Vazhdon karriera ne SHBA per mirditoren Lisa Mrijaj

Vazhdon karriera në SHBA për mirditoren Lisa Mrijaj
Kur fitoi mandatin e parë, kryetari i Bashkisë së qytetit Yonkers, Philip Amicone, lëshoi një dekleratë zyrtare shpërndarë më 8 gusht 2005 për median amerikane dhe atë shqiptare në Nju Jork, ku ai njoftonte emërimin e shefes së re të stafit të tij. Aty mësuam se ajo ishte Lisa Mrijaj, një emigrante nga Shqipëria, bijë e një familjeje mirditore, një pjesë e familjes së të cilës kaloi vuajtjen më të rëndë nën sundimin e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Tomë Mrijaj, në SHBA kanë arritur një sukses të lakmueshëm nga çdo emigrant duke u mirintegruar dhe duke bërë karrierë. Në deklaratën e kryebashkiakut Amicone thuhej se ai kishte emëruar znj. Lisa Mrijaj si shefe të re të stafit të tij (Chief of Staff). Mirëpo, prej atëherë kanë kaluar tre vjet dhe Lisa e ka drejtuar me sukses këtë institucion, kyçur në kabinetin e bashkisë si asistente speciale. Tashmë ajo është përqendruar edhe në menaxhimin e zhvillimit ekonomik në Departamentin e Mbikëqyrjes së Çështjeve dhe atë të Sistemit shkollor, Policisë e Zjarrfikësve.

Kështu, shqiptarja nga Mirdita rizgjidhet përsëri për një mandat të dytë shefe e stafit të Bashkisë së Yonkersit, një minibashki e qytetit të 12 milionë banorëve. Në këto rrethana, Lisa është përgjegjëse edhe për mbarëvajtjen e bizneseve dhe interesave të qytetit Yonkers apo të bizneseve të tjera që ekzistojnë në këtë qytet. Ajo ka filluar të punojë prej vitit 1998 në zyrën e Zhvillimit Ekonomik dhe atë të Zhvillimit të Biznesit. Në këtë funksion dhe falë aftësive të veta, Lisa ka qenë përgjegjëse me punën e bizneseve. Kryebashkiaku i Yonkersit, z. Amicone, gjatë emërimit të saj është shprehur: “Jam shumë i gëzuar të deklaroj këtë emërim. Zonja Mrijaj në komunitet ka demonstruar dedikimin e saj për qytetin tonë. Duke punuar shumë mirë, së bashku me qytetarët ajo ka pasur sukses ngadhënjyes në të gjitha nivelet e kualitetet e biznesit në komunitet. Dedikimi i saj ka treguar vazhdimisht kualitet të lartë në shërbim të qytetarëve. Ajo ka qenë e dedikuar profesionalisht dhe unë jam i kënaqur që tani do të shërbejë në nivelin më të lartë zyrtar të qytetit tonë Yonkers”.

Znj. Mrijaj e ka filluar punën në qytetin e Yonkers para 20 vjetëve me një eksperiencë në biznesin e qytetarëve. Ajo ka shërbyer në disa detyra menaxhimi, si në sektorin privat me të moshuarit dhe në zyrat qeveritare “Federal Government to Fortune 500 Companies”. Lisa filloi të punojë në qytetin e Yonkers me kompaninë e sigurimeve shëndetësore “Empire Blue Cross Blue Shield”, ku për 12 vjet ajo dhe stafi i kësaj kompanie aktivizuan projektin e quajtur “Project Management Positions”.

Nga Nju-Jorku, Beqir SINA  : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama