Treni projekti qe ktheu pronaret ne te pastrehe

'Treni', projekti qe ktheu pronaret ne te pastrehe

Kanë jetuar jet’ e mot atje, por s’është e thënë, që e ardhmja t’i mbajë sërish aty. Janë dyfishuar, trefishuar në frymë dhe madje kanë zgjidhur vetë dhe problemin e mbijetesës ekonomike me ato dyqanzat e vogla, ku vishet e mbathet e gjithë Tirana. Por, edhe kjo s’ka mjaftuar pasi befas projekti i sapoinauguruar i Bashkisë për Bulevardin e Ri, jo vetëm që se ka marrë parasysh problemin e pronësisë së tyre, por edhe është treguar krejt indiferent me realitetin e shpronësimeve të tyre, që tani i kthen shumë nga banorët autoktonë të kryeqytetit në radhët e skamnorëve...


“Mirë ua bonë këtyne. Pse kështu do rri Tirona? Mirë ua bonë”. Gruan e tërheq mënyra sesi po bëjmë fotot dhe paqësia me njësitin e Policisë Bashkiake, që ka shtruar stolat e gjatë të sallës së pritjes së ish-Stacionit të Trenit të Tiranës dhe sodit shkatërrimin. E pasi rrotullohet e rrotullohet ndalon. Bashkë me disa kureshtarë të tjerë përpiqen të kalojnë kohën me rrafshimin e stacionit 60 vjeçar të kryeqytetit, tashmë kthyer në një si vendmbetje lufte pa luftë. Dy endacakë, pak më tej, kanë zënë vend pas stolave dhe të shtrirë poshtë batanijeve, ekzistojnë vetëm si forma..., të patrazuar prej askujt  në një gjumë vdekje. Më tutje një “karkalec” vazhdon të punojë i patrazuar. Romë, punëtorë, endacakë, policë të bashkisë, hallexinj sorollaten aty-këtu. Është krijuar një komunitet spontan që endet, vëzhguar me inat herë pas here nga banorët që pas rrethimit me hekur. Qetësinë e këtij realiteti e prish një zë. “A po m’ndihmon me m’shit do hekra. Ta po t’i japi gjysmën”, më thotë një burrë mes një paragrafi të tërë fjalësh, që s’i kuptoj. Nuk kam gjë në dorë, ia kthej.

 

“T’kqyra me policin. Thash’ se do kishe ndonji gja në dor. Jena keq. Kqyr, si kam met (Më tregon këpucët me majë)!” I tregoj se për këtë duhet të flasë me policët dhe ata, mbase e ndihmojnë...Iki. Dy banorë shikojnë përtej. Stacioni i Treni është kthyer në gërmadhë dhe ka mbetur vetë, vendi i biletave dhe Salla e Pritjes. I gjithë vendi, 400 metra larg qendrës, u bë qendër e vëmendjes publike kur pak ditë më parë kryebashkiaku Basha, me një zë të ngjirur, inauguroi përmes kundërshtimeve të banorëve, punimet. Zërat e mbytur të banorëve nuk e fashitën aspak urrejtjen për pabesinë me të cilën u veprua për vlerësimin e pasurisë dhe mbi të gjitha panjohurinë tërësore të Bashës për problemin e tyre. Mjedisori Ferruni shtoi edhe këtë argument në qerthull:“Asnjë nga ideatorët apo klientët e ngjeshjes së Tiranës me ndërtime në kufij të skajshëm nuk mund ta trajtojnë territorin e Tiranës totalisht të shkëputur nga zhvillimi i pjesës tjetër të vendit. Këtu fillon gabimi më i madh zhvillimor , por dhe ligjor. Sipas ligjit për planifikimin e territorit një plan rregullues i kryeqytetit të vendit duhet të ketë një vlerësim strategjik mjedisor e social (VSM), ku argumentimi i impaktit të planit rregullues në pjesë të tjera të territorit të vendit është detyrim”, shkroi ai mu pak ditë para botimit të këtij artikulli.

Banorët


Nuk besoj që banorët e Trenit e lexuan shkrimin e tij, por ata vetë e dinin prej kohësh se këtu do kalonte gjurma e ndryshimeve të mëpastajme të kryeqytetit. Ndër vite, u ndërruan kryebashkiakë, u shkëmbyen administrata, por për problemin e tyre s’u bë gjë. Tashti kqyrin me inat që pas hekurave ‘katrahurën’. Përtej, më ‘të qeshurit’, kuptohet nga halli, janë punonjësit e mbetur të peronit të trenit me biçikletat e vjetra. Pak minuta më pas do i shoh teksa përzihen me banorë dhe shitës të ngeshëm të Pazarit të madh të rrobave në klubet e rrugës “Skënder Kosturi“, ku flitet për gjithçka. Paradite zakonisht protesta e banorëve fashitet, për të marrë jetë pasdite. Por, debati i tyre është prezent për të gjithë, teksa një grup burrash gati-moshatarë argumentojnë me njëri-tjetrin për Enverin dhe të tjerat. I lë, përkohësisht, teksa jam shtyrë pak më tutje, ku banorët që banojnë në krahun e djathtë të rrugës kanë lënë katet e para për dyqane ose i përdorin vetë. Ata, më shpjegojnë të parët, por disi konfuzë realitetin. Një grua, më thotë se janë disa kurora dhe me paratë e shpronësimit që u kanë llogaritur tokën, nuk mund të bëjë dot asgjë. Janë tre kurora dhe vlera e shpronësimit është vetëm 70 milion Lek (të vjetra). A mund të blesh gjë me këtë?-më drejtohet.”Çdo pasdite dalim dhe protestojmë!”. Po për çfarë? “Për të gjitha. Na gënjyen maskarenjtë. Ku do shkoj pas kësaj. Ku do shkoj?Nuk lëviz nga vendi sikur dielli e toka të bëhen njësh”,-ma bën me shenjë gruaja, duke e ngritur zërin, që e ul sakaq, teksa dy djem të rinj vinë dhe i marrin një dëng me rroba. Një burrë më i ngeshëm më shikon nga sytë e këmbët, sikur do t’më thotë: Pse ti do më zgjidhësh punën?

 

Më flet kursyer. Vërtetë hallin që ka, nuk ia zgjidh dot unë, kur nuk ia kanë zgjidhur t’gjithë kryebashkiakët e qytetit tim. E tret vështrimin pastaj në pallatet e mbira matanë, që ngrihen si kulla mbi lagje dhe që pak kohë më parë i shpërngulën dhunshëm banorët romë. U fol shumë, por romët e gjorë e pësuan, ndërsa ai që bëri pallatet pretendon t’i shesë sot me gati 1200 Euro metrin katror dhe jo me 230.000 Lek, si pretendohet sot nga autoritetet për banorët. Ky është problemi themelor. Nga ajo që kuptoj është se të gjitha administratat e paafta i kanë tallur. Siç ndodh në kapitalizëm, fajin, ia kanë lënë njëra-tjetrës, sikur ata të mos ekzistonin fare. Ndërkohë, banorët janë shtuar e shtuar. E dimë se çdo qytet duhet të këtë një stacion treni, por “pse në kurrizin tonë. Ky që thonë projekti për Shqipërinë evropiane neve na varros. Nëse ky plan shkatërrimtar vihet në zbatim pasojat në të ardhmen do të jenë tepër të mëdha...”, më thotë dikush që s’më duket si banor. Sakaq është afruar dikush tjetër: “Jemi katër kurora. Po ata që kanë ik”, ma pret një grua tjetër. U bëj të qartë se kam ardhur thjesht të fotografoj dhe jo të merrem me zgjidhjen e gjërave të tyre. Nuk kam tagër. Kjo, po. Binden. Pushojnë. Të shkretët e kanë zgjidhur vetë problemin e tyre, pa iu drejtuar askujt dhe të bllokuar kur prej vitesh u thoshin se kishte plan! Shumë, ndërkohë kishin dokumentet për legalizim. Si për ironi, zyra e legalizimit është fare pak metra më tutje dhe punonjësit e saj kalojnë për çdo ditë mes dyqaneve të shumta të tyre...Dhe, më shumë akoma, historia e tyre nuk do të bënte përshtypje, nëse nuk do të institucionalizohej, ditët e fundit dhe përfaqësuesit e tyre të dilnin hapur për median...
 
Iliri dhe Spiro


Ata, janë vërtetë, njerëzit që më ndihmojnë të sqarohem. Spiro Demiri  dhe Ilir Gjoka, ky i fundit një specialist veteran për pronat dhe njeriu që e njeh problemin teknikisht më mirë, më sqarojnë hapur për të gjitha. Spiro duket si simbol i përpjekjes dhe përballjes së banorëve, kurse Iliri truri teknik. I pres për shumë kohë, sepse vinë nga Avokati i Popullit, ku burokratët e Ombudsmanit, i kanë sorollatur pa fund. Spiro më bën të njohur gjenezën e problemit që në kohën e Edi Ramës për zgjatimin e njollës së Bulevardit dhe historinë që rinisi me Bashën, ku banorët shpesh të përfaqësuar nga Spiro debatuan me autoritetet, duke ua pranuar se e kuptonin dhe e vlerësonin ndryshimin e Tiranës por kërkonin ndërkohë edhe një zgjidhje të pranueshme për të ardhmen e tyre. Kur burokratët fshehur pas dosjeve u kanë bërë preventivat e parë, ata kanë pasur një argument. Kur, pallatet që shiten pranë tyre janë nga 1200 Euro për metër katror, pse shtëpitë e tyre të vlerësoheshin deri me 27.000Lek për metër katror. Madje, Spiro e ka përmbledhur edhe më qartë që në përballjet e para: Çfarë do bëhet me legalizimet? Sa do jetë çmimi? Shpronësimet? Zonat? Iliri, që e dëgjon pa folur, më rrëfen kërkesën e banorëve, që preken nga shpronësime. “Kjo është vetëm maja e ajsbergut, por është një fenomeni social ‘kronik’ i mbartur  nga një legjislaturë në tjetrën, nga një staf bashkiak  në tjetrin që pas viteve 90’”, më sqaron.

 

Iliri është inxhinier dhe një njeri me një Cv të gjerë, nga ata pak njerëz që e kanë të llogaritur të gjithë jetën si luftë për të mbijetuar vetëm me aftësi. Ma shtjellon me një zë të shpejtë që shpesh ngutet, më teknikisht panoramën: “Dyndjet demografike por edhe shtimi  natyror i popullsisë së kësaj bashkësie autoktone solli nevojën  urgjente  për një zhvillim urbanistik të domosdoshëm të këtyre zonave. Por, nevojat dhe kërkesat për leje ndërtimi për banesa dhe shërbime ndeshën në një ‘bllok të ngurtë’ mospranimi nga të gjitha administratat shtetërorë që zëvendësonin  njëra-tjetrën. Në kushtet e nevojës ekstreme, banorët kryen ‘fajin’ e ndërtimeve pa leje, por që kurrë nuk iu morën parasysh ‘papërgjegjshmëritë e këtij faji’ duke iu legalizuar menjëherë banesat, pikërisht në sajë të kësaj nevoje ekstreme, për të plotësuar vetë nevojat bazë për ekzistencë të parashikuar nga ‘Konventa  Evropiane e të Drejtave dhe Lirive themelore të Njeriut’. Pra, pengesa kryesore ishte pikërisht togfjalëshi: ka plan: prandaj s’ka leje për ndërtime” . Më pak fjalë, vetë shteti i privoi banorët nga zgjedhjet e tyre alternative. Logjika që paraqet është shumë e thjeshtë.

 

Për shumë vjet, këta njerëz të thjeshtë (ai vetë banon jo shumë larg që këtej) bënë përpjekje për të strehuar pinjollët duke e kufizuar shtetin nga kërkesat e mëdha për shtëpi dhe madje duke zgjidhur deridiku edhe problemin ekonomik me dyqanëzat, ku sot vishet gati gjysma e popullsisë së kryeqytetit. Kjo, jo vetëm s’u mor parasysh, por burokratët e zhvlerësuan gjithçka me vlerat qesharake që dhanë për pasuritë e tyre, i cili është jashtë logjikës reale të pasurive të patundshme sot, për vlerën e strehimit. Pra, banorët me arsyen e burokratëve, nga ish-pronarë logjikisht i shtohen kategorisë me statusin e të pastrehut, por edhe me privimin e punës së tyre. Ky, kuptoj se ishte thelbi i protestës dhe përpjekja që banorët nuk e linin të ngrihesh podiumi për të folur i kryebashkiakut. Për këtë masë s’është Iliri. Nuk bëhen gjërat me protesta të tilla, thotë. Duhet të dimë se çdo ndodhë në të ardhmen me këtë bashkësi të margjilizuar, më sqaron. Ky është vetë problemi. Pak minuta më vonë, kuptoj se kjo përpjekje e shtetit ka të ngjarë që të shkojë drejt një handikapi të ri. Pas përgjigjeve të ankimeve administrative, banorët duhet t’i drejtohen gjykatave. “Dihet se paditë duhen dorëzuar brenda një muaji nga data e marrjes se njoftimit. Mirëpo, shumica e tyre nuk do të legjitimohen si paditës, (e për pasojë do humbin mundësinë e pranimit të padisë), pasi janë aktualisht trashëgimtarë faktikë e jo ligjorë, pra nuk kanë ndjekur e zbatuar proceduren e kalimit të trashëgimisë, (qoftë ligjore ose testamentare), nga trashëgimlënësi tek djemtë, vajzat ose nipërit e mbesat sot.

 

Edhe ky proces ka dhjetëra vështirësi për t’u realizuar, qoftë ato për gjetjen e trungut familjar, personat e vdekur, personat e gjallë që mund të jenë(apo janë) jashtë shtetit, qoftë edhe për të zhvilluar procese paraprake gjyqësore për shpalljen ‘i zhdukur ose i vdekur’ i personave potencialisht trashëgimlënës e që në praktikën e zakonshme procedura zgjat nga tre ne gjashte vjet”. Eh atëherë? Iliri, me një zë tashmë të stërmunduar nga përpjekja, më sqaron se ka një zgjidhje, që ai ia ka prezantuar dhe Avokatit të Popullit, që do të thotë : të pranohet kërkesa e banorëve dhe t’u rekomandohet institucioneve përkatëse të Shpronësim- Vlerësimit, ose të pezullohet kthimi i përgjigjeve të ankesave derisa të legjitimohen ankuesit, për të pasur një proces të rregullt ligjor, apo sërish t’i rekomandohet ministrisë përgjegjëse (Ministrise se Brendshme), që ne dhe zbatim të nenit 6/1 (ligji nr 8561 date 22.12.1999 të punojë nga fillimi për çështjen. Që gjithsesi, nuk mbaron këtu: Iliri, në atë që do t’i referojë Avokatit të Popullit, i kërkon të kryejë ekspertizën për saktësinë e vlerësimeve, sidomos të çmimit për truall... E sërish nuk është fundi. Nëse nuk legjitimohen edhe ‘de jure’ trashëgimtarët ‘de facto’ “si do të bëhet kalimi i pronësisë nga pronë private në pronë shtet? ( në kushtet ku njihen pronaret), për të mundësuar përfundimin e procesit të shpronësimit, si parakusht për nisjen e punimeve”, e përfundon Iliri diskursin e vet.
...


Me burrat biem në heshtje, ndërsa disa punonjës të stacionit trenit, që kemi ndërruar pak fjalë herët në mëngjes, pak tavolina më tutje kanë marrë një pjepër dhe pak raki më duket. Burrat, që diskutonin për ndryshimin e regjimeve, kanë rënë në heshtje. Dikush, që më dukej më i arsyeshmi prej tyre, duket se nuk është marrë vesh me të tjetër. Ndaj, pinë pa folur. Një moment na afrohet dhe më prezantohet. Iliri rrëmon ndër letra. Spiro është gjithë sy e vesh për idenë e tij. E di që lufta sapo ka nisur, ndërsa e ndjejnë se janë vetëm. Jam sërish në udhë, ndërsa nuk u them dot se në këtë luftë duhet të jenë të bashkuar dhe të shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Pak minuta më vonë, jam sërish në udhë.

 

Banorët shesin e sorollaten sikur të mos ketë ndodhur asgjë, edhe pse sikleti u ka mbërritur shumë afër. Pas disa muajsh, kur ruspat t’u afrohen, atëherë do e shikojnë problemin krejt në kockë. Këtë që Spiro dhe Iliri, që i drejtojnë, e dinë dhe mbajnë prej kohësh brenda tyre si mundim. Sa do t’ia dalin? Një Zot e di? Gruaja, që e hasa në fillim, ka dalë sërish për Pazar. U tregon disa grave se ka qenë në Çikago në Detroit etj. Çuditërisht, emrin e tyre nuk e transformon si Tiranën. Banoret e shikojnë me indiferencë, ndërsa sytë u kullosin për ndonjë myshteri atypari. “Boh ça bonin. Rregull i modh. Sekush punën e vet amerikont...”. Që përtej, disa burra vazhdojnë e kundrojnë shkatërrimin e Stacionit të Trenit, vendit romantik, ku dikur kryeqytetasit iknin apo prisnin të afërmit, të dashurit. Është vjeshta e parë e vitit 2013.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama