Sipas kryebashkiakut Rama, i cili dje bëri edhe rolin e moderatorit të mbrëmjes, mes emrave të zgjedhur "janë jo vetën ata që janë shembujt që kemi më shumë nevojë në një kohë ndryshimesh të mëdha, ku ajo çka ndryshon më ngadalë është përqasja e individit ndaj komunitetit, ndaj mjedisit". Votimi ka nisur nga 6 dhjetori, datë kur të gjithë qytetarët e interesuar u ftuan të dërgojnë pranë Bashkisë së Tiranës, propozimet e tyre për "10 Personalitetet e Vitit 2007". Mes personazheve spikatin si emra publikë, ashtu edhe qytetarë të thjeshtë.
I pari që mori titullin ishte Bexhet Bashllari, i cili ka mbjellë dhjetë dynym tokë lulishte, për komunitetin ku jeton. Apo familja Kika, që dhuroi 5 mijë metër katror truall në Selitë, për ndërtimin e një shkolle. Nuk mund të mungonin edhe emra të njohur të artit e kulturës, që tashmë nuk i përkasin vetëm Tiranës, por gjithë Shqipërisë, si aktori Timo Flloko, që Rama e quajti një "dashnor të paplakur" të profesionit të tij, që emocionoi publikun e kryeqytetit me rolin e Edi Karbones në dramën "Pamje nga ura".
Për të vazhduar me shkrimtarin Fatos Kongoli, i propozuar e më pas i votuar për "kalimin e shkëlqyer nga një epokë në tjetrën" në ciklin e romaneve "Burgjet e kujtesës", apo në veprën më të fundit "Jetë në kuti shkrepseje". Për sjelljen në shqip të autorëve të mëdhenj, kryesisht atyre gjermanë u vlerësua si personalitet i vitit 2007, përkthyesi Afrim Koçi. Si një shembull i qëndresës së palëkundur ndaj trysnisë dhe pasionit të politikës për ndryshuar vazhdimisht historinë, u vlerësua edhe historiani Kristo Frashëri. U vlerësuan gjithashtu për kontributin e tyre në fushat përkatëse sportistja Ana Qendro, gjinekologu Halim Kosova, etj.
Marre nga : Gazeta Shekulli