Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u takua me banorë të njësisë nr. 5 dhe nr. 2 në Kryeqytet, me të cilët ndau shqetësimet për gjendjen e rrugëve, zënien e hapësirave publike, problemin e parkimeve dhe mungesën e ujit të pijshëm. Banorët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e lulishteve mes pallateve, por edhe zënien e hapësirave nga makinat.
“Hiqini depozitat se u helmuan njerëzit”, shprehu shqetësimin e saj një banore e njësisë nr.5. “Duam që kjo hapësira të kthehet në gjendjen e mëparshme, pra në lulishte për fëmijët dhe të moshuarit… Tani ka mbetur gjysma se gjysma tjetër është bërë parking”, tha një tjetër.
“I gjithë blloku këtu është amortizuar, ndaj kush i ka zënë lulishtet për t’i bërë parking, do ta kthejmë sërish në lulishte. Çdo pallati do t’i vëmë një administrator dhe ai do të raportojë menjëherë në bashki për çdo problem, në mënyrë që edhe investimet të ruhen”, u përgjigj Veliaj.
Shqetësimit për mungesën e kapakëve të pusetave nëpër rrugë, ai iu përgjigj se do të kujdeset që në ditët e para, për mbylljen e tyre. “Ky është qyteti i vetëm ku njerëzit bien nëpër puseta”, tha Veliaj.
“Pyetja që unë kam është: Si jeton Dr. Halimi në këto kushte? Në qoftë se standardi i Halimit është që ta bëjë Tiranën si lagjen ku jeton edhe vetë, është turp i madh. Prandaj them, duhet të jetë siklet shumë i madh që të jesh kandidat i SHQUP-it, ta kesh lagjen në këtë gjendje dhe të kërkosh votat e njerëzve”, tha Veliaj, duke kaluar në zonën ku banon kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës.
“Ja kjo është gjendja, ja ky është problemi, se gjysma e parkut është zënë nga muret e këtij. Flasin për ndershmërinë, për sinqeritetin e tij, banorët thonë po ku?”, u shpreh një banor.
Një tjetër shtroi problemin e hipotekimit të pallateve, duke vënë në dukje se kryebashkiaku aktual nuk e mbajti premtimin e dhënë 4 vjet më parë. “Pra, ato 350 pallatet që premtoi se do t’i hipotekonte në 4 vjet, nuk e bëri. Në bashkinë e re, pallatet që janë bllokuar për hipotekim do t’i zhbllokojmë”, tha Veliaj.
Në njësinë nr.2, banorët shprehën shqetësimet e tyre për ndërtimet, trotuaret, dhe parkimet. Sipas tyre, bashkia nuk treguar asnjë vëmendje ndaj kësaj zone. “Siç e shikon, ne jetojmë akoma këtu si në mesjetë, me gardhe…”, thanë ata.
“Kemi identifikuar të gjitha hapësirat që ose janë uzurpuar ose janë kthyer në parkingje ilegale, të cilat me pak punë do t’i kthehen komunitetit. Pra, nëse komuniteti do parking, do të bëhet parking, nëse do lulishte do të bëhet lulishte. Vetëm te kjo lagje kemi identifikuar 27 hapësira që do të kthehen në parkim për komunitetin”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se do të jetë i përkushtuar duke i ndenjur çdo pune te koka dhe kërkoi bashkëpunimin e komunitetit që investimet e Bashkisë të mos vandalizohen.