Tirana metropoli pa nje orkester filarmonike

Tirana, metropoli pa një orkestër filarmonike

Gjenezën e saj kjo orkestër e ka në fillim të viteve ‘70, me nismën e disa prej kompozitorëve e muzikantëve më të mirë, të cilët kishin studiuar në konservatorë brenda dhe jashtë vendit. Kemi parasysh këtu emra si: Zhani Ciko, Avni dhe Nina Mula, Gaqo Çako, Rifat Teqja, etj. Në të vërtetë, këta të rinj të asaj kohe kërkonin që të sillnin diçka të re dhe me vlera të tipit të muzikës operistike dhe instrumentale të autorëve shqiptarë e të huaj, gjë që u bë e mundur në 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit të madh Bethoven(1971), iniciativë që nuk zgjati shumë, pasi regjimi i asaj kohe e quajti, së bashku me festivalin e 11-të, si diçka borgjeze dhe të papranueshme për masat. Për hir të së vërtetës, në atë kohë në vend ekzistonin dhe dy orkestra të tjera, si ajo e RTSH-së dhe TOB-it, por sipas Zhani Cikos ato përmbanin jo plotësisht nivelin më të mirë. Ndaj dhe krijimi i kësaj orkestre ishte dhe është i nevojshëm. Por ç’është në të vërtetë kjo orkestër? Për maestro Cikon, krijimi i kësaj orkestre nuk i shërben vetëm imazhit të kryeqytetit, por dhe vlerave kulturore dhe rritjes së nivelit të këtij lloj zhanri muzikor, ku Shqipëria i ka të gjitha parametrat dhe mundësitë për t’u matur me botën. Në të vërtetë nuk janë të paktë instrumentistët dhe këngëtarët shqiptarë që kontribuojnë në orkestrat filarmonike të Berlinit, Athinës, Nju Jorkut, Parisit, etj. Po cilët duhet të jenë mbështetësit kryesorë të ringritjes së kësaj orkestre? Padyshim që MTKRS-ja dhe Bashkia e Tiranës duhet të jenë promotorët e rikthimit të kësaj orkestre pranë artdashësit kryeqytetas, si dhe turistëve të huaj që vizitojnë Tiranën. Subvencionimi i dyfishtë i këtyre dy institucioneve, por edhe donatorëve të ndryshëm në rigritjen e kësaj orkestre filarmonike do të sillte ringjalljen e muzikës së vërtetë shqiptare që krijuan ndër vite kompozitorët e njohur Çesk Zadeja, Tonin Arapi, Ferdinand Deda, Tish Daija, etj.

Tashmë krijimi i orkestrës filarmonike të Tiranës, sipas drejtorit të TKOB-it, Ciko, por edhe shumë muzikantëve dhe intelektualëve të tjerë, mbetet një domosdoshmëri.

Nëse Parisi, Roma, Vjena dhe kryeqytetet e tjera europiane krenohen me orkestrat e tyre simfonike, metropoli ynë duhet ta ketë të paktën një të tillë.
 

Armand Ziso - Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama