Udhezimi objektivat qe duhet te arrijne shkollat ne vend

Udhezimi, objektivat qe duhet te arrijne shkollat ne vend

Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në vend, në fund të vitit do të në vend, duhet të plotësojnë objektivat e vendosur, sepse do të jenë në inspektimin e plotë të MAS-it. Pjesë e kontrollit nuk do të jenë vetëm shkollat publike, por edhe ato private. Inspektorati Shtetëror i Arsimit, ka zbardhur udhëzimin që do të shpërndahet në institucionet e arsimit parauniversitar, i cili nuk do të plotësohet vetëm nga mësuesit e nxënësit, por edhe nga prindërit. Në anketim do të përfshihen një sërë pikash, të dhënat e të cilave, duket se do të vendosin në pozita të forta drejtuesit, për të arritur objektivat e vendosur. Grupi i punës i IZHA-s, i përbërë nga 9 anëtarë, ka hartuar 3 pyetësorë, rezultatet e të cilëve do të tregojnë jo vetëm cilësinë e shkollave, por edhe një serë treguesish të tjerë, që lidhen me sigurinë, mjedisin social, higjienën etj. Ndërsa drejtoritë arsimore do të kenë tani e tutje një “hartë” të hollësishme të arritjeve dhe mosarritjeve të shkollave në juridiksion, prandaj do ta kenë më të lehtë të gjejnë shkollat që kanë arritje të larta për tregues të veçantë ose në përgjithësi.

Karta e performancës

Pyetësori është hartuar në mënyrë të tillë, që të marrë përgjigje në të gjitha aspektet e veprimtarive të shkollave. Pjesa më e madhe e treguesve janë objektivë sepse kanë të bëjnë me shifra (mungesa të nxënësve, kredite mësuesish etj), arritje (olimpiada, nota mesatare) dhe numra të cilët duke u vendosur në një tabelë kompjuterike do të nxjerrin rezultate sa më reale. Shkolla është përgjegjëse për plotësimin e kartës së saj, mbështetur në të dhëna statistikore të siguruara nga shkollat; të dhëna nga testet në nivel rajonal; të dhëna nga provimet në nivel kombëtar; të dhënat e pyetësorëve të zhvilluara në nivel rajonal. Karta e Performancës së shkollës, jep të dhëna për ecurinë e shkollës gjatë një viti shkollor. Karta bën të qartë për prindërit pikët e forta dhe të dobëta të shkollës, ku fëmija e tyre mëson ose do të mësojë. Në sajë të Kartës, prindërit e kanë më të mundur të kërkojnë përmirësime të caktuara në arritjet e shkollës dhe të japin ndihmesën e tyre për këto përmirësime. Karta bëhet publike për prindërit, nxënësit, personelin e shkollës dhe komunitetin e saj, si dhe për drejtorinë arsimore rajonale dhe zyrën arsimore. Të dhënat e Kartës janë të vlefshme për drejtuesit dhe mësuesit e shkollës që të pikasin aspektet që kanë nevojë për më shumë vëmendje dhe për t’i përfshirë në planin e tyre afatmesëm dhe atë vjetor.

Grupimi i shkollave për renditjen e tyre

 Karta përfshin shkollat publike dhe ato private. Shkollat renditen veç për arsimin bazë dhe veç për gjimnazet. Renditja bëhet në nivel drejtorie arsimore. Kur një zyrë arsimore ka vetëm një ose dy gjimnaze, ato nuk renditen në nivel zyre, por bashkohen të gjitha gjimnazet dhe renditen në nivel DAR-i.

Treguesit e Kartës

 Lista e treguesve të Kartës përcaktohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Një pjesë e treguesve janë të përbashkëta për të gjitha shkollat e vendit. Këta janë treguesit qendrorë. Në treguesit qendrorë përfshihen edhe pyetje nga pyetësorët. Treguesit e tjerë përzgjidhen nga secila drejtori arsimore, në listën e treguesve të Kartës. Ndër 8 treguesit kryesorë të kartës, janë shkolla, adresa elektronike e saj, numri i nxënësve të regjistruar në fillim të vitit shkollor, objektivat e planit vjetor, përqindja e kalueshmërisë, vlerësimi i plotë i shkollës nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit gjatë pesë viteve të fundit shkollore, nëse është inspektuar etj. 

Renditja e shkollave

 Renditja tërësore ë e shkollave përfshin renditjen për vitin e kaluar shkollor dhe renditjen për ndryshimet në dy vitet e njëpasnjëshme. Në vitin pasues shkollor, Karta përmban edhe vendin që zë shkolla në mes shkollave të tjera për ndryshimet ndërmjet dy viteve shkollore të njëpasnjëshme, d.m.th. ndërmjet vitit të kaluar shkollor dhe vitit shkollor paraardhës me të. Këto ndryshime njehsohen vetëm për treguesit që i takojnë dy viteve të njëpasnjëshme.

Afatet

Pyetësorët do të zhvillohen gjatë periudhës prill-maj dhe përpunimi i të dhënave do të bëhet brenda majit. Drejtorët e shkollave duhet ta dorëzojnë brenda datës 20 korrik në drejtoritë arsimore.

Verifikimi bëhet jo për të gjitha shkollat, por jo më pak se 10% e shkollave në juridiksion, dhe në shkollën, që përzgjidhet për verifikime, shqyrtohet një pjesë e treguesve.

Çdo drejtori arsimore qarkullon një letër informuese, me të cilën njofton të gjitha shkollat në juridiksion për pasaktësitë e konstatuara duke përmendur edhe shkollat ku janë vërejtur pasaktësitë. Në fund të shtatorit shpallet renditja e shkollave.

 10% e prindërve të nxënësve duhet të marrin pjesë në pyetësor. Kur nuk sigurohet ky prag, pyetësori nuk zhvillohet ose nuk ka vlerë. Në këtë rast, për pyetjet për prindërit, shkolla, që nuk ka arritur të sigurojë numrin e mjaftueshëm të prindërve, zë vendin e fundit në renditje për të gjitha pyetjet e këtij pyetësori.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama