Kur hedh vështrimin para tridhjetëve, nuk mund të harroj se bashkë me ne ishte për specializim për periudhën pasuniversitare, (dyvjeçare), për historinë e lashtë dhe për arkeologjinë, edhe një shkrimtarë i njohur. Në atë kohë pedagogët tanë ishin të mirënjohurit profesorët: Aleks Buda, Muzafer Korkuti, Hasan Ceka, Skënder Anamali, Frano Prendi, Aleksandra Mano, Neritan Ceka, Zhaneta Andrea, Bep Jubani, Selim Islami etj. Më 11 mars të këtij viti, në praninë e familjarëve dhe personaliteteve të jetës kulturore, shkencore, politike etj., akademiku, profesori ynë i çmuar, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti, mbajti një fjalim pikant në ceremoninë e vendosjes së bustit të profesorit të shkëlqyer Aleks Budës. Personalisht ndjeva ndjesi të rralla për ketë personalitet të shquar e të paharrueshëm. Mua dhe shokun tim prof.dr.Luan Përzhitën, drejtorin aktual të Institutit të Arkeologjisë, na ofroi të futemi në rrugën e gjatë e të vështirë, por mjaft tërheqëse të arkeologjisë, pikërisht ky ish-kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe profesorët e tjerë të nderuar.
Në atë ceremoni ishte dhe Moikom Zeqo, një nga penelatat e artit, kulturës e shkencës shqiptare, të cilin nuk kishe kohë ta takoje, se e donin shumë të tjerë të komunikonin me të, edhe ai vetë ka qenë mjaft i lidhur me profesorin e paharrueshëm. E di shumë mirë që Moikom Zeqo ka shkruar rreth 100 libra. Një nga veprat më të mëdha që shkëlqenin në panairin e fundvitit që kaloi, pa asnjë mëdyshje është vepra e tij, “ De Rada “Rishpikja e Arbërisë”, të cilën pa pretenduar shumë si njohës i veprave letrare, do e veçoja si më të mirën e tij. Me trashëgiminë kulturore të arbëreshëve të Italisë, me gjuhën dhe kulturën e tyre janë marrë shumë studiues, punimet e të cilëve janë pasqyruar si në monografi të veçanta, vlerësime, qëmtime, artikuj në revista shkencore dhe ato të shtypit periodik, tekste të arsimit parauniversitar, të lartë etj. Në këto studime pa mëdyshje shquhen ato mbi një nga prometët e Rilindjes sonë Kombëtare, Jeronim de Radën, që nga ish-nxënësi i tij, vigani i lirisë Luigj Gurakuqi, të mëdhenjtë E.Çabej, Dh.Shuteriqi, F.Konica, I.Kadareja, D.Agolli, R.Qosja, J.Kastrati, Klara Kodra, Kamsi, Guatilieri, arbëreshët Altimari, Mandola etj. Natyrisht lexuesi shqiptar bazuar në këto botime ka marrë një informacion relativisht të pasur për këtë figurë të shquar. Vepra e Moikom Zeqos ndërkaq ka një mënyrë të konceptuari e shtjelluari mjaft të rrallë, brilante. Ky eruditë i jashtëzakonshëm, poliglot i diturisë, lëvrues i të gjitha llojeve të shkrimit letrar, prozë, poezi, ese, përkthyes etj., shkrimtar, arkeolog, publicist, i vlerësuar me tituj të lartë nderi, ish-deputet, ish-ministër, mbrojtës i vlerave të luftës nacionalçlirimtare, një ish i burgosur politik në Mal të Zi bashkë me kryetarin e Partisë Unitetit Kombëtar Idajet Beqirin në vitin 1994, mik i korifenjve të letërsisë së sotme shqipe, në ketë vepër kulmon dhe dëshmon se është dhe mbetet një penë e artë e kulturës sonë kombëtare.
Meritë e padiskutueshme e këtij autori, krahas njohurive që zotëron, është padyshim shfletimi dhe studimi në origjinal i veprave të De Radës dhe e një bibliografie mjaft të pasur. Thellësia e tij gjen shprehjen në togfjalëshin kuptimplotë “Maja e ajsbergut është e dukshme, pjesa tjetër më e madhja është e padukshme”… “Libri është konceptualizimi i një substance, i kërkimit të së vërtetës”. Përmes kësaj vepre prej 400 faqesh, Mokimo Zeqo ka ofruar një lëndë të re mbresëlënëse, që të tërheq pa masë në leximin e saj dhe ofron jo vetëm dëshmi të reja historike, por dhe risi artistike mjaft të arrira. Me një energji të pashembullt, vullnet konstant për krijimtari pa shterim, me një mjeshtri të rrallë, autori analizon romantizmin evropian, duke depërtuar thellë në vetëdijen intelektuale të një brezi të shkëlqyer shkrimtarësh e dijetarësh të shekullit XIX e XX, duke e quajtur lëvizjen romantike, apo romantizmin me një ndikim të fuqishëm në shekullin e XIX dhe atë të XX e deri në ditët tona, “të paimitueshëm e të pakrahasueshëm”. Kështu ai ndalet në romantikët gjermanë, francezë, anglezë, amerikanë etj. Te kjo vepër spikat fuqia kreative e mesazhit që përcjell, mënyra shumëdimensionale e renditjes së jetëshkrimit, prodhimit të veprave të De Radës, krijimtarisë së tij, me kryeveprën “Milosao”, përkushtimin atdhetar, studimet gjuhësore etj. Ndër lidhjet e De Radës autori vendos në qendër të vëmendjes së lexuesit ato me shkrimtarë e poetë evropianë.
Ndër më të spikaturit përmendet takimi i De Radës me poetin e famshëm francez Alphonse de Lamartine, i cili flet “për një vëllazëri poetike” dhe pasi ka lexuar poezitë e De Radës ai shkruan: “Poezia ka ardhur nga brigjet dhe aty duhet të kthehet”. Viktor Hygo një nga majat e kulturës botërore ka njohur krijimtarinë e De Radës. Kjo vërehet edhe në një letër, kur babai i De Radës, Mikele, më 5 janar 1840 e këshillon të birin t`i dërgojë një kopje të “Odeve Shqiptare” Viktor Hygoit. Zeqo vë në dukje se arbëreshi Vincens Dorsa përmend lëvdatën e Viktor Hygoit për De Radën, në një artikull të botuar në vitin 1843 në periodikun e Kozencës ku thotë: “Viktor Hygoi ka thënë se: Ai që dëshiron të shohë realizimin e përkryer të poezisë moderne romantike, të lexojë Këngët e Milosaos të Zotit Jeronim De Rada”, të cilin e quan “një poet origjinal dhe sublim”. Pavarësisht nga interpretimet e bëra nga autorë të ndryshëm lidhur me këto thënie, mjaft sinjifikative është kërkimi i bërë nga studiuesi shqiptar Dashnor Kokonozi, i cili kur shkoi në ishullin Xhersi, ku Hygoi kishte qëndruar mbi 20 vjet i internuar, gjeti një shënim që në bibliotekën e Hygoit ka qenë vepra e De Radës, “Këngët e Serafina Topias”. Frederik Mistrali , poeti i shquar i shekullit XIX, nobelist në letërsi, në letrën e 16 majit 1885 dërguar De Radës, në mes të tjerash, shkruan:“..krijimet tuaja janë plot hijeshi, freski e qetësi ungjillore... Ju përgëzoj, zotëri që i keni përkushtuar muzën tuaj, dashurinë tuaj dhe jetën tuaj kultit të gjuhës suaj amtare… Poezitë tuaja të kulluara e të përshpirtshme janë monumente të atdheut tuaj”. Një vëmendje të posaçme M.Zeqo i kushton poetit të shquar të shekullit XX, Guillaume Apollinaire, për të cilin thekson se “ai kërkon diçka më shumë se epoka e tij. Revolucionarizimin e poezisë franceze” dhe flet për lidhjen e tij me Faik Konicën.
Ky poet thotë se: “Shqiptarët janë sot ndoshta më të pastrit indo-europianë”. Po ky autor përmend dhe De Radën kur shkruan:“Kohët e fundit me rastin e përvjetorit të poetit Jeronim de Rada, u hap në Napoli një fushatë ndihmash për t`i ngritur një statujë, atij që nga mesi i shekullit të kaluar ishte nismëtari i Rilindjes Shqiptare”. Duke analizuar romantizmin shqiptar M.Zeqo parashtron në ketë vepër në mënyrë lakonike sfondin historik shumëshekullor osman në trojet tona, tiparet e romantizmit shqiptar, vështirësitë e tij në Shqipëri dhe arrin në përfundime të rëndësishme për shekullin e XIX, ku me të drejtë e quan ketë shekull, shekulli më i madh për shqiptarët. Në krahasimin që i bën me shekullin e XV-të Skënderbeut, shekullin e XIX e cilëson si rilindje, përsa i përket vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, pasi kemi të bëjmë pikësëpari në romantizmin shqiptar që është në vetvete krijimi i letërsisë moderne shqipe dhe në lëvizjet politike, siç është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndaj kjo epokë është quajtur Rilindja Shqiptare. Duke vlerësuar shekujt paraardhës letrarë nga Meshari Gjon Buzukut deri në shek.XIX si element shumë të rëndësishëm, autori arrin në përfundimin se romantizmi shqiptar përfaqësohet nga De Rada dhe Naim Frashëri, ku të parin e cilëson “Ati i madh i romantizmit shqiptar” dhe të dytin “një At binjak”. Gjatë trajtimit të figurës së De Radës e veprave të tij , Moikomk Zeqo ndalon në romantizmin deradian, të cilin e veçon në “romantizmin shqiptar” të shek. XIX. Moikom Zeqo admiron punën e bërë nga paraardhësit e mëdhenj për De Radën, kur vlerëson mënyrën konceptuale të të shkruarit të tyre, por nuk nguron dhe të kritikojë ndonjë prej tyre, që krahas vlerësimit atdhetar ka “gati një mungesë të plotë mosvlerësimi për artin e De Radës”.
108 letërkëmbime
Në veprën e Moikom Zeqos një vend të veçantë zënë letërkëmbimet e shumta të Dora D`Istras me Jeronim de Radën. Gjatë viteve 1858-87, për 28 vjet ajo ka shkëmbyer me të 108 letra. Kjo zonjë e shquar ka luajtur rolin e saj në njohjen e veprës së De Radës në qarqet evropiane, siç vë në dukje autori, kur shpjegon se nga ajo kopje të “Milosaos” ju dërguan poetit austriak Frederik de Holm apo albanologut të shquar J.G.Han etj.
Në një letër të Dora D`Istras që mban datën 4 mars 1866 që i drejtohet De Radës ajo ka theksuar: “Gjuhëtarët e këtyre vendeve (në Gjermani dhe në Francë) e shikojnë tani gjuhën shqipe, jo si gjuhë semitike, por si gjuhë indoevropiane dhe madje shumë prej tyre, janë të prirur ta klasifikojnë atë në degën pellazgjike të idiomave indoevropiane”.cSipas kësaj zonjë të nderuar vetë Garibaldi ka thënë se i detyrohet shumë “Prodi generosi Albanezi” (Trimave bujarë shqiptarë).
Falë shfletimit të një bibliografie të gjerë Moikom Zeqo në këtë vepër ka arritur të parashtrojë para lexuesit epokën, përmes skanimit të gjendjes sociale ekonomike e politike, paraqitjen e kësaj historie si një zgjatim të gjeografisë, jetën shpirtërore të De Radës, tronditjen e saj, vetë dyzimin e tij në momente të caktuara, konceptet estetike të tij etj. Duke u thelluar në kontributorët e shumtë të artit, kulturës e shkencës shqiptare, në përpjekjet në vijimësi për t’u integruar në Evropë, pa diskutim vepra dinjitoze si kjo e Moikom Zeqos “De Rada “Rishpikja e Arbërisë”, i shërbejnë të sotmes e të ardhmes, që kultivon vlerat që populli ynë ka krijuar në shekuj. I vetëdijshëm edhe në mangësitë e këtij artikulli për një këndvështrim më të thelluar të kësaj vepre, pavarësisht nga leximi që meriton shumë më tepër, jo vetëm të lexohet, por të studiohet, më vijnë ndërmend shprehjet e shkrimtarit të madh Italian dhe botëror Umberto Ekos që ka thënë: “Unë mendoj se libri duhet gjykuar dhjetë vite më vonë pas të lexuarit dhe të rilexuarit të tij”.