Tirana shtepia boterore e artit figurativ mbillen fidanet e pare

-Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit-

TIRANË, 21 Nëntor / ATSH-Klajdi Musabelliu/- Mbjellja e fidanëve të akurelit në Shqipëri, nisi sot që në orët e para të mëngjesit, ku në tre sallat kryesore të Muzeut Historik Kombëtar (salla e ekspozitave, Holli dhe Pavijoni i Pullave Postare) u zhvilluan një sërë aktivitetesh me rastin e hapjes së Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit, organizuar nga shoqata "VIZart".

Disa prej 210 artistëve pjesmarrës nga 58 shtete të botës, përpara ceremonisë së hapjes së bienales, zhvilluan që herët në mëngjes një work-shop në MHK, me nxënës dhe studentë të Liceut Artistik 'Jordan Misja' dhe Universitetit të Arteve, dhe menjëherë pas tij, ata u mblodhën për të ndjekur një koncert nga ansambli popullor me muzikë dhe valle e veshje tradicionale shqiptare.

Në çeljen e ceremoisë së bienales në mesditë, të cilën e përshëndeti edhe kryetari i Bashkië Tiranë, Erion Veliaj, Festivali Botëror i Akuarelit prezantoi për të pranishmit mbi 370 akuarele, vepra këto të cilat u mbollën dhe ngjyrosën jo vetëm gjithë Muzeun por edhe Tiranën, e cila sot u shfaqe e gjitha në gri.

Akuarelistët më në zë të botës, mjeshtrit shqiptarë të akuarelit, por edhe të rinjtë e shumë pjesmarrës nga licetë e vendit, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kinës, e kanë kthyer sot kryqytetin në shtëpinë botërore të artit figurativ, ku një tjetër aktivitet akuareli, por kësaj here totalisht rinor, u zhvillua në Qendrën Rinore, ku u vlerësuan gjithashtu edhe veprat e artistëve të rinj.

Pas mbjelljes edhe aty të fidanëve të rinj të akuarelit, rrugëtimi i artistëve të rinj në moshën -20 vjeç, filloi suksesshëm ku përveç çertifikatave të mirënjohjes dhe pjesmarrjes, u shpërndanë edhe 6 çmime për veprat e prezantuara.

Në vendin e tretë u renditën dhe vlerësuan me këtë çmim Klajdi Bullgari, Fedro Jani dhe Adela tufa, duke ia lënë rradhën dhe vendin e dytë Klaus Hyskos dhe Marigo Hyseinit, ndërsa Young Cing Jhang rrëmbeu dhe trofeun e artistëve 20 vjeçar.

Në fund të aktivitetit, në sytë e "jurisë" dmth akuarelistëve të rritur, nxënësit ndoqën një performancë të jashtëzakonshme të mjeshtrit indian, Amit Kapoor.

Por, përveç Muzeut Historik Kombëtar dhe Qendrës Rinore, sot gjatë mbrëmjes mbretërit e akuarelit do të prezantohen me 4 pavione edhe në edicionin 22-të të Panairit Ndërkombëtar "Klik Ekspo Group", i cili do të çelet në orën 17:30, ku arti dhe kultura e huaj do te këmbehen me monedhën e artit shqiptar në temën e "Biznes-Kulturë-Bashkëjetesë".

Ndërsa një surprisë dhe një performancë edhe më e veçantë do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave në orën 19:30, ku në nder të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, do të krijohet live një vepër portret-akuarel.

Aktivitetet dhe ekspozitat që çelen sot në kryeqytet, do të qëndrojnë të hapura për publikun deri më 25 nëntor./a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama