Vetevendosje mbyll protesten ne Merdare dhe Dheu i Bardhe

Vetevendosje mbyll protesten ne Merdare dhe Dheu i Bardhe
Lëvizja Vetëvendosje në orët e para të së hënës i ka dhënë fund protestës për bllokimin e dy pikave kufitare me Serbinë. Fillimisht u ndërpre protesta në Dheun e Bardhe dhe më pas edhe në Merdare. Në një komunikatë të VV-së thuhet se ky vendim u mor për shkak të temperaturave të ulëta dhe për shkak të mungesës së sigurisë të cilën nuk e ofron Policia e Kosovës. Policia nuk ka lejuar protestuesit që të ngrenë çadra dhe vend strehim.

“Duke qenë se u bë i pamundshëm qëndrimi te Dheu i Bardhë ku tashmë hynë veturat dhe maunet me mallra serbe, u vendos që tani nuk është më e arsyeshme që të bllokohet Serbia vetëm në njërën pikë kufitare. Protesta paqësore në mbrojtje të Republikës për prodhimin vendor dhe kundër Serbisë do të vazhdojë në të ardhmen edhe në forma të tjera, për çfarë  do të njoftoheni me kohë”, tha Shpend Ahmeti.

Situata në dy pikat kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, në afërsi të kufirit me Serbinë,  paraqitet e qetë. Këtë lajm e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ndërsa shton se policia ka dërguar barrikada të hekurta për të mundësuar qarkullimin e lirë në njërën korsi.

“Po, ato barrikada janë vendosur vetëm për shkak të mundësisë së qarkullimit të lirë, sepse nga lëvizjet e qytetarëve, nganjëherë bllokohet edhe korsia tjetër e cila është e lirë, por nuk ka qëllim tjetër. Ato janë vendosur vetëm për sigurinë e protestuesve dhe automjeteve që  po kalojnë në atë pjesë”, tha më tej ai.

***************

Policia e Kosovës ka sjellë barrikada të hekurta, të cilat i ka vendosur në pjesët anësore të rrugëve, aty ku janë të vendosur protestuesit.

Mësohet se këtë masë policia e ka ndërmarë për të mbajtur nën kontroll aktivistët e “Vetëvendosjes” dhe qytetarët e tjerë të tubuar në protestën e sotme.

**************

Lëvizja “Vetëvendosje” deklaron se asnjë akt i dhunshëm nuk ka ndodhur në vendin ku po mbahet protesta, sikundër asnjë person nuk është arrestuar deri në këto çaste.

“Vetëvendosje”  thekson se në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, u janë bërë vazhdimisht thirrje protestuesve për të qënë të qetë dhe të matur.

Për ta, kushdo që nuk i përmbahet skenarit paqësor do të konsiderohet se nuk është pjesë e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe se nuk janë të mirëpritur të qëndrojnë në mesin e protestuesve.

Ndërkohë, “ Vetëvendosje” konfirmon se rreth orës 18:00, tek Dheu i Bardhë, afër vendit ku po protestohet, policia e Kosovës ka konfiskuar materialet logjistike të cilat do ta bënin të mundshëm mbarëvajtjen e protestës. Bashkë me mjetet, policia ka detyruar edhe aktivistët, Agron Kabashi, Agron Reka dhe Rexhep Sylejmani, që të shkojnë në rajonin e policisë në Gjilan.

********************

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar të Dheut të Bardhë, pasi dëmtoi një veturë që po qarkullonte në këtë rrugë.

Ndërkaq, dy autobusë me aktivistë nga Shqipëria janë nisur sot paradite për në Kosovë, por ata janë ndalur në pikën kufitare të Morinës që prej orës 10:00.

Mësohet se me ndërhyrjen e Avokatit të Popullit të Kosovës, Sami Kurteshi është bërë i mundur kalimi i tyre drejt Kosovës, ku do të mbështesin protestën e “Vetëvendosjes”. Lejimi i aktivistëve të nisur nga Shqipëria është bërë sot rreth orës 17:00.

**********************

Policia e Kosovës ka njoftuar se deri më tani nuk është regjistruar asnjë incident në të dy rrugët magjistrale që  të çojnë në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, ku njëra korsi është bllokuar nga protestuesit e thirrur nga “Vetëvendosje”.

Në pikë kalimin kufitarë Merdare, kanë kaluar pesë kamion me mallra të ndryshëm si dhe tre kamionë te tjerë kanë kaluar në pikë kalimin kufitare Dheu i Bardhë.

“Nga ana e protestuesve kanë filluar tubimet duke bllokuar njërën korsi të magjistrales, tek urat ne hyrje te Podujevës e cila të shpie në drejtim të pikë kalimit kufitar Merdare, e po ashtu një bllokim i njërës korsi është duke ndodhur edhe në magjistralen e cila te shpie ne drejtim të pikë kalimit kufitarë Dheu i Bardhë.

Situata në të dy lokacionet është e qetë”, thuhet  më tej në njoftimin e policisë.

Më tej, policia sqaron se në kalimin kufitar Vërmicë, nuk ka ndaluar apo arrestuar asnjë shtetas.

*************

Protestës së “Vetëvendosjes” me moton “Serbia nuk kalon”, i është bashkuar sot ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili po monitoron nga afër protestën mes dy urave pranë Merdarës. Për mediat kosovare, ai ka deklaruar se i’u bashkua protestës, për të parë situatën nga afër.

“Jam këtu, ashtu sikur para 12 vjetësh, për të parë vetë dhe verifikuar ç’ka po ndodh me ketë protestë sot. Nuk isha këtu javën e kaluar, për të cilën kam dëgjuar versione të ndryshme, një rrëfim nga Qeveria e një tjetër nga organizatoret e protestës. Prandaj erdha për të parë vetë se a është një protestë paqësore dhe reagimin e policisë”, nënvizoi ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë William Walker.

*************

Me anë të një deklarate për shtyp, “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” kërkon që protesta të jetë e qetë, pa incidente dhe të mos përsëriten skenat e dhunës mbi protestuesit.

“AAK konsideron se vendimet e dala nga institucionet tona duhet të implementohen, po ashtu nga institucionet e Kosovës dhe brenda tyre, sepse ato janë të obliguara për këtë.

AAK konsideron se dalja në rrugë dhe bllokimi i jetës nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e çështjeve të caktuara, por, në të njëjtën kohë, AAK konsideron se është e papranueshme, dhuna e ushtruar pa asnjë arsye mbi cilindo protestues, qytetar të Kosovës”.

***********

Lëvizja “Vetëvendosje” konfirmon që rreth orës 13:30 janë mbajtur të arrestuar për gjysmë ore  gjashtë mbështetës të cilë janë: Elvis Hoxha, Gentian Sala, Ermir Harulla, Marsela Hoxha, Taulant Capa dhe Boiken Abazi.

Ky i fundit sapo u lirua. Mësohet se ndaj Taulant Capës është ushtruar dhunë.

**********

Qytetarët vazhdojnë t’i bashkohen protestës, në rrugën për Merdare, e cila njihet si vendi i dy urave. Lëvizja “Vetëvendosje” ka njoftuar se janë arrestuar tre aktivistë të saj nga Shqipëria, në Morinë, protestues që po vinin për në Merdare.

Të arrestuarit sipas “Vetëvendosjes” janë: Elvis Hoxha, Ermir Harulla, Bojken Abazi. Ata u ndaluan për rreth 30 minuta dhe tashmë vijojnë të qëndrojnë në tokën neutrale së bashku me mbështetësit e tjerë që u nisën nga Tirana në orët e para të mëngjesit.

Duke i’u  referuar mediave kosovare, mësohet se në Merdare, ka shumë më pak protestues se në 14 janar.

Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, dy deputetët Liburn Ali dhe ismail Kurtesh kanë ripërsëritur kërkesën drejtuar protestuesve për të qenë të qetë, të padhunshëm dhe për t’iu përmbajtur rregullava të paracaktuara.

*******************

Sot lëvizja “Vetëvendosje” do të zhvilloj protestën e dytë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, pavarësisht faktit se Parlamenti i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë -Serbi.

Mediat kosovare raportojnë se “Vetëvendosje” e quajti “jokushtetues dhe të turpshëm” mocionin dhe thanë se me protestat e sotme synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor. Kreu i “Vetëvendosje”, Albin Kurti, theksoi se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.

Në një deklaratë më të hershme policia e Kosovës ka informuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Në përpjekje për të shmangur një përsëritje të protestës së 14 janarit që u shoqërua me dhunë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dje ka takuar ndarazi drejtuesit e partive politike, të cilëve u ka bërë thirrje që të kërkojnë zgjidhje për të gjitha çështjet brenda institucioneve të Kosovës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama