Tirana me xhamine me te madhe ne Ballkan

Tirana me xhamine me te madhe ne Ballkan

Rreth 4500 besimtarë myslimanë do kenë mundësi të luten në xhaminë e madhe, që do të ndërtohet në qendër të kryeqytetit. Drejtoria turke për Çështjet Fetare, njoftoi planin për ndërtimin e xhamisë më të madhe në Ballkan, pikërisht në kryeqytetin shqiptar, Tiranën.

Vendim erdhi pasi besimtarët prej kohësh ankohen për kapacitetin e vogël, që ofron Xhamia e Et'hem Beut. “Vetëm 60 njerëz mund të falen në të njëjtën kohë në këtë xhami, pavarësisht se 70 për qind e popullsisë është myslimane”, tha kreu i Fondacionit Diyanet, Ismail Palakoglu.

Në deklaratën për medien turke, Palakoglu tha se “planifikuam të ndërtonim xhaminë e re në një hektar tokë. Besimtarët janë falur në sheshin e Tiranës gjatë fundjavave, pasi Xhamia e Et'hem Beut nuk është mjaft e madhe”.

Lidhur me punimet, Palakoglu njoftoi se “ka vështirësi gjatë motit me shi. Xhamia e re do të ketë katër minare dhe rreth 4500 njerëz do mund të falen në të. Edhe pse procedurat për licencën vazhdojnë, është planifikuar që xhamia të përfundojë për dy deri në tre vjet”, shtoi kreu i Fondacionit Diyanet.

Diyanet është autoriteti më i lartë fetar në Turqi, tashmë nën varësinë e kryeministrit të ardhshëm turk, Ahmet Davutoglu.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama