Shpikësi i mesazheve tekst, Matti Makkonen, i cili dha idenë i pari për dërgimin e sms-ve nëpërmjet rrjeteve mobile ka humbur jetën në moshën 63-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
“Babai i sms-ve” siç njihej ndryshe, ka refuzuar gjithmonë që të mbajë këtë pseudonim pasi, sipas tij në zhvillimin e kësaj teknologjie u përfshinë edhe shumë inxhinierë të tjerë.
Në vitin 2012, Makkonen u shpreh se besonte që dërgimi i mesazheve do të përhapet në të gjithë botën dhe do të zgjasë përgjithmonë. Duke folur për 20 vjetorin e dërgimit të mesazhit të parë tekst, shpikësi i mesazheve tha se e sheh zhvillimin e kësaj teknologjie për dërgimin e mesazheve si një mënyrë për të bashkuar njerëzit në të gjithë botën, dhe se ishte “Nokia” që e ndihmoi të popullarizonte këtë shërbim.
“Lançimi i vërtetë i këtij shërbimi, siç unë e shikoj, ishte kur Nokia prezantoi telefonin e parë që mundësoi shkrimin e mesazheve shumë lehtë (Nokia 2010 në vitin 1994),” tha “babai i sms-ve.