Vemendja faktor kyc per nje kujtese te shendetshme

Vemendja, faktor kyc per nje kujtese te shendetshme

“Nuk ekziston një ilaç që zgjat jetën apo që bën mrekulli të pamundura, por ekzistojnë mënyrat për një jetë të shëndetshme, bazuar në arritjet e shkencave biokimike dhe të atyre të sistemit nervor”, konkludon A. Oliverio, profesor psikologjie në universitetin “Sapienza”, Romë.

Pra, një kujtesë e mirë varet nga një stimulim i përshtatshëm i mendjes dhe bagazhit që ka akumuluar truri. Sikurse thonë amerikanët: “Use it or lose it!”

Nuk ka dyshim se çdo moshë ka një mënyrë të vetën të të logjikuarit dhe vepruarit, ndaj nuk habitemi nëse një fëmijë, një i ri apo e re, një njeri i pjekur apo një i moshuar mendojnë dhe sillen në mënyra të ndryshme.

Një nga faktorët kyç për një kujtesë sa më të mirë është vëmendja. Të kujtuarit e diçkaje varet në një masë të madhe prej saj: kur jemi të motivuar dhe të vëmendshëm, përvoja mbetet e ngulitur më mirë në mendjen tonë.

Një artikull gazete kujtohet shumë më mirë kur përqendrohemi në disa aspekte kritike të tij, fiksojmë disa pika kyçe dhe kur rastësisht kemi mbajtur shënime anash tekstit, sikurse bëjnë shumë profesionistë të informimit. Pra, të kushtuarit e vëmendjes qëndron në themel të kujtesës. Nuk duhet të demoralizohemi nëse nuk kujtojmë një detaj të caktuar, pasi mund të jemi, për shembull, dashamirës sporti, dhe mbajmë mend një mori të dhënash rreth ekipit zemrës. Thjesht, nuk tregohet vëmendje për atë që nuk shfaqim interes dhe ndaj së cilës nuk jemi të motivuar.

Për të kujtuar më mirë apo për të luftuar dobësimin e kujtesës, thjesht duhet të forcohet vëmendja. Aftësia për t’u përqendruar dhe kujtesa mund të përmirësohen duke mbajtur një qëndrim “aktiv”. Kemi të bëjmë me rritjen e asaj që psikologët e quajnë “vëmendje selektive”, e cila lidhet ngushtësisht me përfshirjen e shqisave përmes të cilave marrim mesazhin. Çka do të thotë: t’u kushtojmë vëmendje më të madhe karakteristikave pamore, dëgjimore, të shijes, të nuhatjes apo të prekjes.

Pra, lind pyetja: Kur duhet të fillojmë të bëjmë kujdes për shëndetin e kujtesës sonë? Përgjigjja është: Sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk duhen grumbulluar një sërë veprimesh të dëmshme, nuk duhet nënvleftësuar shëndeti i trupit, por mbi të gjitha duhet ushqyer truri me stimujt që ka nevojë.

Nuk është asnjëherë vonë për të korrigjuar dëmet që mund të shkaktojë koha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama