E ndjera nëna ime ishte shumë besimtare. Mund t’ju them se ajo kishte shpirt shumë të mirë dhe ka vdekur Natën e Kadrit. Kjo ka qenë shumë domethënëse për mua. Unë kam 15 vjet që e mbaj Ramazanin dhe mendoj se është detyrim për të gjithë besimtarët muslimanë. Nuk jam tip që i ndjek të gjitha ritet e fesë, por kur kam mundësinë, respektoj ato më kryesoret.
Një këngëtare ka një ritëm të caktuar veprimtarie. Është e vështirë për një profesioniste të respektojë agjërimin?
Më mundoi pak, por u mësova. Ditët e para ndoshta ishte pak e vështirë për shkak se ndryshuan oraret e të ushqyerit. Gjithsesi vazhdoj të bëj jetën e mëparshme. E kam ditën shumë të ngjeshur me takime, biseda, me inçizime në studio. Dje isha në studio dhe kam realizuar disa pjesë të vogla të këngëve. Sigurisht gjatë darkës.
Tingëllon paksa e çuditshme për një grua moderne, me profesion këngëtare të respektojë Ramazanin. Ka dhe këngëtare të tjera që agjërojnë?
Ka shumë këngëtare të tjera shqiptare që agjërojnë. Unë personalisht njoh shumë të tilla. Nuk mendoj se është çudi sepse çdo profesion ka meshkuj apo femra që janë muslimane besimtare që respektojnë këtë rit. Është një detyrim i fesë që unë personalisht e bëj me zemër.
Si ka ndryshuar jeta gjatë këtij muaji. Çfarë ka pasur ndryshe?
E veçanta e këtij muaji të madhërueshëm janë faljet në zot. Jam përpjekur të jem më afër njerzve, t’i gjendem pranë atyre që kanë vështirësi, të mëshiroj dhe të jap sa më shumë nga vetja. Këtë muaj nuk kam mbajtur njeri nëpër gojë dhe jam munduar të jem sa më e pastër.
Thatë se përpiqeni të mos i merrni njerëzit nëpër gojë. Do të thotë se jashtë muajit të Ramsazanit merresh dhe me ndonjë thashethem?
Si të gjithë njerëzit. Është pjesë e jetës dhe thashethemi. Nuk jam tip i dhënë pas tyre, por ai është një rregull që duhet respektuar më shumë gjatë kësaj kohe. Njeriu duhet të jetë me zemër të hapur dhe unë përpiqem të jem e tillë gjatë gjithë kohës.
Prej vitesh gazetat shkruajnë se je e lidhur me një instrumentist. Është një bashkëjetesë e suksesshme kjo e juaja?
Në fakt më shumë se një bashkëjetesë është një martesë. Jetojmë bashkë prej disa vitesh dhe për mua ishte finalizim i një dashurie dhe ëndrre që kisha prej kohësh. Falë Zotit u realizua. Im shoq bën pjesë në rrethin tim shoqëror, është muzikant dhe them se kemi shpirtin e përbashkët me njëritjetrin. Kemi shpirt artisti që na ndihmon të kemi një bashkëjetesë të lumtur.
Ka qenë një rethanë e caktuar që ka bashkuar shpirtrat tuaj?
Jemi njohur jashtë shtetit, në Zvicër. Aty punonim në të njëjtat ambiente muzikore. Im shoq pëlqente tek unë zërin por spikati dhe karakterin. Mua më tërhoqi shumë humori i tij. Dhe u lidhëm. Deri tani funksionojmë shumë mirë bashkë.
Ndërsa të kemi parë duke interpretuar këngët popullore kemi parë dhe versionet e tua nuse mbi pajton. Vetë personalisht ju me Turin nuk keni bërë një ceremoni. Keni në plan ndonjë festë të veçantë?
E kam në plan, sigurisht. E ëndërroj Valbonën të veshur nuse por plani më i shpejtë i imi është nxjerrja e albumit. Do e bëj një festë për familjen dhe për shoqërinë që shpeshherë ma kërkojnë një gjullurdi të tillë.
Këngëtaret shpeshherë tërhiqen nga luksi, pasuria, shkëlqimi i jashtëm. Ty çfarë të tërheq më shumë në jetë? Cilat janë vlerat që beson më shumë?
Të treja kanë vlerën e vet. Personalisht nuk i kushtoj shumë rëndësi pasurisë. Por të treja këto elemente janë të rëndësishme për një këngëtare. Pasuria në kohët e sotme është e nevojshme, luku për një këngëtare është i rëndësishëm dhe shkëlqimi i jashtëm është reflektim i një bote të brendshme të pasur.
Në performancat e tua artistike, ke përcjellë imazhin e një vajze të mirë. Jeni gjithnjë kaq pozitive?
Më vjen mirë që jap tek të tjerët këtë imazh. Unë nuk jam shumë e bukur, por shpirtin e kam të bukur. Përpiqem të jem e thjeshtë, të jem sa më pranë miqve dhe t’i japë ngrohtësi.
Nuk pretendoni se jeni vajzë e bukur. Si i keni pasur raportet me veten ndër vite?
Unë vij nga një familje me 6 femra. Kur kam qenë e vogël kam qenë harrakatja e familjes sepse të gjithë prisnin të isha djalë. Kam pasur një raport të mirë me veten. Kontakti me prindërit, me motrat e mia më ka bërë të vlerësohem për atë që jam duke dhuruar më të mirën e shpirtit.
Keni qenë një fëmijë harrakt. E rritur jeni urtësuar goxha?
Kam ndyshuar 100 %.
Ndikoi dashuria në këtë ndryshim?
Jo. Dashuria ka qenë e mëvonshme. Mendoj se ka ndikuar shumë edukata familjare , motrat e mëdha dhe rruga që mora. Më duhej të bëja një përzgjedhje dhe unë preferova të isha kështu.
Jemi mësuar në skenë me këngëtare të zhdërvjellëta, ekstravagante që kërkojnë të ecin me çdo kusht. Ç’mendim keni për këto këngëtare që çajnë paksa më shpejt?
Jo se nuk i pëlqej. Por dhe ekstravaganca ka lezetin e vet. Ndoshta atyre i shkon, mua personalisht jo. Mendoj se është çështje karakteri. Nuk mendoj se femra të tilla qëndrojnë gjatë në muzikë. E rëndësishme për një këngëtare nuk është vetëm suksesi si rrufe, por dhe jetëgjatësia. Personalisht punoj për t’i rezistuar viteve.
Të kanë penguar ndonjëherë këto femra në udhën tënde?
Përgjithësisht këngëtaret e muzikës popullore janë vajza të thjeshta sepse janë më afër popullit.
Kjo do të thotë se nuk keni luftë brenda llojit?
Si nuk ka. Bile lufta është shumë e ashpër. Xhelozia është e pashmangshme në art. Por unë jam e mendimit se në muzikë ka vend për të gjithë dhe gjithësecili ka rriskun e vet.
Thashethemi më i fundit që qarkullon për ty është divorci me Turin. Ju ka tronditur ndopak?
Ma tha im shoq por unë nuk e vrava shumë mendjen. Jam mësuar me thashethemet rreth meje sepse janë pjesë e profesionit. Në fillim ndihesha keq. Më bënin përshtypje, rrija e vrisja mendjen me ditë të tëra. Tani jo më. Thashethemet kam nisur t’i shoh me një aspekt më pozitiv. Një anë e medaljes së tyre është se të bëjnë të ndjehesh e rëndësishme.
Gjithsesi mund të themi se martesa jote vazhdon të jetë e suksesshme apo jo?
Për mua po.
Bashkëshortin tuaj e cilësoni si një djalë bukurosh. Je xheloze për të?
Kemi shoqëri të përbashkët ndaj nuk kam pse të bëhem xheloze, kur i njoh pothuajse të gjithë njerëzit që ai frekuenton.
Ju jeni një këngëtare e suksesshme. Shpesh ju ndodh që fansat t’ju krijojnë situata të sikletshme. Ka ndodhur që bashkëshorti të bëhet limon në fytyrë nga xhelozia?
Përgjithësisht unë e ndiej kur diçka nuk shkon dhe mundohem të shmangem. Nuk më pëlqen që im shoq të vuaj. Përpiqem gjithnjë të jem e kujdesshme.
Periudha e verës është e artë për këngëtarët. Shumë koncerte dhe shumë ceremoni dasmash. Keni fituar shumë para këtë verë?
Kam pasur shumë ftesa dhe sigurisht dhe shumë dasma. Edhe unë kam çmimin tim të caktuar dhe bëj pjesë tek këngëtaret më të paguara.
Jeni bërë e pasur nëpërmjet muzikës?
Nuk mund të them se jam bërë shumë e pasur. Sepse këngëtaret vërtet fitojnë por dhe shpenzojnë shumë për muzikën e tyre. Sot standartet e albumeve janë rritur shumë dhe ne gjithçka e shpenzojmë nga xhepi ynë.
Gjithsesi me ato që ke fituar duhet t’ia kesh bërë qejfin vetes apo ke plotësuar ndonjë ëndërr që moshataret tuaja e kanë të vështirë ta realizojnë …?
Kam blerë dy apartamente të miat. Këtë verë nuk pushova por kam rinovuar arredimin e apartamenteve. Jam shumë manjake pas shtëpisë, pas pastërtisë dhe më pëlqen që të jetoj në shtëpi që kanë luksin e domosdoshëm.
Gazeta: Panorama