Universiteti i Tiranës ka shpallur datat dhe procedurat e aplikimit të transferimit të studimeve për studentët e universiteteve që studiojnë në rrethe ose jashtë vendit. Formulari i aplikimit për transferimin e studimeve në UT, sistemi me kohë të plotë është hapi i parë që çdo student, i cili do të kërkojë të ndjekë programet e të njëjtit cikël në një universitet tjetër. Afati i pranimit të dokumentacionit për aplikim, në transferimin e studimeve është data 25 shtator, ndërkohë që dita fillimit të aplikimit është pikërisht sot. Ndërkohë sipas udhëzimit të Universitetit të Tiranës, aplikimi për transferim studimesh bëhet individualisht, pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së dhe për studentët nuk është e nevojshme që të merret leje nga institucionet, ku studiojnë apo të përcillen zyrtarisht nga këto institucione.
Dokumentacioni
Universiteti i Tiranës nuk pranon dhe nuk shqyrton aplikime për transferim studimesh nga programe studimi të ciklit të parë, që zgjasin më pak se 3 vite studimi. Studentët duhet të paraqiten pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e Tiranës deri në javën e fundit të shtatorit. Për aplikim në ciklin e parë Bachelor me kohë të plotë nga universitete jashtë vendit, universitete publike si dhe universitete private, të cilave nuk u është hequr licenca për në Universitetin e Tiranës, aplikantët duhet të dorëzojnë një sërë dokumentacionesh së bashku me tarifën e bankës. Ata duhet që të kenë më vete fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave dhe fotokopjen e kartës së identitetit. Për institucionet e Arsimit të Lartë jashtë vendit, dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri. Studentët që do të kërkojnë të transferohen duhet të kenë parasysh se të gjithë dokumentet duhet të jenë origjinale ose të noterizuara. Në formë zyrtare, me firmë dhe me vulë aplikantët duhet të dorëzojnë listën e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara si dhe programet përkatëse të këtyre lëndëve.
Formulari i aplikimit
Në çastin e paraqitjes, në zyrën e protokollit, pranë Rektoratit, aplikantët do të duhet të plotësojnë formularin e aplikimit për transferim, i cili është i ndërtuar nga një sërë të dhënash, ku përfshihen gjeneralitetet e tij (emri, atësia, mbiemri, datëlindja, numri i telefonit dhe adresa). Gjithashtu, ai duhet të plotësojë dhe të dhënat për universitetin dhe programin e studimit që ndjek (universiteti, fakulteti nga vjen dhe dega që studion). Më poshtë aplikanti duhet të plotësojë edhe të dhënat për programin e studimit që kërkon të transferohet (programi i studimit dhe fakulteti i Universitetit të Tiranës që kërkon të transferohet). Në formularin e aplikimit, është e shtruar si pyetje edhe arsyeja e kërkesës për transferim, e cila duhet të plotësohet nga vetë studenti. Në aplikimet për transferim studimesh nga Universiteti i Tiranës për në universitete të tjera, aplikantët mund të komunikojnë direkt me universitetet përkatëse, pa qenë e nevojshme leja nga strukturat e Universitetit të Tiranës. Por duhet thënë se pavarësisht nga numri i studentëve që do të paraqiten sivjet në UT, ky i fundit po përballet edhe me vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për regjistrimin e dosjeve dhe plotësimin e dokumentacionit për studentët, të cilët e mbyllën përfundimisht ciklin me universitetet e mbyllura. Dhe me shumë gjasë këto procedura transferimi nuk do të jenë dhe aq të lehta për t’u kryer, kur kanë mbetur dhe 3 ditë nga afati që MAS-i ka caktuar për ta. Kjo, sepse një pjesë e studentëve kanë mangësi në dosje, siç është për shembull dëftesa personale e shkollës së mesme. Në ditët në vijim do të mësohet për ecurinë e procesit të transferimeve, ndërkohë që universitetet do të hapin dyert në datën 20 tetor, sipas udhëzimit të lëshuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Shkollat private 9-vjeçare, nisin kontrollet për ligjshmërinë
Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka nisur kontrollin në të gjitha shkollat jopublike të arsimit parauniversitar në Tiranë, të sistemit me kohë të plotë. Pas përfundimit të inspektimit në shkollat e mesme jopublike, ku 12 prej tyre nuk do të vijojnë aktivitetin, si rezultat i heqjes së licencës, tashmë në sitën e MAS-it janë vënë 350 institucionet jopublike të arsimit parauniversitar, ku vetëm në Tiranë janë 170 prej tyre. Inspektimi, i cili ka nisur në shkollat e kryeqytetit do të shtrihet në mbarë vendin pas javës së ardhshme.
Zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj është shprehur se kjo është një reformë tërësore që po ndodh me arsimin në vend. “Mendoj se po bëjmë reformat më të thella që janë bërë ndonjëherë në sistemin arsimor, duke filluar me universitetet dhe duke vazhduar me të gjithë sistemin parauniversitar. Tani jemi në një fazë të rëndësishme. Sapo kemi përfunduar heqjen e licencave të institucioneve të sistemit parauniversitar, që kishin shkelje të rënda, por me një urdhër ministri, këtë javë do të kontrollohen të gjithë subjektet private në sistemin kohë të pjesshme. Kemi filluar me Tiranën dhe do të vazhdojmë dhe me të gjithë qarqet. Disa nga sfidat tona kryesore lidhen me detyrën që kemi vënë para qytetarëve për të shkuar deri te numri 30 i nxënësve në çdo klasë. Natyrisht, nuk do të bëhet sivjet, por hap pas hapi, po ashtu, rregullimi dhe heqja e të gjithë mësuesve që janë jashtë profilit. Kjo është një nga detyrat dhe një nga reformat më të mëdha, njëkohësisht, futja e mësuesit të fizkulturës, nuk do të cedojë tek orët e tjera. Do të bëjmë një vlerësim të të gjithë stafeve akademike dhe mësimore”- citon Malaj.
Ministria nuk shpërndan tekste falas për fëmijët në nevojë
Përkundër udhëzimit të pajisjes së fëmijëve në nevojë me tekste shkollore, që përcakton shpërndarjen e tyre pa pagesë, duket se kjo nuk po realizohet. Shqetësimi ngrihet nga Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve, i cili me anë të një deklarate, i ka kërkuar MAS-it të marrë masat e menjëhershme për pajisjen me tekste falas për fëmijët në nevojë. “Nga vëzhgimet tona dhe kontaktet e drejtpërdrejta me drejtoritë Arsimore në rrethe të ndryshme të vendit kemi konstatuar që viti i ri shkollor 2014-15 paraqet probleme për sa i përket pajisjes me tekste falas për fëmijët në nevojë. Pavarësisht Udhëzimit, nr. 8/1 “Për zgjedhjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore për vitin shkollor 2014- 15”, i cili ka përcaktuar afatet e shpërndarjes së teksteve shkollore, pranë organizatave mbështetëse të Koalicionit, prindër të minoritetit rom, egjiptian dhe grupe të tjera në nevojë, kanë raportuar lidhur me pamundësinë e pajisjes me teksteve shkollore pranë DAReve, gjë kjo që vështirëson dhe u mohon atyre të drejtën universale për arsim.
Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri me anë të kësaj thirrje urgjente dhe publike, i kërkon Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Financave, që në funksion të mbarëvajtjes së vitit shkollor 2014-2015, të marrin masa të menjëhershme për t’u siguruar falas dhe në kohë reale tekstet për të gjithë fëmijët në nevojë dhe në pamundësi për t’i blerë ato, sipas kërkesave të Udhëzimit të përbashkët të MF-së dhe MASH-it, i cili detyron çdo drejtori Arsimore që të ndjekë me përparësi procesin e shpërndarjes dhe shitjes së teksteve shkollorë në mënyrë që më 15 shtator të mos mbetet asnjë nxënës pa u pajisur me të gjitha tekstet shkollore”, - citohet në deklaratën e Koalicionit për Arsimimin e Fëmijëve.