Veliaj Do shtojme terrenet sportive dhe hapesirat e gjelbra

Veliaj: Do shtojme terrenet sportive dhe hapesirat e gjelbra

Nën moton “stop betonizimit të Tiranës”, kandidati i majtë për bashkinë e kryeqytetit u zotua para banorëve të njësisë 10 se do t’i riktheje Tiranës të gjitha hapësirat e zëna publike dhe do të krijojë shumë terrene sportive.

Veliaj tha se këto katër vjet motoja e bashkisë së Tiranës me Bashën ishte vetëm beton, ndërsa me ne, tha ai, do të jetë gjelbërim, pemë, lule dhe parqe.

Ai tha se do të krijojë për rinjtë më shumë terrene sportive si dhe më tepër hapësira të gjelbra pushimi larg ajrit të ndotur për të rriturit.

“Vendimi i parë i rëndësishëm është që ne do të bllokojmë ndërtimin në Tiranë për të respektuar moratoriumin e qeverisë dhe nga moto e bashkisë këto 4 vjet e cila ishte, beton beton beton, motoja jonë ndryshon dhe është gjelbërim, pemë, lule, lulishte, parqe. Ne do të fillojmë punën që në 300 ditët e para për të shtuar gjelbërimin dhe këto hapësira janë tek rruga “Islam Alla”, rruga “Hajdar Hiti”, rruga mes Rrugës se Kavajës dhe rrugës “Myslym Shyrri” që është edhe blloku më i betonizuar i njësisë 10”, tha ai.

Veliaj tha se do të zgjidhë gjithashtu edhe problemin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mbipopullimin e shkollave dhe kopshteve.

“Në qendër të Tiranës në vitin 2015 ose nuk kemi ujë ose uji i zi bashkohet me ujin e bardhë. Nga data 21 qershor zgjidhja është e thjeshtë: Kush është tek UK dhe do të merret me politikë të shkojë tek partia, kush do të punojë  në Tiranë do i rrijë punës tek koka që Tirana të ketë ujë. Ne kemi vendosur të hapim një kopsht të ri tek njësia 10”, tha ish-ministri i Mirëqenies Sociale.

Në përmbyllje të bashkëbisedimit me banorët e njësisë 10 Veliaj premtoi zhvillimin e projektit “Fondi i komunitetit “një koncept i ri që lindi nga dëgjesa publike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama