Veliaj Ndertojme parku qendror 6 here me te madh se parku Rinia

Veliaj: Ndertojme parku qendror 6 here me te madh se parku Rinia

Punimet për ndërtimin e zgjatimit të bulevardit të ri po ecin me hapa të shpejtë ndërsa lajmi është konfirmuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj i cili gjatë ditës së sotme inspektoi këtë zonë.

Gjatë fjalës Veliaj tha se në bulevardin e ri do të ndërtohet një park qendror 6 herë më të madh se parku Rinia ndërsa shtoi se stacioni i vjetër i trenit do të kthehet shumë shpejt në një stacion transporti urban qytetas.

“Kemi marrë një vendim që në mes të bulevardit të kemi një park qendror, shumë i ngjashëm me atë që qytetarët kanë parë në Nju Jork ose në qytete të tjera të rëndësishme të botës. Vendimi i parë i marrë nga bashkia për këtë projekt ishte pasja e një parku qendror, rreth 6 herë më të madh se parku “Rinia”, i cila vjen në dobi të qytetarëve dhe shton vlerën e pronës në këtë zonë të Tiranës. Qytetarët e njësisë nr. 11 kanë nevojë që bulevardin, bashkë me zhvillimin dhe urbanizimin që sjell ai, ta shohin edhe si një hapësirë argëtuese dhe çlodhëse”, deklaroi Veliaj.

Paralelisht me projektin e ri të zgjatimit të bulevardit, Bashkia e Tiranës do të nisë punimet edhe për ndërtimin e një parkingu me kapacitet 400 vende, i cili do ta kthejë stacionin e vjetër të trenit në një zonë transporti urban qytetas. Gjatë inspektimit të punimeve në bulevardin e ri Veliaj falenderoi familjet tiranse, të cilat janë treguar shumë bashkëpunuese për çështjen e shpronësimeve, në mënyrë që puna të ecë më shpejt.

“Një tjetër lajm i mirë për qytetarët është se shumë shpejt fillojmë punimet për parkingun 400 vendesh në zonën ku sot ndodhet stacioni i vjetër i trenit.Ne do të marrim masa që, ashtu siç vepruam te Liqeni Artificial, të sistemojmë të gjitha familjet, qofshin këto të komunitetit rom, apo të komuniteteve të tjera, në banesa të ngjashme ose më të mira se ato që kanë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se po rinegociohet kontrata me fondin Abu Dhabi, që qyteti të mos rëndohet nga interesat financiare, të papërballueshme për financat e bashkisë. Ai sqaroi se, bashkia do ta kthejë stacionin e trenit në Tiranë, jo në stacion mallrash, por në shërbim të transportit publik.

“Po gjejmë konsensus për të ulur pak normat e interesit dhe për t’u siguruar që kontrata të zgjatet. Kjo na lehtëson edhe mënyrën se si ne bëjmë pagesat dhe financimin nga Bashkia e Tiranës. Kjo zonë do të jetë një stacion urban qytetas për pasagjerë, kurse procesimi i mallrave do të ndodhë jashtë Tiranës. Në asnjë vend të botës nuk ka nostalgji për të pasur përpunim mallrash në stacionin qendror të qytetit, prandaj do të rikthejmë stacionin e qytetit vetëm për pasagjerët”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës njoftoi se së shpejti do të ketë një prezantim të plotë të të gjitha ndryshimet që i janë bërë projektit të bulevardit të ri, i cili sot quhet projekti i “Parkut Qendror të Tiranës” dhe i “Parkut të Lumit të Tiranës”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama