe rusëve" vijoi Ambasadori Karpushin, i cili i shprehu mirënjohjen e thellë në emër të ambasadës realizuesve dhe atyre që bënë të mundur promovimin dhe përkthimin e poezive bashkëkohore ruse, që erdhi në Shqipëri si një pjesë e thesarit të madh rus.
"Interesi i madh për letërsinë dhe veprat ruse, si ato klasike etj, na bëri që kësaj here të sjellim në Shqipëri këtë autor bashkëkohor rus, i cili për nga madhësia, stili, dashuria dhe mjaft elementëve të tjerë që sjell në poezinë e tij, meriton të jetë pjesë e historisë dhe gjithashtu edhe veprave shkollore e arsimore ruse", vijoi Ambasadori Alexander Karpushin.
"Sipas kritikës ruse, stili, fuqia dhe natyra e Masallov krahasohet dhe konkuron denjësisht me një tjetër personalitet të letërsisë ruse si Sergei Eseni, dhe jam i lumtur që sjell në Tiranë vlerat e letërsisë ruse dhe një autor mjaft të madh dhe të njohur në disa vende të botës, i cili gjithashtu është edhe një kampion në sport dhe një ish- diplomat i shkëlqyer " theksoi Karpushin, ndërsa vlerësoi dhe dekoroi me çmimin "Alexander Pushkin" përkthyesin Qazim Shemaj me motivacionin "Për besnikëri ndaj fjalës dhe veprës".
Nga poezitë e poetit më në zë të momentit në Rusi Vladimir Masallov, disa prej tyre janë realizuar edhe këngë, ndërsa dashuria për atdheun, dashuria, humanizmi, dhe optimizmi dallohen qartë në veprat e tij, për të cilat laureanti është edhe fitues i disa çmimeve prestigjoze.
I emocionuar në këtë vizitë të dytë dhe mjaft të veçantë në Shqipëri, vetë autori i librit me titullin "Zjarri", Vladimir Masallov u shpreh se prania e tij në këtë aktivitet dëshmon qartë edhe lidhjet e ngushta të letërsisë ruse dhe shqiptare.
"Delegacioni që jam pjesë dhe kam sjell në Tiranë, ka si anëtar edhe muzikantin e famshëm dhe të shkëlqyer Youri Bogdanov, dhe ne erdhëm së bashku sepse poezia dhe muzika janë të pandara", vijoi të shprehej autori Vladimir Masallov.
"Në emër të lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë dhe jo vetëm, lajmi për përkthimin e veprës sime në shqip, ka vënë në lëvizje Moskën dhe Rusinë dhe gjithë letërsinë ruse" vijoi Masallov.
"Mitrush Kuteli, dhe të gjithë përkthyesit shqiptarë të veprave të thesarit rus, njihen edhe pëlqehen edhe tek ne, dhe unë mendoj se ky aktivitet është edhe një kontribut solid në forcimin e marrëdhënieve tona humanitare dhe kulturore" vijoi Masallov.
"Gjuha dhe kultura ruse shënon sot një ditë të veçantë për popujt tanë sepse nëpërmjet këtij aktiviteti e këtyre aktivitetesh prezantohen edhe vlerat shpirtërore dhe kulturore midis vendeve", shtoi Masallov.
"Këto kohë kam mendur për Shqipërinë dhe i gëzuar dhe emocionuar erdha këtu i mbushur plot e përplot me ndjenjë, dhe jam këtu t'ju them mirëdita me buzëqeshjen e mikut, dhe gjithashtu mendoj se është koha që të rishikohen dhe riparohen gabimet e të kaluarës, dhe që në emër të letërsisë ne të rikuperojmë marrëdhëniet tona" u shpreh autori i librit "Zjarri" Vladimir Masallov, i cili foli përpara të pranishmëve si një ambasador i vërtetë paqeje dhe dashurie, elementëve që karakterizojnë më së shumti edhe poezitë e tij.
Sakaq aktiviteti vijoi me intepretimin në sallë të disa prej poezive të autorit Masallov, i cili edhe nga të pranishmit u cilësua si Pushkini i ri i Rusisë.
/k.m//m.m/