Veshjet aristokrate te pediatres

Veshjet aristokrate të pediatres

Ato po, që janë veshje aristokrate. Punime delikate në ar e argjend. Prerje elegante, që nxjerrin në pah hire… I mrekullueshëm fustani në ngjyrë vjollcë, i gjithi i punuar në ar, i gruas aristokrate beratase të shek. XVIII. Punime që do t'i kishte zili Armani në xhubletën e veriut, asimetri e çuditshme në veshjen e hershme të Tropojës. Të gjitha përcjellin finesë dhe një traditë të përsosur, që nga veshja e Lunxhërisë, tek ato të Myzeqesë, Gjakovës, Elbasanit, Tiranës, Çamërisë, nga veshjet e grave pasunare, tek ato të grave fshatare. Linda Spahija i ka përzgjedhur të gjitha me shumë kujdes në ekspozitën e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Janë rreth 60 objekte, veshje dhe aksesorë, që i përkasin shek. XVIII-XX, pjesë e koleksionit të ateliesë "Linda & AL". Për këdo që e njeh Linda Spahinë si pediatre dhe psikologe, i duket e çuditshme që pikërisht ajo ka një atelie të këtij lloji. Ajo tregon se gjithçka nisi vite më parë, pa një synim të caktuar. "Kur sheh në mes të rrugës, apo në treg një objekt të një rëndësie të veçantë, të shitet në mes të baltës, të dhemb me të vërtetë", - thotë Linda, që sërish mundohet ta shpëtojë. E më tej, kur sheh vlerën e objektit që ke nxjerrë nga balta, e kur doktori të thotë të rrish në shtrat, kërkon të merresh me diçka, të ndihesh e dobishme.


Dhe Linda e përqëndroi gjithë pasionin e saj tek etnografia. Por nuk qenkërka edhe aq e lehtë, kërkon shumë studim, madje akademik. E pastaj duhen edhe para, pasi objektet kushtojnë. E sakrificat e një njeriu të apasionuar arrijnë deri në marrëzi. "Një aveturë e madhe, por që ia vlen", - thotë ajo. Dëshira për të mbrojtur, si të flitej për një fëmjë, e çon pediatren të mësojë gjëra që nuk i dinte më parë. Të mësojë hiletë e tregut, që ende në Shqipëri nuk funksionon mbi baza profesionale, por mbi atë të nevojës. Ka blerë lirë objekte të rralla, e shtrenjtë të tjera pa ndonjë vlerë të madhe, ka shitur, për të blerë diçka tjetër. Kjo është pjesa që pëlqen më pak, por e domosdoshme. "Kjo është zona më pa vlerë. Vlera e vërtetë është kur zbuloj një objekt, nuk e njoh se çfarë është dhe vjen momenti i konsultës, kur unë pres si para provimit. Dhe është si të marrësh 5, 7, 10 apo 10 me yll. Është shumë e lodhshme, të privon nga shumë gjëra, ka një dozë donkishoteske brenda", - thotë Linda. I duhet të përballet me njerëz në dilemë. Janë shumë të lidhur me objektin, por kanë nevojë për para. Atëherë është ajo që u thotë : Mos e shisni! "Sepse ka gjëra që nuk kanë çmim". Grumbullon, restauron, e pastaj vjen një moment që nuk i mban dot për vete. Bën një ekspozitë për të provokuar pak qytetarët.

"Nëse një familje ka një kostum të gjyshit dhe ia lë nipit, si një marrëdhënie afektive, atëherë duhet ta bëjë këtë me dokument, si pjesë e testamentit, e trashëgimisë, pasi e tillë është pesha e tij", - thotë Spahija, teksa këshillon që nëse i kanë t'i ekspozojnë e të kërkojnë konsulencën e specialistëve. Është e kënaqur që viteve të fundit, etnografisë po i njihet vlera. "Ka dhjetëra shtëpi në Tiranë, të bukura, tradicionale, që në muret e tyre të brendshme nuk kanë më piktura me liqen e me varkë, apo postera, por instalacione të objekteve të trashëgimisë". Në atelienë e saj tashmë ka qindra objekte. Ato që ka sjellë në Muzeun Kombëtar, mund të t'i shpjegojë me detaje, që nga veshja e Tropojës, me simotrat e veta në Tibet, tek punimet e zezë në të zezë të xhubletës me rreth 20 elementë, çdo njëra vepër arti në vetvete, qosteku i argjendtë i xhamadanit, tokaja me shqiponjë, mëngët fluturake të këmishës së gruas gjirokastrite… Madje edhe lidhjen tradicionale të shqiptarëve me argjendin, "një lidhje hyjnore me yjet, nga shpjegohet edhe Hylliricum". Një botë e tërë, që edhe atë vetë e tremb ndonjëherë. Por vazhdon ta mahnisë. "Fillon një punë nga një adhurim për këto objekte dhe thurr një ëndërr drejt një muzeu, që unë shpresoj ta realizoj".

Mes pediatrisë dhe etnografisë

Për të qenë nesër

Kur debatohet për fëmijët, për të drejtat e tyre, shëndetin mendor e fizik, Linda Spahija është e para. E thërrasin nëpër panele e debate mediatike, ku ajo me lookun e përhershëm, të bardhë, flokët e zinj të mbledhur dhe zërin e shtruar përpiqet t'iu zbulojë të tjerëve të fshehtat e botës fëminore. Pediatre dhe psikologe shumë e njohur, drejtuese shoqatash në ndihmë të fëmijëve në nevojë, Spahiu i është futur një tjetër rruge, asaj të koleksionimit të objekteve etnografike. Sipas saj, edhe pse duket e çuditshme, ka një lidhje të veçantë mes profesionit të saj primar, që ka në qendër fëmijën dhe atë të mbledhjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kombëtare. I vjen sërish në ndihmë një fëmijë për të treguar këtë lidhje. Një vajzë 10-vjeçare, "e bukur, e brishtë, si një ikonë, me duar të lidhura mbrapa", e cila viziton atelienë e saj në vizitën e parë në Tiranë, qytetin e prindërve artistë, me banim në Milano.

Teksa i tregonte për veshjet dhe mënyrën sesi janë krijuar, i thotë ta prekë qëndismën. E preku dhe filloi të dëneste. E ëma i shpjegoi, se në Milano, kur me shkollën vizioi një muze, tentoi të prekte mëndafshin e një fustani. U ndezën alarmet e u mblodhën rreth saj rojet e sigurimit. Vetëm dy javë më pas vjen në Shqipëri dhe i thuhet: preke sepse është e Shqipërisë tënde. Kjo ngjarje e tronditi pediatren. "Fëmijët e vegjël sëmuren, kur kanë konfuzion të unit, që vjen nga gjuha e nënës. Fëmijët 3-7 vjeç sëmuren kur nuk kanë kuptueshmëri të shkallinave, që bëjnë për kapërcimin e narcizmit primar. Është një problem gjuhësor, që u cënon unin. Trashëgimia popullore e shpërfillur dhe e panjohur cënon unin e ne të gjithëve", - thotë Spahija. Sipas saj, prindër të mjegulluar shpirtërisht dendësojnë një kontigjent fëmijësh të çorientuar në këtë rrafsh. "Fëmijët e vegjël sëmuren me bajame, për të treguar që aty u ka ngecur moskuptimi (rrënja e gjuhës që përçon tinguj). Këtu i ka mbetur edhe shoqërisë shqiptare moskuptimi.
 
Vajza e vogël ishte me fat që prindërit ishin intelektualë dhe në vizitën e tyre në Shqipëri e çuan tek shtëpia e vjetër e gjyshes dhe në atelie, ku e shpërtheu stresin e saj, kurse fëmijë të tjerë heshtin. Gjithmonë u them nënave: trembuni nga fëmijët që heshtin. Sepse ujërat e qeta shembin urat. Në këtë kuptim, njohja e së djeshmes tënde është domosdoshmëri për të qenë nesër, pa patologji. Ne duam të hyjmë në Evropë. Mjafton të kesh pasaportën dhe portretin tënd dhe je automatikisht brenda të ndryshmëve, që janë njësoj. Është shumë më e gjatë dhe më indore lidhja mes psikës dhe kulturës, por është lidhja më e vërtetë".

 

Alma Mile - Gazeta Shekulli
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama