Tradita e veres ne Pogradec

Tradita e veres ne Pogradec

Fshati im siç e quan Mitrush Kuteli tek “Fshati im e pi rakinë”, ka pasur një traditë të trashëguar brez pas brezi, në kultivimin e vreshtarisë, në bërjen e verës dhe të rakisë. Jemi pasardhës të enkelejve thoshin të vjetrit, që pinin verë e luftonin me trimëri si askush tjetër

(e shkrojtur me një toskërishte të këtyre anëve)


Qysh në krye të herës, ky fshati im siç e quan Mitrush Kuteli tek “Fshati im e pi rakinë”, ka pasur një traditë të trashëguar brez pas brezi, s’dihet se qysh e kur, por traditë aman, traditë të lashtë në kultivimin e vreshtarisë, në bërjen e verës dhe të rakisë. Jemi pasardhës të enkelejve thoshin të vjetrit, që pinin verë e luftonin me trimëri si askush tjetër, po të betohej Bardhyli dhe trimat e tij për verë, nuk kishte romak, grek, maqedonas, e ku di se çfarë që t’u prishte betimin, se vera ishte e shenjtë. Se edhe Justiniani prandaj e ndërtoi pallatin mbretëror në Lin, thoshte xhaxhi Mihallaqi, se kishin verë të mirë në këto anë, madje edhe pjesë e zbukurimeve të pallatit ishin rrushi e poçat me verë. Po domosdo, kjo traditë ka ardhur se ky fshati im jo vetëm di ta bëjë, por di edhe ta pijë verën e rakinë, dhe mirë madje, këtë e thonë gjithë pogradecarët, na e thotë edhe Kuteli: “Jo se më shket mëndja të ngrihem e të them se fshatrat e tjera nuk e pinë rakinë, po si e pi ky fshati im, s’ka fshat në botë. Në fshatin tim, o të lumtë goja, i vogli e pi kupën barabar me të madhin: as dridhet, as shembet, as shëmtohet”. Pogradecarët e vjetër tregojnë se të mëdhenj e të vegjël në vend të qumështit, për vakt mëngjesi kishin përsheshin me verë, por e thënë sot është e vështirë të besohet.

Në Pogradec të gjithë bënin verë dhe e kishin të paktën një but në shtëpi, kush një e kush shumë, kush të madh e kush të vogël, por aman vera nuk mungonte, qoftë derë e pasur apo derë e varfër. Interesante është se si të gjithë kishin një but me verë, se mirë ata që ishin në gjendje e kishin prona e vreshta, po ata që s’kishin, të varfrit? Ja që tradita e donte verën në shtëpi, dhe të pasurit me vreshta e bodrume të mëdhenj, bënin verë të mirë e jo shumë të mirë, se kishte rrush nga çdo lloj. Edhe të varfrit siç e donte tradita, shkonin e punonin në vreshtat e atyre që ishin më në gjendje, e në fund të ditës nuk merrnin lek për punën që bënin se kjo nuk ishte traditë, por merrnin dy – tri këllbra (enë prej druri, e ngushtë poshtë dhe e gjerë lart, me rrathë hekuri, pak si plloçake, përdorej për të mbajtur rrushin) me rrush, se domosdo, duhej bërë verë, se përndryshe nuk ishe pogradecar, e nuk të shikonin me sy te mirë.

Vera në Pogradec bëhej sipas traditës që kishin mësuar nga gjysh, stërgjysh, brez pas brezi. Pasi mblidhej rrushi në shtator ose tetor, shtypej dhe hidhej në bute druri. Lihej për një kohë, rreth dyzet ditë, por në varësi të motit, dhe të ëmbëlsisë së rrushit edhe më shumë ose më pak kohë derisa lëngu i shtypur i rrushit të fermentohej e të bëhej verë. Në Pogradec bërsitë (lëvoret e rrushit) nuk ndaheshin nga lëngu dhe vera dilte e fortë me aromë por edhe pak tanike (e athët). Gjatë kohës së fermentimit (javët e para) pihej mushti që është lëng rrushi i ëmbël, pa u bërë verë.

Çdo shtëpi pogradecare e kishte patjetër një bodrum, në mos një bodrum një vend të errët e me temperaturë konstante, në verë të freskët e në dimër jo të ftohtë, se para se të mendonin për dhomën e tyre, mendonin për verën, që t’i krijonin kushte sa më të mira, se pa të nuk jetonin dot, e ja u kishin lënë amanet të parët. Në shtëpi, vendi më i rëndësishëm bodrumi ishte, e po të të vinte ndonjë mik, në fillim para se ti shtroje tavolinën, në bodrum do e çoje, se s’do mend, duhej respektuar miku. Po të hyje në bodrum vështirë të dilje, se do i provoje të gjitha ç’kishte i zoti i shtëpisë, provo gemsin, provo muskatin, provo perlën, provo pamidin, provo rieslingun, provo tokain, e ndonjë shishe të vjetër që e kanë zënë merimangat, e provonte miku, se miku duhej kënaqur e duhej nderuar, se bëheshe gazi i gjithë fshatit pastaj.

Në Pogradec nuk të pyeste njeri si ke qenë, ata të shtëpisë si i ke, por nga shtatori, tetori, hë bre si t’u bë ay rrushi, është ndonjëçikë i ëmbël apo hiç, nga nëntori, dhjetori e në vazhdim, hë bre si t’u bë ajo vera, është ndonjëçikë e fortë, bërë ca verë sivjet, se si do e kalojmë dimrin, se është i ftohtë ky i uruar dimër e netët pa verë nuk ngrysen e gëdhihen, nga marsi e prilli, hë bre e mbarove verën, e zjeve rakinë, sa raki nxore, e pastaj e punove vreshtin, e stërkite, e krastite… Për verën flitej më shumë se për çdo gjë tjetër në Pogradec. Po të dëgjoje hallet e pogradecarëve, po hallet e mëdha aman, vetëm për verën ishin: lere bre lere, se mu thartua një but këtë vit, e një më ka ngelur, çdo bëj unë i shkreti me një but, ai s’më del as për vete pa le për miq e për vizita, po le atë, po turp bre, si të më thartohej. Lere bre se mua më ngeli i ëmbël ai buti që kisha shtënë me muskat kanellë, Ç’thoni bre ju, unë i gjori si do ja bëj, këtë vit nuk nxora fare raki, vetëm ca më ka ngelur nga viti i kaluar, vit i mallkuar.

Po të dëgjoje bisedat e pogradecarëve, mburrjet dhe lavdet, të gjitha për verë ishin: kam bërë një verë këtë vit, po lere bre, s’ka bërë ndonjëherë Pogradeci si kjo. Unë këtë vit kisha një rrush të ëmbël, po ç’të të them bre, 26 gradë ma tregoi ëmbëlsinë mushtometri, do më nxjerrë një raki që të çuditi të gjithë.

Pogradecarët e kishin zakon, kur bëhej vera, dhe netët e dimrit kishin orë plot, mblidheshin në shtëpitë e njëri – tjetrit kush gatuante peshkun e freskët të gjolit, apo mishin e derrit, kush sillte verën e kuqe apo të bardhë, se muhabeti i tavolinës rreth saj vërtitej, një natë te njëri, një natë te tjetri kështu shtyhej dimri i gjatë e i acartë. Ushqimi dhe vera ishin me bollëk, po vera që çohej te miku nuk kthehej më, o pihej aty e gjitha, o nga e pira e shumtë dush me verë bëhej, vetëm shtëpinë nga kish dalë nuk e shikonte më.

Kur mbarohej vera, bërsitë dhe ai pak lëng që mund të mbetej, bëheshin raki. Se çdo shtëpi siç kishte butin, kishte edhe kazanin e rakisë, dhe shumë mirë këtë traditë na i tregon Kuteli: “Po na u bë kësaj dite, o shok, ky fshati im plot kazanë. Kazan e shtëpi, shtëpi e kazan! Se ai që ka një kazan, është mbret më vete e të shikon që lart, si hipur më tartivan, sa mezi ta kthen mirmëngjesin. Mund të kesh ti ara sa të mundësh, gështenja sa të lodhesh e tregti të rëndë, me dengje, puna jote, po s’pate kazan numërohesh fundi i fshatit e pa nder. Ti mund të jesh aty në fshat den – baba – den, nga gjyshi e stërgjyshi e më tutje, po gjith i huaj je për defter e fshatit”.

Kur vihej kazani për të bërë rakinë, te i zoti i shtëpisë shkonin miq e shokë, e rakia pihej aty në vend, e fortë, e jo me kupa, po me poça e qypa, pinin e këndonin, gra e burra, i madh e i vogël, se kishte festë kur ziehej rakia.

Po sot…

Sot në Pogradec vazhdon, por e cunguar, dhe jo e plotë, tradita e vjetër e të bërit verë, ose më saktë, sot mundohen të bëjnë verë, ose gënjejnë mendjen se bëjnë verë apo më mirë të themi, bëjnë lëng rrushi me alkool, por larg asaj traditës së të parëve. Megjithëse sot mund të ketë më shumë kushte dhe mundësi, tradita për fat të keq është shtrembëruar dhe janë futur elementë negativë që po e prishin atë. Sot shumë njerëz kanë zëvendësuar butet e drurit me bute plastike, ndoshta për lehtësi, ndoshta për kosto më të vogla, por kjo e prish traditën. Sot shumë shtëpi me bodrume të vegjël a të mëdhenj, por që kishin kushtet minimale për verën janë prishur e janë bërë pallate, e njerëzit kanë filluar të mbajnë kadet plastike nëpër ballkone e tarraca, epo dreqi ta marrë, vera me diellin, të ftohtin, erën, zhurmën dhe dritën nuk jeton dot. Sot gjithçka po bëhet komerciale dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, këtyre kadeve plastike nëpër ballkone ku hidhet rrushi ju shtohet edhe sheqer, se na duhet verë e raki shumë, e na rroftë sasia se cilësia…

Çdo vit zhvillohet festa e verës dhe kjo është diçka shumë e mirë, që ndihmon në motivimin dhe zhvillimin e prodhimit të verës familjare sipas traditës, por vetëm diçka duhet të ndryshojë edhe në këtë festë që ngjall kaq shumë shpresë, duhet që festa dhe konkursi të mbrojë traditën, të mos lejojë lëngje rrushi të bërë nëpër kade plastike, të sheqerosura e ku di se çfarë. Ky është minimumi që mund të bëhet për të mbrojtur verën, për të mos e kthyer atë siç thonë pogradecarët e vjetër në “shollomotkë”, verë e thartë, e turbull, me shije të keqe.

E pra sot gjithë ajo trashëgimi e ruajtur dhe e transmetuar brez pas brezi po humbet, po transformohet, po shtrembërohet. “Gjyshi im, një banor i “fshatit të Mitrushit” thoshte: “biro nuk bëhet shaka me verën, se është si fëmija dhe do kujdes, që të bëhet e mirë dhe të rrojë gjatë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama