Vendim Kapaj dhe rrugetimi me fyellin magjik 300-vjecar

Vendim Kapaj dhe rrugetimi me fyellin magjik 300-vjecar

Dy muaj më parë, mjeshtri i fyellit, Vendim Kapaj, u vlerësua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin “Mjeshtër i Madh”, krahas mjaft emrave të tjerë të njohur të folklorit në Shqipëri. Ky titull ishte për Kapajn, shpërblim i kontributit dhe arritjeve të tij, në fushën e trashëgimisë shpirtërore, i asaj rruge që nisi në fëmijërinë e tij me një ëndërr. Të dilte në radio, ëndrra e fëmijërisë Në ato vite të largëta të fëmijërisë, ai kishte një ëndërr; të dilte në radio! Ishte një ëndërr, që, për mjaft bashkëmoshatarë të asaj kohe, mbetej e tillë deri në fund. Por, Vendim Kapaj, e realizoi. Madje shumë, më shumë se kaq.

Sot, pas kaq vitesh, mjeshtri i madh i fyellit, qesh me këtë. I kujton, me nostalgji ato vite të largëta dhe atë “ëndrrën” e tij, që nuk e linte për asnjë çast të qetë teksa gërmonte në rekuizitat e familjes, aty ku do të gjente mjetin që do ta bënte të njohur. Duhet të hysh në kontekstin e asaj kohe, për të zhbiruar në ngarkesën që përcjell një raport i tillë me jetën dhe synimin e gjithsecilit në të. Dhe në ato rekuizita, do të niste për djaloshin, rruga e tij drejt artit, drejt skenave ku ai do të mahniste me talentin e vet. Instrumenti i interpretimit, një fyell tunxhi 300-vjeçar Një fyell prej tunxhi, 300-vjeçar, a ndoshta më tepër, ngacmoi imagjinatën e 7-vjeçarit, në ato vite të largëta. E gjeti diku, në një sënduk, ashtu, të mbushur me pluhurin e kohës, gjatë të cilës kishte qëndruar i fshehur. Gjyshi, stërgjyshi, paraardhësit e tij, që e kishin ndërtuar atë instrument, tashmë nuk jetonin. Por, jetonte dhe do të vazhdonte të jetonte emri që ata kishin lënë. Dhe ai fyell, që do të prodhonte tinguj të magjishëm edhe atje, ku imagjinata e tyre as që do të guxonte të shkonte.

Sot, fyelli është po ai. Paksa i dëmtuar, por i rrallë. I rrallë në konstrukt dhe në tingujt që nxjerr. Por, mbi të gjitha në vjetërsinë e tij. Sepse një instrument i tillë, i vjetër, nuk ka sesi të mos nxjerrë tinguj hyjnorë. Por, ata marrin vlerë, një vlerë tjetër, sepse dalin nga shpirti dhe ëndrra shumëvjeçare e mjeshtrit, Kapaj. Vendimi, sot 56-vjeçar, ka një arkiv të pasur artistike. Ka shkuar dhe ka interpretuar në dhjetëra skena, brenda dhe jashtë vendit. Gjeografia e “udhëtimeve” të tij artistike, është e gjerë. Ndoshta si e askujt tjetër. Por, i pakrahasueshëm, është arti që ai prodhon, mënyra se si ai e mban fyellin. Mjafton ta vendosë në njërin prej dhëmbëve të tij! dhe, më pas, gjithçka humbet pas atyre tingujve hyjnorë, që duket sikur vijnë dhe sjellin në veshët e dëgjuesve, natyrën e pafundme, gurgullimën e burimeve të ujit.

Në Festivalin Botëror në Francë, specialistët: Të kontrollohen dhëmbët e instrumentistit shqiptar

Historia e Vendimit është mjaft interesante. Ka në të edhe momente, që arrijnë deri në situata paradoksale, sikundër ajo që ndodhi në Festivalin 17 të Folklorik Botëror, që u zhvillua në Francë, në kuadrin e përvjetorit të ndërtimit të Kullës Eifel dhe Revolucionit Borgjez Francez. Të mrekulluar nga mënyra e interpretimit, e pahasur më parë, specialistët mosbesues, kërkuan të verifikonin vërtetësinë e këtij interpretimi. “Dyshonin se unë mund të kisha instaluar diçka te dhëmbët...”, tregon edhe sot duke qeshur, Vendimi. Në ato vite të largët, fotoja e tij, mbushte mjediset publike ku zhvillohej aktiviteti, ku ai cilësohej një fenomen në artin e tij.

Në skenat e folklorit botëror

Vendimi nuk i është ndarë dhe nuk do t’u ndahet asnjëherë skenave të festivaleve. Ai është bërë pjesë e pandarë në aktivitetet më të mëdha që zhvillohen sot në Shqipëri dhe në Evropë, në fushën e folklorit. Vendimi nuk arrin të numërojë pjesëmarrjet në këto evente. Ato janë shumë, dhjetëra e, ndoshta, qindra. Themelorja për të, është fakti që, në çdo pjesëmarrje, ai përcjell diçka të re, tinguj të rinj, melodi të tjera. Janë ato melodi, që shpesh, shumë shpesh, përfshihen në sfondin dhe strukturën e këngëve me bazë folkun, që interpretohen nga këngëtarë e këngëtare të njohura. Dhe, për të kjo është gjithashtu një tjetër përvojë, pjesë e rekuizitës më shumë se 40-vjeçare artistike të mjeshtrit vlonjat të fyellit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama