Veliaj Te diga e Liqenit nuk do kete me leje ndertimi. Pike!

Veliaj: Te diga e Liqenit nuk do kete me leje ndertimi. Pike!

Erion Veliaj, kandidat i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, deklaroi sot se në zonën e “Don Boskos” nuk do të lejohet asnjë ndërtim. Nga zona e Dajtit, ku prezantoi programin e tij për atë pjesë të Bashkisë së re të Tiranës, Veliaj deklaroi se pas 21 qershorit nuk do të jepen më leje ndërtimi dhe as do të ndërtohet as te diga e Liqenit dhe as në Don Bosko.

“Dua që edhe sot të flasim troç. Dje kemi pasur një protestë legjitime nga komuniteti katolik i Shqipërisë, që drejton qendrën Don Bosko, e cila ndodhet në qendër të Tiranës dhe ku zhvillohen kurse profesionale dhe ushqehen fëmijët e rrugës. Aty kemi hapësirën e vetme të gjelbër që ka mbetur në atë lagje dhe ku pretendohet nga bashkia aktuale që do të ndërtohen pallate. Ta themi qartë dhe ta themi fort: Sa të jem unë kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk do të ketë leje ndërtimi te Qendra Don Bosko”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se në datën 21 qershor Tirana do t’i largohet kërcënimit të betonit. “Për këtë është shumë e rëndësishme të jemi të qartë dhe të mos bëjmë retorikë. Meqë kemi folur troç për ndërtimet te diga e Liqenit, një ndërtim që u ndalua falë presionit të qytetarëve, ta themi sot qartë e ta dëgjojnë shumë mirë edhe populistët dhe pseudopolitikanët dhe të 5 kandidatët e SHQUP-it: Te diga e Liqenit nuk do ketë më leje ndërtimi. Pikë! E kam thënë 100 herë dhe e them 101 herë dhe sa herë që duhet të dëgjohet”, deklaroi Veliaj.

Më pas ai shtoi se njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë për problemet dhe shqetësimet që diskutojnë në tavolinën e bukës. “Ata le të merren me votat e partisë, por ne do t’i kërkojmë çdo të majti dhe të djathti, i cili në tavolinën e bukës nuk e vret mendjen për kalin e Zenit apo katin shtesë të Lulit, por e vret mendjen për kopshtin, çerdhet dhe shkollat për fëmijët e tyre”, tha Veliaj.

Pikat e programit për Dajtin:


    Mbulimi i Dajtit me linja Transporti Publik;

    Kthejmë Dajtin në një nga destinacionet më tërheqëse turistike;

    Kthejmë në atraksione turistike Kalanë e Dajtit dhe vendbanimin ilir të Qytezës në Tujan;

    Rikonstruktojmë urën e Brarit;

    Ndërtojmë një shkollë të re të mesme në Shishtufinë;

    Rikonstruktojmë shkollën 9-vjeçare në Ferraj;

    Hapim një Qendër Shëndetësore me shërbim 24 orë në Qesarake;

    Rikonstruktojmë Rrugën nga Uzina e Traktorëve-Lanabregas;

    Sistemojmë rrugët e brendshme të Priskës dhe rikonstruktojmë rrugën Priskë-Darshen;

    Sistemojmë kanalet vaditëse të fshatrave Brar, Ferraj e Linzë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama