Tonin Tershana Nga shtepia e humbur te Sudja tek emigracioni dhe shtepia qe mora sot

Tonin Tershana: Nga shtepia e humbur te Sudja, tek emigracioni dhe shtepia qe mora sot

Ka zgjatur plot 10 vjet kalvari i një prej legjendave të muzikës shqiptare, Tonin Tërshana, për të pasur më në fund dhe ai një shtëpi. Artisti i madh i skenës muzikore ka marrë sot në dorë çelësat e shtëpisë në apartamentet që Bashkia e Tiranës shpërndau për dhjetra të pastrehë. Me shumë emocion dhe me zërin ende të ngrohtë e tepër muzikal ai rrëfen për JAVANEWS se ndjehet mjaft i lumtur që më në fund ka dhe ai shtëpinë e tij. Ai rrëfen se ashtu si shumë shqiptarë të tjerë humbi shtëpinë në kohën e piramidave përgjatë vitit 96- 97.

“Kisha një shtëpi dhomë e guzhinë tek Oxhaku. E kisha marrë nga Ansambli i Ushtrisë ku unë punoja. Vajza po rritej. Doja që nga një dhomë e guzhinë të bëhesha me dy dhoma e guzhinë, ku një dhomë ta kishte vajza. Shita shtëpinë që kisha dhe paratë i futa tek Sudja. Por gjithshka u përmbys. Humba shtëpinë, paratë. Gjithë mundi im i gjithë karrierës sime u fundos sa hap e mbyll sytë”- kujton Tërshana. Ai shprehet se ende sot i kujhtohet shija e hidhur e lotëve, pasi e gjithë familja mbeti “në mes të katër rrugëve”.

Aventura drejt Greqisë

Pas kësaj drame Tërshana niset drejt Greqisë. Ai tregon se në luftën për mbijetesë është detyruar të punojë dhe në ndërtim. Sa i përket zërit ai me trishtim kujton se vetëm merrte pjesë në ndonjë aktivitet të emigrantëve shqiptarë ku këndonte pa para. “Gjithkush shihte punën e tij. Ndërsa mua më kishte mbetur në mëndje koha e shkuar, por që në realitetin e ri nuk mund të hynte në punë për asgjë. Vajza që kisha në Greqi më ka ndihmuar shumë. Pa të s’do mund tia dilja kurrë”, shprehet për JAVANEWS, Tërshana.

Rikthimi në Tiranë

Në vitin 2005 e shoqja e tij Meri aplikon në Bashkinë e Tiranës, për të marrë shtëpi si e pastrehë. Për 10 vite me rradhë problemi i Tërshanës nuk merrte zgjidhje dhe për shkak të shumë ndërlikimeve politike të mazhorancave në këshillin bashkiak të kryeqytetit, ku nuk arrihej të merrej një vendim për ndarjen e banesave sociale. “Më prisnin mirë. Nuk më kanë thënë asnjëherë jo. Por problemi ynë kishte ngecur në vend”, kujton e shoqja, Meri.

Në vitin 2012 familja Tërshana kthehet përfundimisht në Shqipëri. Për tre vite me rradhë e shoqja e Tonin Tërshanës shkonte thuajse çdo ditë në bashki. “Më duket e pabesueshme që tani jam bërë me shtëpi. Shpesh herë jam ndier i fundosur. Ndjeja dhimbje për mënyrën sesi ndonjëherë merr jeta. Mosha bën të vetën. Unë s’kam më asnjë mundësi si më parë. Jetën e organizoj vetëm mbi bazën e pensionit që marr. Ndaj më duket se kjo që ndodhi është një mrekulli. Tashmë kemi sërish shtëpinë tonë”, shprehet Tërshana.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama