Vitamina C kufizon perhapjen e kancerit

Vitamina C kufizon perhapjen e kancerit

Doza të larta të vitaminës C mund të fuqizojnë efektin kancer-vrasës së kimioterapisë, bëhet e ditur nga rezultati i një studimi të kryer me minj laboratori. Nëse këto doza jepen përmes injeksionit, mund të jenë më të sigurta, efektive dhe një trajtim me kosto të ulët për kancerin e qafës së mitrës e lloje të tjera kanceri, bënë të ditur shkencëtarët amerikanë.

Pas rezultateve inkurajuese në laboratorë, ata bëjnë thirrje për teste klinike në shkallë të gjerë të mbështetur nga qeveria. Kjo për shkak se kompanitë farmaceutike nuk ka gjasa të shpenzojnë paratë e tyre për teste të tilla, për shkak se vitaminat nuk mund të patentohen.

Vitamina C prej kohësh është përdorur si një terapi alternative për kancerin. Në vitet 1970, kimisti Linus Pauling raportoi se vitamina C e dhënë në mënyrë intravenoze ishte një metodë efektive në trajtimin e kancerit.

Gjithsesi testimet klinike të vitaminës C të marra në mënyrë orale nuk ia dolën që të japin efektin e dëshiruar dhe kërkimi u braktis. Tashmë dihet se trupi i njeriut i nxjerr me shpejtësi vitaminat C të marra nga goja. Gjithsesi shkencëtarët në Universitetin e Kansasit thonë se kur merren me injeksion, këto vitamina absorbohen në trup dhe mund të vrasin qelizat kancerogjene pa dëmtuar qelizat normale.

Kërkuesit injektuan vitaminë C në qeliza kancerogjene humane në kushtet e laboratorit, në minj dhe në pacientë me kancer të qafës së mitrës në shkallë të avancuar. Ata zbuluan se qelizat kancerogjene qenë sensitive ndaj trajtimit me vitaminë C ndërsa qelizat normale nuk dëmtoheshin.

Trajtimi punoi krahas ilaçeve standarde të kimioterapisë për të ngadalësuar rritjen e tumorit te minjtë. Ndërkohë, një grup i vogël pacientësh raportuan efekte anësore më të pakta kur morën vitaminë C krahas kimioterapisë.

Studiuesit thanë se ka një interes në rritje për përdorimin e vitaminës C nga onkologët.

“Pacientët po kërkojnë zgjidhje të sigurta dhe me kosto të ulët në menaxhimin e kancerit”, tha dr. Jeanne Drisko. “Vitamina C e marrë në rrugë intravenoze e ka këtë potencial në bazë të kërkimeve tona elementare dhe testeve të kufizuara”.

Por një pengesë e madhe është që kompanitë farmaceutike nuk ka gjasa të investojnë para për testime në shkallë të gjerë, për shkak se ata nuk mund të patentojnë produktet natyrore.

“Për shkak se vitamina C nuk ka potencial për t’u kthyer në patentë, zhvillimi i kësaj teknike nuk do të mbështetet nga kompanitë farmaceutike”, tha kërkuesit kryesor Qi Chen.

Shkencëtarët bëjnë thirrje që studime të tilla të kryhen me shpenzime nga fondet publike të qeverisë. Aktualisht është e pamundur të thuhet se teknika funksionon për shkak se kampioni i testuar, vetëm 22 pacientë, nuk është ndjekur në kohë për të parë shkallën e mbijetesës, por interesi i mjekëve është shtuar për shkak të reduktimit të efekteve anësore të kimioterapisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama