Universitetet e mbyllura/Provime ne gusht per studentet qe nuk kane marre diplomen

Universitetet e mbyllura/Provime ne gusht per studentet qe nuk kane marre diplomen

18 universitete private të cilat janë mbyllur me vendim qeverie, do të çelin brenda muajit gusht një sezon provimesh për studentët e vitit të fundit, që ende nuk kanë marrë diplomën. Këtë e ka bërë të ditur ditën e djeshme zv.ministri i Arsimit, Arbi Mazniku. Zëvendësministri Arbi Mazniku zhvilloi dje një takim me studentë të institucioneve private të arsimit të lartë të cilave iu është hequr licenca, për t’i sqaruar nga afër për shqetësimet dhe paqartësitë e shprehura. Mazniku theksoi edhe një herë parashikimet ligjore që i detyrojnë institucionet e arsimit të lartë privat të pajisin studentët, pa asnjë pagesë, me dosjen e çregjistrimit ku gjendet dokumentacioni i kërkuar. Sipas Ministrisë së Arsimit, Institucionet e Arsimit të Lartë Privat dhe jo studentët janë përgjegjëse për parregullsitë ligjore që i çuan ata në humbjen e licencës, ndaj siç parashikon ligji, janë ato kanë detyrimin që të pajisin studentët me të gjitha mjetet për të vijuar studimet.

Mazniku është shprehur para studentëve se MAS do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë çdo studenti, në të gjitha etapat e këtij procesi, në mënyrë që ata të transferohen pa probleme në një institucion tjetër të arsimit të lartë.

Gjatë takimit gjithashtu ai ka qartësuar studentët e vitit të fundit në këto universitete, por që ende nuk e kanë marrë diplomën, se gjatë muajit gusht do të organizohet një sezon provimesh për ta. “Universitetet, të cilave iu është hequr licenca, kanë për detyrë që të organizojnë një sezon provimesh të jashtëzakonshëm për studentët që janë në përmbyllje të studimeve të tyre në këto institucione, në mënyrë që ata të kenë mundësinë që të bëjnë provimet e mbetura, provimet e vjeshtës apo edhe diplomimet e tyre, në mënyrë që fund të përmbylljes së detyrimeve që institucionet kanë ndaj shtetit, të cilat mbyllen në datën 10 shtator, me dorëzimin e dosjeve të plota në ministri, këto institucione të përmbyllin dhe detyrimet që ato kanë karshi studentëve”.

Ata që nuk do të rezultojnë kalues në temën e diplomës apo në provimet e gushtit, do të tërheqin dosjet për t’i dorëzuar më pas në një tjetër universitet, publik apo privat.

“Në atë rast, ai ka të njëjtin proces si një student që transferohet pa arritur numrin e caktuar të provimeve, pra pa arritur marrjen e diplomës”.

Të gjithë studentët që kanë frekuentuar këto universitete do të dorëzojnë deri në datën 20 shtator dosjet, për të parë se në cilin program studimi do të sistemohen.

“Ministria e Arsimit do të ngrejë një komision të posaçëm që do të merret me rialokimin e mundshëm të të gjithë atyre studentëve, të cilët nuk do të kenë pasur mundësi deri në atë moment të vetëzgjedhin degë apo lëndë të caktuara ku ata do të mund të vazhdojnë studimet e tyre. Sa i përket çështjes së kritereve, shpërndarjes gjeografike në universitetet e Shqipërisë, përputhjes së degëve, kjo do të bëhet pas kësaj date, në varësi edhe të sasisë së kërkesave që do të vijnë nga studentët dhe të mundësisë që kanë institucionet pritëse”. Në udhëzimin e dalë një ditë më parë nga Ministria e Arsimit, është saktësuar se universitetet janë të detyruara të bëjnë gati dosjet e studentëve dhe t’ua japin atyre pa asnjë pagesë.

Parashikimet ligjore për universitetet e mbyllura

1. LIGJI Nr.9741, PËR ARSIMIN E LARTË. Neni 44 pika 9 thotë: Licenca për fillimin e veprimtarisë së një institucioni privat përmban edhe detyrimin, që në rasti kur ai institucion ndërpret veprimtarinë e tij, të ofrojë mjetet e nevojshme financiare dhe mundësitë për përfundimin e studimeve të filluara, për të gjithë studentët që janë të regjistruar në institucion.

2. VENDIM I KËSHILLIT TË MINISTRAVE Nr. 539, datë 6.8.2014 ku thuhet se IALP të përgatitin dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, dhe t’ia vënë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 1 shtator 2014.

3. UDHËZIM I MAS Nr.25 datë 11.08.2014. Pika 4 thuhet: Institucionet e arsimit të lartë, të cilave u është hequr licenca, kanë detyrimin të përgatisin dosjen me dokumentacionin e nevojshëm për çdo student brenda datës 1 shtator 2014, dhe t’ia vënë atë në dispozicion çdo studenti pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e studentit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama