Ura e Bunes me hapje elektromekanike

Ura e Bunes, me hapje elektromekanike
Projektuesit kanë menduar për të ardhmen e këtij rajoni, kur me thellimin e plotë të lumit do të mundësohet lundrimi i mjeteve të larta dhe të mëdha detare. Me përfundimin e urës do të krijohet dhe mundësia e hapjes e mbylljes së saj në mënyrë të automatizuar. Ura ka një gjatësi 275.5 metër dhe gjerësi 13.5 m, me dy drejtime lëvizjeje dhe dy trotuare anësore. Nga niveli i ujit ka një lartësi prej 6 metër. Specialistët sqarojnë se tashmë kanë përfunduar punimet me beton arme, me gjatësi 200 metër dhe punimet janë përqendruar në montimin e pjesëve metalike të lëvizshme, me gjatësi 75 metër.

Ky proces përbën 40 për qind të vlerës së projektit dhe do të mundësojë hapjen dhe mbylljen e urës për kalimin e anijeve mbi lumin Buna. Sipas projektit, hapja dhe mbyllja e urës ka dy sisteme, atë elektromekanik me kohëzgjatje nga 3.5 deri 4 minuta dhe në rast të një defekti të mundshëm, do të kryhet hapja manuale që zgjat 15 minuta.

Ndërtimi i urës së re, disa metra paralel me të vjetrën, do të zgjidhë njëherë e mirë problemin e qarkullimit nga Shkodra drejt pikave turistike të saj dhe doganës së Muriqanit. Për ndërtimin e saj parashikohet të shpenzohet shuma prej 7 milionë e 185 mijë dollarëve, me financim të Bankës Islamike për Zhvillim dhe kontraktore një firmë kuvajtiane. Për të inspektuar punimet e urës ishte dje në Shkodër dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

 “Kjo është e vetmja urë në Ballkan me këtë sistem hapjeje dhe pas ndërtimit të urës së re mbi Bunë, radhën do e këtë thellimi i lumit. Ky investim do ta shndërrojë lumin Buna, ashtu siç ka qenë para shumë vitesh, në një lumë të lundrueshëm për anije, për të bërë të mundur që Shkodrës t’i kthehen lidhjet që ka pasur”, pohoi Olldashi. Ura e Bunës është projektuar nga konsulentë egjiptianë dhe është cilësuar si një vepër arti me rëndësi të veçantë për lidhjen e akseve rrugore të vendit dhe qytetit të Shkodrës me pikën e kalimit kufitar të Muriqanit.

Puna për ndërtimin e saj ka nisur në maj të vitit 2008 dhe pritet që të përfundojë në fund të këtij viti. Deri në përfundim të saj, udhëtarët do të detyrohen të kalojnë mbi urën e vjetër, njëkalimshe, e cila është në gjendje tejet të amortizuar.

Sipas ministrit Olldashi, në Shkodër janë përqendruar një sërë projektesh të rëndësishme, siç është ai i zgjerimit të rrugës Shkodër-Milot, për ta lidhur me rrugën e Kosovës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama