Ura e Kasabashit Krenaria e Skraparit monumenti i kategorise se pare jashte rrezikut

TIRANË, 23 Tetor / ATSH / - Drejtoria rajonale e Kulturës Kombëtare-Berat, bën me dije se përfundoi faza e parë e ndërhyrjes së restaurimit në monumentin e kulturës së kategorisë së parë "Ura e Kasabashit".

Pas dëmtimeve që monumenti pësoi nga rreshjet e datave 10 dhe 11 tetor, në pjesët e qemerit anësor dhe tabani i urës në skajin perëndimor u restauruan në mënyrë të menjëherëshme nga specialistët e DRKK - Berat, duke shmangur kështu shembjen totale të këmbës së urës në këtë pjesë.

Specialitët e sektorit Berat theksojnë se ndërhyrjet konsistuan në konsolidimin e qemerit, injektime në pjesët e dëmtuara, qepje të muraturës dhe ringritja e murit me gurë të zi ranor sipër qemerit me llaç gëlqere, duke përdorur materiale e teknikë të ngjashme punimi me atë origjinalen.

Ndërkohë që gjithashtu u restaurua edhe kalldrëmi me zall lumi dhe u mbulua me rërë të larë duke e lidhur me pjesën ekzistuese.

DRKK-Berat sqaron se kjo ndërhyrje emergjente rezultoi tepër e domosdoshme për parandalimin e shembjes së monumentit, ndërkohë që bën me dije se do të hartohet projekti për restaurimin total të tij që duhet të përfshijë heqjen e inerteve , dherave pranë urës, lehtësimin e aksesit në skajin perëndimor, zbërthimin e kalldrëmit dhe restaurimin total të tij, qepjen e muraturës në pjesët e dëmtuara , konsolidimin e qemerëve dhe dritareve shkarkuese në skajin lindor.

Materiali i përfunduar do të përcillet në mbledhjen e Këshillit Shkencor në Institutin e Monumenteve dhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve në Ministrinë e Kulturës në mënyrë që të mundësohet ndërhyrja totale në një të ardhme të afërt.

"Ura e Kasabashit" është një ndër monumentet m të cilin banorët e Skraparit krenohen.

/k.m/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama