Veliaj Me mire dikushi ne fshatin tim se sa nje rondele ne Amerike

Veliaj: Me mire dikushi ne fshatin tim, se sa nje rondele ne Amerike

Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se Shqipëria është një histori suksesi dhe jo një histori dështimi, dhe se ai po ndjek besimin e tij se Shqipëria mund të zhvillohet.

Veliaj beson se mund të jetë “një motor energjie në Shqipëri, qoftë ajo një energji rebele apo konstruktive në Shqipëri, në vend të një rondele në Amerikë”.

I pyetur për kategorizimin e politikanëve, në një intervistë për emisionin “Opinion”, Veliaj u shpreh se nuk ka asnjë kompleks për kryeministrin Rama, përkundrazi. Kandidati për Tiranën, theksoi se Rama për të është një histori suksesi, një njeri që punon nga ora 6 e mëngjesit deri në 2 të natës, dhe që ka vizion.

Pjesë nga intervista:

"Unë nuk kam asnjë kompleks që vlerësimin tim për Edi Ramën e kam siç e kisha ditën e parë, e kam dhe sot, sepse besoj që Edi Rama është një histori suksesi. Të gjithë njerëzit që ju thoni se mund të jenë të pakënaqur, kjo është një garë dhe duam apo s’duam Edi Rama e ka fituar këtë garë. Vezën e Edi Ramës deri sot nuk e bën njeri. Në sensin e një njeriu që punon nga ora 6 e mëngjesit deri në 2 të natës, e një njeriu që di të ngre ekip, e një njeriu që ka vizion dhe arrin ta vizatoj këtë vizion.

Se më the çfarë lë një njeri që hyn në politikë. Unë kam pasur dilema gjithë jetën time, s’jam njeri pa dilema. Mbaj mend kur vendosa të kthehesha nga Amerika, ku mund të kisha një jetë shumë më të mirë, edhe një jetë pa andralla, krahasuar me çfarë më priste në Shqipëri, që ishte komplet një gjë e panjohur, mund të kisha zgjedhur atë, por zgjodha sepse kam qenë gjithmonë i gatshëm të marr sfida, të provoj gjëra të panjohura, sigurisht kam pasur një pasion për Shqipërinë, unë besoj se Shqipëria mund të bëhet. Shqipëria nuk është një histori dështimi, Shqipëria mund të jetë një histori suksesi.

Kam besuar që më mirë të jem një motor energjie në Shqipëri, qoftë edhe ajo një energji rebele apo konstruktive sot në Shqipëri, sesa një rondele në Amerikë. Unë nuk i paragjykoj ato që vendosin të jetojnë jashtë. Preferova më mirë dikush në fshatin tim sesa një rondele në qytetin e dikujt tjetër. Nëse më pyet pse jam pjesë e këtij ekipi dhe çfarë lë pas, patjetër që njeriu lë pas një copë të jetës së vet. Njeriu akuzohet për gjëra që i bën me shumë pasion dhe paragjykohet për bashkëpunime që i vinë natyrshëm. Mua bashkëpunimi me Edi Ramën më vjen natyrshëm, për dy njerëz punëtorë vjen natyrshëm bashkëpunimi. Kur futesh në politikë paragjykohesh për gjëra që as nuk të shkon në mend që dikush do të paragjykoj".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama