Veliaj prezanton programin per mjedisin

Veliaj prezanton programin per mjedisin

Kandidati i Partisë Socialiste në Tiranë Erjon Veliaj, ka prezantuar sot programin e tij për mjedisin në kryeqytetet, të cilin ai e cilësoi si qytetin më të ndotur të Europës e për këtë nuk ngurroi të fajësojë të djathtët që drejtuan bashkinë për katër vjet.

“Për çdo qytetar që është çuar sot në mëngjes dhe ka lexuar faqet e para të të gjitha gazetave, nuk është habitur pse jemi këtu ku jemi. Në një qytet ku e vetmja punë që kryetari i bashkisë ka bërë në 4 vjet, është që i ka dhënë leje vetes së vet për të ndërtuar katin e 13 aty ku ka shtëpinë në katin e 12, nuk ke çfarë pret tjetër. Një kryetar bashkie që jeton tërë kohën në Holandë, vjen në Shqipëri si turist dhe kur vjen ka vetëm dy arsye: ose t’i japë leje ndërtimi vetes së tij duke shtuar ndotjen e duke rritur betonizimin e qytetit ose të thërrasë ‘te sheshi te sheshi’.

Ne nuk na duhet një kryetar bashkie që punon vetëm për veten, nuk na duhen njerëz që qëllimin e vetëm kanë si të shtojnë katet e shtëpive apo klinikave të tyre. Ne na duhen njerëz që janë në Tiranë 24 orë në ditë dhe 7 ditë të javës, në krye të punës”, deklaroi Veliaj, duke iu referuar publikimit në media të një lajmi ku thuhej që bashkia i ka dhënë leje Bashës që të shtojë edhe një kat në pallatin ku jeton.

Sipas Veliajt, qyteti që kemi sot është dëshmi e kësaj katastrofe, e faktit se zgjedhjet në 2011 u vodhën. “Ndërkohë që, ja ku jemi sot pas 4 vitesh, të vetmit që ishin të parët ishte kryetari i bashkisë, Shkëlzeni me kalë, ndërtimet te diga e Liqenit dhe të gjithë doktorët që ndërtuan klinika ku s’kalon dot asnjë ambulancë apo zjarrfikëse. Ky është realiteti i qytetit që kemi trashëguar sot”, deklaroi Veliaj.

Duke shpjeguar programin e tij për të ulur ndotjen mjedisore në Tiranë, Veliaj tha se do të reduktohet trafiku, nëpërmjet promovimit të përdorimit të mjeteve alternative të transportit dhe duke shtuar sipërfaqet e gjelbra. Ai tha se qyteti do të pastrohet rregullisht, mbeturinat do të mblidhen në orare, si dhe do të vendosen sistemet e detyrueshme të filtrimit, do të ndërtohet një impiant për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve, por edhe ndërtimi i një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza.

Pikat e programit kundër ndotjes mjedisore:

- Reduktimi i trafikut, promovimi i përdorimit të mjeteve alternative të transportit dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbra.

- Garantim i pastërtisë së rrugëve dhe hapësirave publike.

- Mbledhje e mbeturinave në oraret me më pak lëvizj.

- Vendosja e detyrueshme e sistemeve të filtrimit.

- Ndërtim i një impianti për përpunimin dhe riciklimin e mbetjev.

- Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Tiranë.

- Ndërtim i një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama