Udhetim ne Vlore ku pushuesit kane gjalleruar qytetin

Udhëtim në Vlorë, ku pushuesit kanë gjallëruar qytetin
Drejtuesi i një makine para, del nga mjeti, thith fort një cigare të sapondezur dhe flet duke na u drejtuar, “në këtë trafik mund të zësh dhe shoqëri. Tani për tani nuk lëvizet që këtej”. Ka vite që gushti kështu është në Vlorë. Pushues, emigrantë, të huaj. Të paktën konglomerate të tillë duken nga targat e mjeteve. Shumë prej tyre, italiane e greke. Shumë të tjera nga Tirana, e me radhë lexohet FR, BR, KS, e një mori përveç atyre të “të zotëve të shtëpisë”. Në hyrje të qytetit, kilometrazhi nuk e kalon 20-ën, ndërsa prej zonës së Skelës e në vazhdim gjatë aksit pranë bregdetit, lëvizja ndërpritet shumë herë.

Efektivë të Qarkullimit Rrugor pohojnë se numri i automjeteve ka rritje disafish, por gjithçka më tepër e matur me sy gjatë praktikës shumorëshe të shërbimit në rrugë, sesa një statistikë e mirëfilltë. Teksa shkojmë në plazh, shohim edhe makinat e të sapomartuarve. Nuk qenka e vërtetë se nuk preferohet gushti për dasmat. Shumë herë përshëndetemi nga bori të zgjatura.

Me det e rërë

Plazhi fillon që te Aulona. Ndoshta një zonë pak e dyshimtë për të bërë plazh… Ka ujë edhe më të pastër se kaq, por çuditërisht preferohet. Më shumë janë familjarë. Fëmijët që i gëzohen cekëtinës së detit, ndërsa kanali duket shumë pranë. Me një të hedhur të syrit nuk kuptohet se çfarë pëlqejnë pushuesit këtu mbasi anijet në port janë shumë pranë dhe zona nuk ka atë pastërtinë që vijon disa kilometra më tutje.

Fill pas dy plazheve privatë, një tabelë të fton në plazhin publik që zgjat deri te “Rrapi”, siç i thonë vendasit. Duhet të nxitosh për të zënë një çadër këtu, qoftë edhe një copëz rërë për të ngulur çadrën që mund ta sjellësh me vete. Plazhistët i gjen jo vetëm nga rrethet, por edhe nga Kosova, e sidomos nga Maqedonia. Një vit më parë frekuentimi ka qenë kryesisht nga kosovarët e më pak maqedonasit shqipfolës. Këtë vit jo vetëm ka një rritje të ndjeshme të shqiptarëve të Maqedonisë, por pranë plazhit publik gjen shumë syresh që nuk e flasin gjuhën shqipe. Vendas, nga Fieri, nga Berati, pushues nga kryeqyteti, Korça, Elbasani e shumë qytete të tjera përbëjnë frekuentuesit më të rregullt të këtij plazhi. Nëse i pyet, prej të gjithëve mund të marrësh të njëjtën përgjigje. “Këtë verë është ndryshe në Vlorë. Sivjet këtu me të vërtetë që është ndryshe”. Një pushues nga Tirana gëzohet me rërën e detin e pastër që ka gjetur.

“Ka rërë të mirë, det të pastër, ka dushe që mund t’i shfrytëzosh, por edhe çadra falas”, thotë një pushues nga Tirana. Ndërsa një tjetër pushues nga Berati, kësaj here, tregon për gazetën “Shekulli” se këtë vit ka zgjedhur të pushojë në plazhin publik të qytetit. “Kam vite që frekuentoj Vlorën, në sezone të mëparshëm te privati, por këtë verë jam vendosur këtu në plazhin publik. Nuk ka ndonjë ndryshim, përkundrazi, tek privati duhej të paguaje përditë. Edhe këto lokalet e vendosura në plazh na japin komoditetin e duhur. Mund të them se të kalosh verën në Vlorë është bukur dhe unë kam vite që jam besnik i këtij qyteti”. Ndërsa një tjetër pushues shprehet se duhet të shpejtosh për të zënë një vend, për shkak se plazhi publik po preferohet nga shumë pushues. “Këtë vit, Bashkia e Vlorës e ka rregulluar shumë mirë plazhin. Ndoshta është hera e parë që plazhi publik sfidon plazhin privat. Vetëm se duhet të nxitosh për të ardhur herët që të gjesh vend. Sidomos të shtunave dhe të dielave”,- thotë pushuesi.

“Unë jam nga Prishtina. Po ndihemi mirë këtu në Vlorë. Kemi qenë në Durrës, ndenjëm tri ditë atje. Tani kemi marrë një shtëpi me qera këtu afër plazhit. Mendojmë të shkojmë edhe në Sarandë. Nëse Vlora mbetet deri në fund kaq e bukur sa duket tani, patjetër që do rikthehemi”,- rrëfen pushuesi nga Kosova.

Dhe nëse bën shëtitje në plazhin publik të Vlorës, mund të dëgjosh lloj-lloj gjuhësh. Një nga pushueset vendase tregon se tashmë vlonjatët po “pakësohen” nga dita në ditë, si rrjedhim i rritjes së numrit të pushuesve të huaj. Ajo tregon se fqinjët e saj në plazhin publik janë nga Maqedonia, por jo shqiptarë. “Vlora qenka një mrekulli. Ka dhe vajza të bukura”,- shton me të qeshur maqedonasi.

Tek Uji i Ftohtë

Te “Tuneli” ndalemi që të freskohemi. Uji është i ftohtë, enkas për orët e vapës së paradites. Pranë burimit për fat nuk paska radhë që të lënë të presësh. “Më tepër ka radhë pasdite se vijnë më shumë pushues që mbushin ujë”, na shpjegon një i moshuar që shet mjaltë në hyrje të tunelit. E kalojmë tunelin dhe përpara na shfaqet “Plazhi te Vilat”, po një emërtim popullor nga vendasit. Këtu nuk ka rërë, veçse një plazh me gurë dhe me një det të thellë. Përreth ka gjelbërim dhe ndoshta ky detaj ia plotëson pamjen. Në më të shumtën e shtrirjes së tij, plazhi është privatizuar. Por në pjesë të veçanta, ka edhe çadra të tjera.

“Një mijë lekë të vjetër çadra, dy mijë shezloni”, na thotë një djalë i vogël, teksa kërkojmë pak vend. Kanë mbetur vetëm dy të tilla. Plazhi është tejpërtej plot. Një orë më pas marrim një varkë të vogël. Shëtitja zgjat përtej vilës që duket. Pjesa pas saj është edhe më e bukur. Uji vijon i kristaltë. Ka më pak pushues në shkëmbinjtë që zgjaten pas vilave dhe duket vetëm një lokal, sikur ta kishin sjellë me dorë në mes të shkëmbit. Megjithëse, pak më shumë njerëz mund të gjejmë në orët e pasdites në plazhin publik, ku një grup do të përgatitet të japë një koncert. Një prej anëtarëve të grupit na thotë se ndjehet shumë mirë kur luan në plazh. Sipas tij, një dozë lirshmërie ta servir vetë ambienti.

Natën vonë

Në orët e mbrëmjes, trafiku vijon po i tillë. Jo vetëm në zonën e plazhit, por edhe në qytet. Vlora është e ndriçuar mirë dhe tërë shëtitorja është plot e përplot me vizitorë. Po kështu edhe në afërsi të detit. Shëtisin buzë detit, të tjerë në rrugë, ndërsa lokalet mbeten gjithnjë plot. Darka mund të kalohet fare bukur në një nga restorantet buzë Adriatikut. Padyshim me prodhime peshku. Në meny gjenden lloje të ndryshëm produktesh deti. Nuk mund t’i rezistosh as frutave të detit. Veç tyre dhe një pjatë miks me midhje, të cilat na serviren në enën ku janë gatuar. Veç ushqimit të shijshëm, na shoqëron këndshëm edhe një puhizë e lehtë deti. Nata është e gjatë dhe tingujt nisin të dëgjohen në një nga diskot pranë. Të gjitha lokalet kanë të ftuar të njohur. Shkojmë diku më tutje. Refleksi i dritës duket lart, duke lëvizur në mënyrë rrethore. Sërish dyndje. Pranë tavolinave kërcehet nën ritme latine. Alternimi i rrymave muzikore të shoqëron deri në mbrëmjen e vonë, ku disa të rinj hidhen edhe në det, për t’u larë nën dëshminë e hënës që ndriçon Vlorën.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama