Video e STOP 35 mln ryshfet per licencen e qofteve

Video e 'STOP': 3,5 mln ryshfet per licencen e qofteve

Teleshikuesit kanë mundur të shohin “me zë dhe me figurë” sesi kërkohen dhe merren paratë në emër të një licence për një biznes

Formati i konfirmuar tashmë ka mundur të thithë vëmendjen e audiencës me një investigim të një afere korruptive te QKL-së (Qendra Kombëtare e Licencimit).

Teleshikuesit kanë mundur të shohin “me zë dhe me figurë” sesi kërkohen dhe merren paratë në emër të një licence për një biznes. Rasti i djeshëm i provuar nga “STOP” kishte të bënte me korrupsionin e zyrtarëve të QKL-së, të cilët i kërkuan pronarit të një biznesi qoftesh 3,5 milionë lekë të vjetra për ta pajisur me lejen e mjedisit. Sipas pamjeve filmike, punonjësit e Institutit të Shëndetit Publik të Tiranës, që bën matjet e ndotjes së krijuar nga bizneset dhe tjetri i QKL-së, i siguruan tregtarit lejen e ushtrimit të biznesit dhe lejen mjedisore kundrejt ryshfetit 3,5 milionë lekë. Sekuencat filmike treguan dorëzimin e shumës së lekëve në dy këste dhe në të dyja herët paratë u numëruan në tavolinë. Herën e parë, pronari i një pike tregtimi të produkteve të zgarës pagoi 500 mijë lekë të vjetra, ndërsa herën e dytë 3 milionë lekë të vjetra.

Pas pagesës, qytetari mori lejen e QKL-së dhe të drejtën e ushtrimit të biznesit, duke hequr qafe kontrollet dhe matjet e specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik të Tiranës.

Gjoba për tejkalimin e normave të ndotjes së ambientit në këto raste sipas vetë specialistit të regjistruar nga “STOP” shkonte në 5 milionë lekë të vjetra.

Përveç satirizimit të fenomeneve sociale apo përkthimit me sarkazëm të aktualitetit të ditës, autoret dhe drejtuesit e programit premtojnë investigime dhe kamera të fshehta në emër të së vërtetës dhe interesit të publikut.

Dyshja drejtuese Sajmir Kodra dhe Gentjan Zenelaj zotohen të sjellin në ekran gjithçka që shqetëson çdo qytetar të thjeshtë në këtë vend. “Në fund të ditës, edhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe vuajmë të njëjtat probleme si çdokush tjetër”, -thonë moderatorët.

 

 

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama