Tumoret dhe shansi i keq

Tumoret dhe 'shansi i keq'

Shefi i Spitalit Onkologjik, Profesor Agim Sallaku komenton studimin e fundit të disa kërkuesve amerikanë ku thuhet se shumica e dërrmuese e sëmundjeve kanceroze nuk kanë lidhje me stilin e jetesës apo trashëgiminë, por me mutacione të rastësishme gjatë ndarjes së qelizave. Profesor Sallaku thotë se këto gjetje nuk ribëjnë teorinë e derisotme mbi kancerin

Doktor Sallaku, në media ka dalë së fundi një studim i botuar në revistën e njohur Science, ku thuhet se rreth dy të tretat e tumoreve në shkallë globale, i detyrohen atij që konsiderohet si "fat i keq". Çfarë menduat kur patë këto rezultate?


Ky është një artikull i botuar nga shkencëtarë të Universitetit  John Hopkins në SHBA ku evidentohet se pjesa më e madhe e tumoreve nuk jane të lidhur me ambjentin dhe stilin e jetes. Kjo nuk është një gjë e re dhe e panjohur më parë. Por besoj se ajo që ka goditur më shumë lexuesit, është termi BAD LUCK (fati i keq) duke krijuar në njerëzit e zakonshem jo të fushës së mjekësisë, idenë e një sëmundje fatale dhe duke vënë në një farë mënyre në dyshim optimizmin e krijuar në dekadat e fundit mbi mundesite e mëdha që ofrohen sot per parandalim, zbulimin e hershem dhe mjekim e kancerit.


Kanceri prej kohësh është përcaktuar si një patologji multifaktoriale, ku faktorë të ndryshem ambjentalë, të stilit të jetës, të trashëguar apo ende të panjohur, ndërhyjnë në ciklin e dyfishimit qelizor brenda ADN. Dihet se disa inde kanë një numër dyfishimi qelizor shumë herë më të madh se inde të tjera dhe ky dyfishim qelizash normale ndodh që organi të funksionojë normalisht e të kryejë funksione jetike të caktuara. Dhe pikerisht ato inde që kanë numrin më të madh të dyfishimeve qelizore, kanë dhe riskun më të madh që në momente të caktuara, nga faktorë pjesërisht të qartë apo të paqartë ende,  të krijojnë qeliza të reja anormale pa funksion dhe me rritje kaotike, që percakton lindjen e kancerit. Shkenca ne semundjet tumorale qartesisht prej kohesh ka treguar se vetëm një e treta e tumoreve i atribuohen faktorëve ambjentalë, të stilit të jetës apo të trashëguar. Pjesa tjetër i detyrohet ”të qenit pafat”, si pasoje e mutacioneve të rastësishme gjatë dyfishimit të ADN. Shkurtimisht dhe thjesht po perpiqem të jap një ide, se shkencëtaret në këtë studim të botuar ne revisten Science kanë analizuar proceset e dyfishimit në 31 inde të shëndosha  të qelizave staminale (qelizat staminale jane nje pjese e vogel e qelizave normale totale në inde të ndryshme, por jane vetëm ato të afta për t’u shndërruar në qeliza tumorale), ku nuk eshte përfshirë gjiri dhe prostata. Më pas jetëgjatësia dhe procesi i ndarjes së qelizave staminale për çdo ind të marrë në studim, konfrontohen me riskun gjatë jetës të një personi për të bërë kancer nga këto qeliza. Nëpërmjet këtij korrelacioni analitik, është arritur në konkluzion se 2/ 3 e tumoreve që ndodhin sot, janë të quajtur rastesor apo BAD LUCK dhe pjesa tjetër i detyrohet faktoreve ambjentalë, stilit të jetës apo trashigimisë.
 
Tradicionalisht është thënë se kanceri ndikohet, ndër shumë faktorë, edhe nga rrethanat e trashëgimisë familjare dhe të stilit të jetesës, dietës ushqimore, jetës sedentare etj. Sa e riformaton ky studim këtë mendim të vjetër që ka pasur përkrahjen e shumë onkologëve në mbarë botën?


Nuk besoj se ka gjë për të riformatuar, ata faktorë që jane percaktuar si faktorë kancerogene, qëndrojnë.  I gjithë ky konkluzion shkencor i revistes “Science” nuk do të thotë se duhanpirësit duhet të vazhdojnë të pijnë duhan, alkol apo të rrinë në diell për kohë të gjatë. Tumoret e mushkërive, lëkurës, laringut, etj janë qartësisht të lidhur me faktorët  e stilit te jetës, si konsumi i alkolit, duhanit, etj. Sot nuk është surprizë të thuhet se për të parandaluar lindjen e disa tumoreve shumë të shpeshtë, duhet të mos pihet duhan. Ai është përgjegjës për 86% të kancerit të mushkërive, 65% të kancereve te ezofagut dhe hapësirave të gojës e fytit, 37%  të tumoreve të vesikës urinare. Tjetër faktor p.sh.si dieta jo e shëndetshme, shkakton mbi 50% të tumoreve te stomakut, turomeve intestinalë, ezofagut,etj. Alkoli gjithashtu luan rol në mjaft tipe kanceresh, rrezatimi ultraviolet  luan rol në mbi 80% të tumoreve të lëkurës dhe melanomave malinje. Trashegimia ka gjithashtu përgjegjësi në lindjen e tumoreve, megjithëse është e vleresuar vetëm në 5-10 %te rasteve, si per kancerin e gjirit, vezoreve, të intestinit, etj.


Po ashtu,  historia e bombës atomike në Nagasaki dhe Hiroshima dhe aksidenti i Çernobilit, kanë treguar qartë rolin e rrezatimit jonizues në lindjen e leucemive dhe sëmundjeve të tjera tumorale. Mbartësit e virusit të HPV janë edhe ata tashmë qartësisht të riskuar per kancer te qafes se mitres, anusit apo hapësirës së gojës.  Dëshëroj të theksoj se në vëndin tonë, ku ka pasur një ndryshim drastik të stilit të jetës mbas viteve ’90, incidenca e kancerit është dyfishuar, çka nënkupton rolin e rëndësishem të ambjentit, ndotjes, mënyrës së të ushqyerit, ndryshimit të mënyrës së riprodhimit, etj. Pra këto faktorë të studiuar mbeten qartësisht në pozicionet e tyre, por shkenca prap nuk po zgjidh pse ende dy të tretat e tumoreve jane rastësorë.


Sa dhe si po ecën dinamika e sëmundjeve tumorale në botë dhe në Shqipëri?


Dinamika e sëmundjeve tumorale është në trend rritjeje progresive. Sot në botë numërohen mbi 14.1 milion raste të reja me kancer, me 8.2 milion vdekje dhe pritet që në vitin 2025 numri i pacientëve me kancer të arrijë në 20 milion. Më e shpejtë kjo rritje pritet në vendet e varfëra dhe në zhvillim, ku numri do të jetë shumë më i madh (aktualisht këto vende kanë më shumë se gjysmën e kancereve të reja në botë) dhe ku resurset diagnostiko-kurative janë të kufizuara. Arsyet e kësaj situate janë të shumta, por duhen përmëndur tendencat e urbanizimit, të cilat ndryshojnë stilin e jetës, si shtim të obezitetit, kalimi në një ushqim”perëndimor”, ndotja ambjentale në qytetet e mëdha, faktorët infektivë, etj. Trendi gjithashtu edhe në vëndet e zhvilluara, është në rritje, por kjo tendencë është më e butë,  pasi gjithnjë e më tepër, kultura shëndetësore po zë vend në popullatë, aksesi pothuaj total i popullatës në qendra të specializuara kurative, fushatat e sensibilizimit dhe zbulimit të hershëm po japin efektivitet të lartë në parandalimin e kancerit dhe zbulimit në faza të hershme, ku mundësitë e shërimit falë dhe përmirësimeve të jashtëzakonshme  teknologjike në diagnoze e mjekim, janë rritur së tepërmi.  Vëndi ynë sigurisht nuk përjashtohet nga ky trend progresiv i rritjes së incidencës dhe vdekshmerisë. Pas sëmundjeve kardiovaskulare, kanceri dhe në vendin tonë është vrasësi i dytë më i madh. Sot kemi mbi 5500 raste të reja me kancer nga 2800 raste në vitet 1986-90.
 


Shifrat në rritje, a nuk rrëzojnë indirekt teorinë e re që përmendëm në fillim, apo duhet të besojmë se "fati i keq" është një komponent që po vjen duke u rritur në botën e sotme, sa i përket këtyre patologjive?


Nuk ka asnjë rrëzim të teorisë së re. Siç shpjegova më siper, tumoret rastësorë janë ende te shumtë, por gjithshka që nuk  mund të shpjegohet ende dot nga shkenca, përfundon në konceptin e “Bad Luck”, i cili tashmë në mënyrë shkencore shpjegon të panjohurat e procesit të kancerogenezës. Të gjithë shkenctarët besojnë së çdo mutacion genetik që çon në lindjen e kancerit ka një promotor, një shkaktar. BAD Luck, ose fat të keq, ka dhe në aksidente ajrore, kur papritur avionin e kap një stuhi në ajër, e paparashikuar nga sistemi satelitar i motit, apo kur skiatorë apo aplinistë të sprovuar në vite,  humbin jetën në ekspedita. Kurdoherë ka shkak të papritur, pra një fenomen rastesor të ndodhur në vendin e gabuar e në momentin e gabuar për ata persona.
 
Ku po shkon kërkimi shkencor sot, në drejtim të diagnostikimit dhe kurës së kancerit? Cilat janë drejtimet që po ndiqen? Sa pranë, ose larg "kurës magjike" ndodhemi sot?


Sëmundjet jo të transmetueshme, ku futen ato kardiovaskulare, tumorale, diabeti dhe sëmundjet kronike pulmonare, jane kthyer në makthin e botës, pasi ato shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve. Në Samitin e vitit 2011 në Neë York, mbi 160 kryetarë shtetesh nënshkruan aktin e Aleancës kundër Sëmundjeve jo të Transmetueshme, çka nënkuptonte një përpjekje të jashtëzakonshme globale financiare, per masa radikale në të gjitha fushat e jetës, të të gjtha qeverive në botë, për uljen e vdekshmërisë me 25% deri në vitet 2025. Pra kërkimet reth kancerit kanë një zhvillim dhe financim të jashtëzakonshem në vitet e fundit. Kërkimet shkencore në nivel genetik biomolekuar, kanë përcaktuar tashmë elementë specifikë për patologji malinje të ndryshme, që mund të zbulohen e të mjekohen në mënyrë individuale. Pra prej disa kohesh ka lindur e ashtëquajtura mjekësia e personalizuar. Pra, individë të ndryshëm, me sëmundje të njëjtë, mjekohen në mënyra të ndryshme, bazuar në të dhëna specifike për çdo person, që jep laboratori. Por megjithë këto zhvillime dhe përmirsime të mjekimit, ku shërimet dhë zgjatja e jetës me kualitet janë realitet i prekshëm, zgjidhja përfundimtare është ende larg.
 
Sa bashkëkohore është kura që merr sot në strukturat e specializuara shqiptare një i sëmurë me tumor? Çfarë ka më shumë një procedurë e njëjtë e kryer diku jashtë, krahasuar me spitalet e klinikat tona?


Mjeksia shqiptare ka historinë dhe bazat e veta të zhvillimit, bazuar në eksperiencat më të mira të marra nga mjekët tanë në kontekset bashkëohore. Sot sistemi shëndetsor ka probleme dhe sfida të ristrukturimit funksional. Dhe pikërisht mënyra e organizimit, financimit dhe funksionimit në mënyrën e duhur të shërbimeve shëndetësore, ndikon në kualitetin e mirë apo jo, të përkujdesjes ndaj pacientit.


Në standartet e diagnozës dhe trajtimit të kancerit, krahasuar me vendet e rajonit dhe më tej, jemi ende mbrapa. Kemi mungesa në pajisje diagnostike, megjithë investimet pozitive të kohëve te fundit, por që janë të pamjaftueshme. Terapia e kancerit ka evoluar shumë dhe mbështetja në teknologjinë e lartë është bërë e domosdoshme. Trajtimi me radioterapi është ende në faza të hershme të implemetimit tij, akseleratori i parë në onkologji pritet te instalohet këtë vit, kur ne kemi nevojë për të paktën 6 të tillë. Megjithëse, gjatë vitit të fundit ka pasur një rritje gati dyfish në sasinë e barnave që përdoren në trajtimin e pacientëve me kimioterapi, sasia nuk është e mjaftueshme, duke marrë parasysh nevojat aktuale dhe në rritje të pacientëve.


Po krijohen qendra per berjen e kimioterapisë në disa spitale rajonalë, për të ulur fluksin e pacientëve në shërbimin tonë në QSUT dhe mundësuar rritjen e cilësisë së shërbimit. Duhet të shpjegoj se në çdo vënd ballkanik, e sigurisht në Europë, ShBA, apo dhe në vendet në zhvillim, ka një qender referente onkologjike (Institut Onkologjik) me detyrë dhënien e kualitetit më të lartë të mjekimit, si dhe një qendër edukimi akademik dhe shkencor dhe suport për programet e edukimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit. Kjo qendër në vëndin tonë ende mungon. Shembujt dhe standartet sesi kanceri trajtohet në vendet e zhvilluara janë aty. Shqipëria mund të mësojë shumë dhe të përshtasë nga evidenca e asaj që na ofrohet nga këto eksperienca. Duke marrë parasysh  numrin në rritje të rasteve me kancer në vendin tonë, është i domosdoshem një mobilizim i burimeve financiare dhe njerëzore, që pacientët edhe këtu të marrin trajtimin me standartet e duhura.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama