Vezhgimi Pamje 7 vjet me te re nese beni dashuri rregullisht

Vezhgimi: Pamje 7 vjet me te re, nese beni dashuri rregullisht

Nëse ndiheni ende të dashuruar, por partneri juaj preferon më shumë të kthejë kurrizin në anën tjetër dhe të flejë, atëherë bëni mirë t’i përcillni këtë informacion. Dashuria dhe mosha duket se shkojnë së bashku, pasi nëse keni një jetë të rregullt seksuale, plakja është shumë larg jush. Nëse arrini të gjeni të mesmen e artë midis moshës, trupit dhe dashurisë, jeta juaj do të jetë shumë më e thjeshtë, por edhe shumë më e bukur dhe e gjallëruar. Seksi i ndihmon njerëzit të duken shumë më të rinj, thotë një ekspert. Studimi i dr. David Weeks tregon se meshkujt dhe femrat e moshuara, që kanë një jetë seksuale aktive duken rreth pesë ose shtatë vjet më të rinj sesa mosha e tyre aktuale. Disa kërkime të mëparshme britanike thonë se të bërit dashuri është një nga veprimet që përgjysmon shanset e një vdekjeje të hershme.

Dr. Weeks, ish-kreu i psikologjisë së moshës madhore në Royal Edinburgh Hospital, shprehet se njerëzit e të gjitha moshave duhet të jenë të informuar për përfitimet e një jete të shëndetshme të kaluar me dashuri dhe përkushtim. Psikologu kaloi më se një dekadë duke anketuar mijëra meshkuj dhe femra të moshave të ndryshme. Ata që dukeshin më të rinj nga sa e kishin moshën, pohonin se kishin bërë dashuri mesatarisht 50 për qind më shumë në periudhën 40-50 vjeçare, saktësisht rreth 3 herë në javë. Dr. Weeks thotë se kënaqësia që rrjedh prej seksit është faktori kryesor që ndihmon në ruajtjen e rinisë. Biologjia luan gjithashtu një rol, duke çliruar gjatë seksit endorfinë, lëndën kimike që e bën trupin të ndihet mirë. Kjo lëndë vepron si një “morfinë” natyrale, që largon shqetësimin dhe e bën trupin të ndihet më i qetë dhe të flejë më lirshëm. Gjithashtu endorfina nxit qarkullimin e gjakut, që është shumë mirë për zemrën dhe i jep lëkurës shkëlqim.

Hormonet e rritjes te njerëzit çlirohen gjatë seksit dhe mund të ndihmojnë lëkurën të ruajë elasticitetin dhe të rrudhet më pak. Seksi ndihmon në djegien e yndyrave dhe çliron substanca që forcojnë sistemin imunitar, ndërkohë që lehtësimi i stresit mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e gjumit. Dr. Weeks shprehet në një konferencë për të pasionuarit pas psikologjisë në Britani, se ai ka zbuluar që tipat e njerëzve të ashtuquajtur “Piter Pan”, priren të martohen me femra më të reja, me shumë gjasa për shkak se pamja e përgënjeshtron moshën e tyre.

Shkencëtari, ndonëse 59-vjeçar, por me një pamje rinore tha: “Mesazhi im është se të bërit dashuri është një gjë e mirë”. Ai deklaroi se dhurata më e mirë që mund t’i bëjë ndokush vetes është të qëndrojë seksualisht dhe fizikisht aktiv gjatë gjithë jetës, përfshirë këtu edhe moshat e mëdha.

“Stereotipi se kur një i moshuar del në pension, jeta e tij seksuale ka marrë fund, është një ide shumë e gabuar dhe aspak e vërtetë”, thotë dr. Weeks. Kënaqësia seksuale është një faktor i rëndësishëm në cilësinë e jetës, duke qenë po aq e rëndësishme sa angazhimi fetar, shpirtëror dhe moral.

Njerëzit duhet të nxisin sjellje pozitive kundrejt trupave të tyre dhe plotësimit të nevojave që ata kanë, në çfarëdolloj moshe, pa iu trembur aspak plakjes. Seksualiteti nuk është një ekskluzivitet i rinisë dhe nuk duhet aspak të jetë. Njerëzit nuk kanë përse e ndalojnë veten përpara dëshirave seksuale, sidomos nëse kanë një bashkëshort/e në krahë që mund t’ju plotësojë këto dëshira.


Por kjo nuk do të thotë që dikush, i cili e ka shpërfillur seksin që prej moshës së mesme, të kërkojë të jetë po aq aktiv në një moshë më të vonë. Shkencëtari këshillon që njerëzit të ruajnë një trajtë të vazhdueshme jete seksuale, pasi vetëm kështu do të jetë më e lehtë për çdo fizik të jetë i gatshëm për përmbushjen e standardeve që kërkon seksi. Sikurse të gjitha gjërat e bukura në këtë jetë, edhe rinia nuk e ka një çmim monetar, por shpirtëror dhe shumë të lehtë për t’u paguar. Shijojeni trupin tuaj në çdo moshë, duke lënë mënjanë stereotipat e krijuar në periudhat e prapambetura kulturore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama