Fytyra e imët e shenjtorit ka aq dritë dhe pse tabloja ruan ende shenjat e goditjeve ose forcës që njerëzit kanë ushtruar mbi të kohë më parë për ta hequr që aty. Shumë pranë tij ndodhet një tjetër shenjtor, Shën Mëhilli. E njëjta e kuqe, vetëm se në duart e tij dallohet një shpatë. Ka diçka përtej të kuqes, që Onufri kërkonte ta vendoste në punët e realizuara prej tij. Diçka që sot përcjell një forcë përtej besimit. Shekuj nga koha kur Onufri (ky piktor që ende na magjeps me mënyrën sesi konceptoi artin kishtar, portretin e së cilit mund ta imagjinojmë vetëm duke parë fytyrat e shenjtorëve që ai krijoi, duke iu referuar teorisë së piktorët nuk i largohen dot vetes kur kërkojnë të ndërtojnë një imazh), i krijoi këto ikona që vijojnë të mbeten si pjesa më autentike e një kohe, kur Shqipëria ishte ndoshta në të njëjtat linja me artin që bëhej në hapësirat jashtë saj. Historianët e artit kanë folur gjatë për Onufrin, ashtu siç kanë folur për të birin, Nikollën, që ndoqi udhën e të atit në kthinat e kishave të ndryshme të vendit, duke u dhënë jetë personazheve që personifikonin dashurinë e pafundme ndaj Zotit.
Me syrin e një besimtari, që e dallon lehtë të kuqen e Onufrit, këto ikona janë më tepër se një vlerë artistike, siç do t‘i quanin studiuesit. Ndoshta, për faktin se janë vendosur në një vend ku njerëzit vijnë për të pastruar shpirtin dhe për t‘iu falur krijuesit të tyre. Ndoshta prandaj dhe fytyra e Shën Gabrielit shëmbëllen me atë që është brenda nesh. Nëse mbërrijmë në këtë kishë një mesditë kur jemi të trishtuar, brenda nesh, sytë e tij janë të njëjtë me tanët, por nëse mbërrijmë aty me dëshirën për ta bërë më të madhe shpresën brenda nesh, e kuqja në rrobat e tij i reflektohet në sy, duke na dhënë aq shumë dritë.
Ndodhemi në Dioqezën Shën Maria, një Kishë Ortodokse e stilit bizantin, e ndërtuar sipas kulturës së hershme paleokristiane të pellazgëve, diku mes lagjes së njohur si Kalaja në qytetin e Elbasanit. Mjafton të ndjekësh hapat e njerëzve që rendin për të hapur portën e saj të vjetër të drunjtë, për ta gjetur atë. Ca rrugica të ngushta, tipike për këtë lagje historike të qytetit, mbartin intimitetin e mendimeve, që gjithsecili mbart me vete teksa merr udhën për në ndërtesën ku pret të takojë fuqinë e Zotit. Eshtë interesant fakti se shumë pranë njëra-tjetrës janë vendosur në të njëjtën hapësirë jo vetëm kjo kishë nga më historiket në vendin tonë, por dhe ndërtesa e ish-Normales së Elbasanit dhe në oborrin që laget lehtë nga vesa e këtij mëngjesi prej vitesh qëndron i heshtur varri i një prej rilindësve, Kostandin Kristoforidhi.
At Nikollën (famullitari i kësaj Kishe Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare) e gjejmë në një nga dhomat e vogla të kësaj kishe, ku mbi tryezë ndodhen qirinj. Ai është veshur prift më 8 tetor të vitit 1995 nga Sinodi i Shenjtë i Maqedonisë, ndërsa me këtë ndërtesë e lidhin shumë kujtime që nuk kanë të bëjnë vetëm me besimin. Babai i tij ka qenë drejtuesi i korit të muzikës kishtare, ndërsa besimi është motoja e jetës së këtij prifti.
At Nikolla Marku mund të flasë gjatë për kishën. Për vetë vlerat që mbart brenda saj, ajo nuk është thjesht një vend i shenjtë ku besimtarët gjejnë takimet e tyre me Zotin, por dhe një nga vendet më të vizituara nga turistët e huaj që kërkojnë të shohin ato çfarë kanë mbetur në këtë vend nga arti bizantin. E ndërtuar në vitin 1486-ën, ajo është e rrethuar nga vijëzimet me mure të larta, ku qëndronin dikur varrezat e qytetit. Kisha ka nën sipërfaqen e saj (katakombet), ku janë vendosur tërë trupat e të vdekurve (në një thellësi) prej 4 metrash. Sipas të dhënave gojore, kisha është djegur në vitin 1819 dhe është restauruar që nga viti 1826-1833, ku që nga ky vit funksionon normalisht.
Gjatë kohës së komunizmit ajo ka qenë e mbyllur, e përdorur si magazinë për materiale të ndryshme, apo dhe për ruajtjen e ikonave.
Por, ajo çfarë të bën të rikthehesh shpesh te kjo kishë është ikonostasi. 40 mjeshtër të përpunimit në dru nga qyteti i Dibrës kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet në hapësirën e kësaj kishe, për t‘i dhënë jetë një prej veprave, ndoshta më të arrira të artit kishtar në vend, i cili ende sot ruan ndjesitë e bukura të kopshtit të Edenit (të Zotit). Mbi tryezën e mbuluar me një rrobë ngjyrë argjendi, dy qirinj të bardhë janë të ndezur, ndërsa duket se përtej saj t‘i mund të shohësh në atë kopsht fuqitë që kërkon. Ky ikonostas është ndërtuar në vitin 1856 dhe ka qenë i kompletuar me tërë ikonografinë e duhur të pikturuar nga tre nga përfaqësuesit më të njohur të artit bizantin dhe postbizantin në Shqipëri, Onufri, i biri i tij, Nikolla dhe David Selenica. Mendohet se të gjitha ato dritare të pafundme që mbushin kopshtin (ikonostasin) kanë qenë të mbushura me ikona të këtyre mjeshtërve, të cilat janë vjedhur gjatë kohës së trazirave në vend. Ajo çfarë ka ndodhur me këtë ikonostas është ndonjë nga krimet më të rënda që i është bërë historisë së këtij arti. Të vetmit që kanë mbetur janë Shën Gabrieli dhe Shën Mëhilli dhe kryeengjëjt e Zotit. At Nikolla Marku tregon se dhjetëra njerëz mbërrijnë shpesh në këtë kishë vetëm për të parë ikonostasin. Një tjetër objekt me vlerë, të cilin nuk kanë mundur ta vjedhin pasi është pikturë murale, ndodhet jo shumë larg ikonostasit. At Nikolla e quan një tablo të mrekullueshme, ku mund të kuptosh më mirë thënien e teologëve grekë se arti kishtar është një refleks i realitetit të Zotit.
"Në këtë kishë madhështore kanë mbetur disa ikona të pakta që tregojnë kulturën mesjetare, por shumë të arritshme të popullit tonë", thotë at Nikolla. Sipas tij, kulturën mesjetare e tregon më së miri dhe vetë ndërtimi i saj i tëri në gur.
Por, at Nikolla e kujton me trishtim faktin se një pjesë e mirë e vlerave që mbarte kjo kishë u bënë objekt vjedhjeje. "Me ardhjen e proceseve demokratike u pa e nevojshme që krahas hapjes së institucioneve të tjera të rilindeshin edhe institucionet fetare, por u vërejt një lëvizje e pakontrolluar, ku këto institucione, kisha xhami e teqe, u kthyen në vende grabitjeje ikonash e vlerave të mëdha arkitekturore të tyre", thotë ai.
"Trupi" i Shën Gabrielit e tregon më së miri këtë. Ajo ikonë, që përcjell aq shumë dritë, ruan ende gjurmët e rënda të forcës për ta grabitur. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Shën Mëhillin, shenjtorin që ka imazhin e një luftëtari, i cili në duar mban fort ungjillin. Ikona bën pjesë në jetën e brendshme të kishës dhe të gjithë studiuesit që janë marrë me zbërthimin e saj u referohen rregullave të këtij institucioni. Paçka se ne kërkojmë të gjejmë shpirtin që Onufri kërkonte të ngjizte në këto ikona, që pavarësisht viteve duken aq të gjalla sot.
Për të krishterin shpirti është "i mishëruar" në çdo anë, ose nëse u referohemi studiuesve, shpirti i Zotit në veçanti mishërohet në fjalë e në gjeste në sakramente, krijimin e një realiteti të ri, të një bote të re.
Brenda kësaj kishe mund ta gjesh gjithmonë një botë të re. Mjafton të shkosh dhe të shohësh rrobën e kuqe të Shën Gabrielit, që dhe pse është pjesë e një arti "religjioz" tregon se sa e rëndësishme është të kemi një pjesë të tillë të kuqe brenda nesh.
Ikonaklaste ikona bën pjesë në traditën dhe jetën e brendshme të kishës. Në fakt, fijet e saj janë thellësisht të lidhura me Ungjillin dhe me liturgjinë e duke i pasur kështu rrënjët në zemër të fesë ajo fiton një dimension që kalon botën reale drejt irreales.
Dhe pse Shën Gabrieli e Shën Mëhilli tashmë nuk kanë më mozaikun që i shoqëronte (ikonat e tjera që janë vjedhur) ato vijojnë të jenë aty për të shoqëruar me vështrimin e tyre përballjen e besimtarëve me "Kopshtin e Edenit", duke përcjellë te secili prej tyre pak forcë, atë forcë që Onufri i ngjizi te ta me ndihmën e Zotit.
Marre nga : Gazeta Shqip











