Trup ngjyre cokollate pa menduar pasojat

Trup ngjyre cokollate, pa menduar pasojat

Të marrësh ngjyrë kushton. Përveç pagesave, që për hir të së vërtetës janë goxha të kripura, pacientët që iu nënshtrohen rrezeve të solarit marrin me vete edhe sëmundjen e shekullit, kancerin. Madje, ka nga ata që, edhe pse e dinë këtë fakt, të etur për një ngjyrë të bronztë, përpara se të shkojnë në plazh, pranojnë të marrin përsipër riskun e plakjes së shpejtë të lëkurës, apo në rastin më të keq, të shfaqjes së kancerit. Këtë e pohon mjekja dermatologe Monika Fida. Sipas saj, ky rrezik ekziston që në seancën e parë të solareve, apo të atyre që në botë quhen “makineritë e kancerit”. Kjo tendencë, e aplikuar së shumti kohët e fundit është kompleks i një pjese që nuk pranojnë t’iu nënshtro- hen rrezeve të diellit me lëkurë të bardhë, të sapo zhveshur nga rrobat e rënda të dimrit. Përpos kësaj, ka persona që edhe pse janë të informuar për rrezikun që mbart marrja e këtyre rrezeve artificiale, sërish iu nënshtrohen disa seancave të tëra me solar. Një bisedë me dermatologen Fida do të na informojë më tepër mbi efektet e menjëhershme apo ato të mëvonshme të përdorimit të këtyre rrezeve. Veç këtyre, Fida jep dhe këshilla se si të kalojmë një verë sa më të sigurt dhe të shëndetshme. Por, vlen të theksohet se dhe pse meshkujt nuk mbeten prapa, ky fiksim prek më tepër seksin femër. Ka femra që pranojnë të bombardohen me rreze përpara se t’u ekspozohen rrezeve të diellit, vetëm për të pasur ngjyrë çokollate, aq shumë të dëshiruar nga të gjithë.

 Çfarë është solari dhe sa përdoret ai në vendin tonë?

 Solaret janë makineri që realizojnë nxirjen e lëkurës në mënyrë artificiale, pra procesi i nxirjes së lëkurës realizohet jo nëpërmjet ekspozimit në diell. Sigurisht që sot trendi i aplikimit të aparaturave solar është i rritur krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo rritje e kësaj tendence lidhet dhe me vetë trendin e rajonit veçanërisht shtim i aplikimit të aparaturave solar vërehet në Itali. Aplikohet më shumë në grupmoshat 20-35 vjeç, qofshin këto femra ose meshkuj.

Çfarë shkakton në lëkurë përdorimi i tij pa kriter?

 Dëmet në lëkurë të aplikimit të solareve janë të mëdha jo vetëm në se përdoren pa kriter por dhe pas një ekspozimi të vetëm. Pasojat janë të rënda jo vetëm pasi mund të shkaktojë kancer lëkure, por ndikon ndjeshëm dhe mbi “kolakenin” e elastikën e lëkurës duke shkaktuar plakje të parakohshme.

Ata që bëjnë solar, janë të informuar në lidhje me efektet negative që sjell ai në lëkurë?

 Pjesa më e madhe nuk janë të informuar për dëmet e këtyre seancave. Një pjesë megjithëse i njohin rreziqet, përsëri aplikojnë disa seanca përpara frekuentimit të plazheve.

 Ka qëlluar që disa persona që e përdorin masivisht solarin të ankohen tek ju? Si keni vepruar?

Po, shumë persona i drejtohen mjekëve dermatologë pas aplikimit të aparaturave solar. Kjo ndodh dhe menjëherë, por dhe pas disa viteve të aplikimit të solareve. Një nga efektet anësore të padëshirueshme të menjëhershme mund të jetë djegia nga solari. Efekte të tjera në harkun kohor është ndryshimi i formës dhe madhësisë së nishaneve apo edhe më keq, kanceri i lëkurës. Sot në botë, veçanërisht në Amerikë këto makineri quhen “Makineri të kancerit”. Në mënyrë absolute nuk rekomandohet të aplikojnë solar personat me lëkurë ngjyrë të çelur (fenotipi I, II), personat me histori familjare për kancer lëkure si dhe personat me shumë nishane.

Edhe ushqimet “nxijnë”

 Sekreti për një nxirje të lëkurës nuk qëndron vetëm tek ekspozimi ndaj rrezeve të diellit, as ndaj solareve. Së fundmi, është vërtetuar shkencërisht që edhe ushqimet kanë rolin e tyre kontribuues për një trup me ngjyrë çokollate. Kështu, të gjithë ata që kanë prenotuar pushimet e tyre në javën e dytë të gushtit duhet të nisin që tani planin për të pasur një trup me ngjyrë përpara se t’i drejtohen plazhit. Sipas studiuesve, “beta-karotenët” konsiderohen anti oksidantë të fuqishëm. Kur përqendrimi i tyre në trup është i lartë, këto pigmente shkojnë së pari në mëlçi, në yndyrë dhe në lëkurë. Është pikërisht ky fenomen që i jep lëkurës ngjyrë bronxi. Veçse, këto ushqime të pasura me “betakarotenë” duhen konsumuar të paktën dy javë përpara se të niseni për pushime. Kjo, për të pasur një nxirje intensive dhe uniforme.

Po cilët janë këto ushqime? Të gjithë këto fruta dhe perime të kuqe dhe portokalli si domatja, karota, specat e kuq, pjepri, mangoja etj si dhe perimet me gjethe jeshile si spinaqi, brokoli, lakra dhe majdanozi. Çdokush mund të pyesë se ku mund të gjendet pigmenti i lartpërmendur tek lakra apo spinaqi. Shkencëtarët thonë se edhe pse nuk i shohim këto pigmente, ato janë aty dhe ruhen thellë në fruta apo perime. Kështu, një dietë e mirë për ata që planifikojnë të shkojnë në plazh pas dy javësh është: në mëngjes duhet të konsumohet sa më shumë lëng portokalli, çaj dhe një fetë buke me djathë ose drithëra dhe në drekë sallatë domatesh me qepë dhe vaj ulliri apo peshk të pjekur në skarë. Po ashtu, për të pasur një lëkurë të nxirë këshillohet konsumi i vezës, gjalpit, qumështit dhe peshkut yndyror për vitaminën A; konsumin e kivit, manaferrave, frutave të kuqe, agrumeve dh specave për të marrë vitaminën C; si edhe konsumin e vajrave vegjetarianë dhe drithëra për vitaminën E. Sipas studiuesve, vitaminat A,C,E , mineralet dhe antioksidantët luftojnë radikalet e lira të krijuara nga rrezet e diellit të dëmshme për qelizat e lëkurës.

Për një lëkurë të shëndetshme gjatë periudhës së verës

Dermatologia Monika Fida jep këshillat e saj për të kaluar një verë sa më të sigurt dhe të shëndetshme nga pikëpamja estetike e trupit. Sipas saj, aplikimi dhe ri aplikimi i kremrave me faktor të lartë mbrojtës SPF është domosdoshmëri për një ekspozim të sigurt. “Në mënyrë që të mbrojmë lëkurën tonë nga efektet anësore të rrezatimit diellor rekomandohet një ekspozim në diell sa më i kujdesshëm. Duhet të evitohet ekspozimi gjatë orëve 12:00-16:30. Të domosdoshme janë syzet mbrojtëse dhe kapelja”, thekson Fida. Një kujdes të veçantë iu duhet kushtuar fëmijëve, sidomos atyre që kanë një lëkurë më të ndjeshme. Fida këshillon ri aplikimin e kremrave me faktor mbrojtës pas çdo larjeje ne det. Po ashtu, gjatë ekspozimit në diell, duhet të konsumohen sa më shumë lëngje si dhe pas ekspozimit të aplikohen kremra “emollient hidratues” në mënyrë që lëkura të hidratohet sa më shumë. Ndërsa për t’u ruajtur nga efektet negative të kontaktit të lëkurës me ambientin e pushimit duhet të kujdesemi veçanërisht sepse gjatë lojërave, ecjeve, shëtitjeve në natyrë ose edhe në rërën e plazhit, mund të kemi kontakt me bimë, insekte, kafshë apo mikrobe, të cilat mund të shkaktojnë probleme në lëkurë. Në plazh duhet të eliminohet kontakti i drejtpërdrejtë me rërën apo shezlonet e përdorimit të përgjithshëm. Këshillohet vendosja e një peshqiri në mënyrë që të shmangim marrjen e infeksionve, sidomos në plazhet jo të pastra. Po ashtu, këshillohet përdorimi i shapkave apo i sandaleve të plazhit sepse ato jo vetëm që zvogëlojnë kontaktin me papastërtitë e mundshme, por ruajnë edhe nga mikrotraumatizimet që mund të bëhen burime infeksioni. Uji i detit sidomos në plazhet e mëdha bëhet i rrezikshëm në rast se kemi plagë të ndryshme në trup dhe nuk është një faktor që i ”përthan” ato. Kështu uji mund të jetë burim i infeksionit për plagën

Të aplikohen ato me faktor të lartë mbrojtës

 Kremrat solar me faktorë mbrojtës realizojnë mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimet e rrezeve UVA ( që akuzohen se shkaktojnë kancer lëkure) dhe UVB ( të cilat akuzohen si dëmtues në elasticitetin e lëkurës). Sot në farmaci gjenden kremra dhe tableta dhe me veti “autoabronzante” ( vetë nxires). Tabletat përmbajë “tirozinë” dhe “beta-karoten”, përbërës këto që nxisin më shumë prodhimin e melaninës. "Problemet që lidhen me aplikimin e kremrave vetë nxirës lidhet me njëtrajtshmërinë e aplikimit të kremit dhe rrezikun e marrjes së ngjyrës jo të njëtrajtshme", shpjegon mjekja dermatologe, Monika Fida. Gjithsesi, mjekët dermatologë në botë sot rekomandojnë përdorimin e kremrave solar me faktor të lartë mbrojtës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama