"Gjyshi im dhe stërgjyshi yt, Siegfriedi, ka qenë vjenez. Të parët e tij (Hirschi i ati dhe Moritzi i gjyshi) kanë jetuar den-baba-gen në lagjen periferike të Vjenës që quhet Floritzdorf dhe ku banonin më të shumtët e hebrenjve. Kanë qenë 11 fëmijë, më i dëgjuari prej tyre Alfred Schwartzi poet, shkrimtar dhe gazetar, por ka vrarë veten në moshën 29-vjeçare...". Ishte 12 tetori i vitit 1999, kur Robert Schwartz hidhte në letër historinë e familjes Schwartz si një lloj autobiografie, të cilën do t‘ia besonte të birit Edvinit. Në atë mbrëmje tetori, vetëm 67 vjeç, teksa sillte në mendje gjithë historinë e trishtë të një familjeje hebrenje, Berti (ashtu siç e thërrisnin miqtë e tij), mundohej të ishte i saktë, ashtu siç ai ishte gjithnjë, për t‘i rrëfyer të birit atë pjesë të jetës kur ai ende nuk kishte lindur. Sigurisht që telefonatat e dhjetorit të vitit 1990, aty ku mbyllet letra, Edvini i dinte, ashtu siç ende ka sot në mendje orët e gjata të të atit mbi makinën e shkrimit...
Kjo letër, bashkë me një mori fotosh nga jeta e një prej personaliteteve të rralla të letrave shqipe, mund të gjendet në monografinë "Robert Schwartz ose dritaret e qytetit tim" me autor përkthyesin e njohur Ardian Klosi. Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dje u promovua kjo monografi e hartuar me kujdes, nën kujdesin e shoqatës kulturore gjermano-shqiptare, që mban emrin e tij, duke ofruar disa orë për të kujtuar jo vetëm përkthyesin e papërsëritshëm, por dhe njeriun Schwartz.
Në ekranin e improvizuar, Schwartz erdhi i gjallë përmes një interviste që ishte realizuar kohë më parë nga gazetarja Ela Baçi. Aristea ishte aty. Gruaja që kaloi vitet e tëra përkrah tij qëndronte me trupin e mbajtur mirë nga vitet në rreshtin e parë të karrigeve, duke vështruar mimikën e tij në ekran. Vetëm kjo grua do të mund të zbulojë një dimension tjetër të këtij njeriu, që sot të gjithë rendim ta quajmë të madh, të këtij burri që për të gjithë ne qe më shumë se një dritare e hapur për të rrokur perëndimin, në një kohë kur ky i fundit nuk ishte gjë tjetër për shqiptarët veçse një fjalë.
E veshur me një kostum blu ajo u buzëqeshi të gjithë miqve të Schwartz, që me kohën kishin qenë edhe të sajat, duke e ndjerë frymën e tij ashtu siç e ndjen çdo ditë në orët e gjata pa të në shtëpi.
Tek ajo Schwartz është gjithnjë diku, tek ato kujtime që i vijnë çdo ditë e më pranë, si për t‘i treguar se dashuria mbetet gjithnjë e tillë dhe kur njëri prej të dashuruarve ikën larg. "Shumë njerëz rrojnë dhe vdesin duke pandehur se e njohin dashurinë, sepse e ngatërrojnë atë me një kënaqje shtazarake të instinktit; kurse dashuria është një dhuratë e madhe e fatit, ashtu si bukuria dhe të bën më të pasur se miliona", do të shkruante Schwartz.
Në këtë monografi mund të shohim një pjesë të jetës së njeriut që na bëri ta dashurojmë aq shumë letërsinë gjermane dhe t‘i japë të njëjtën fuqi si në gjuhën origjinale shkrimtarëve të njohur si Bertolt Breht, Remark, Heinrich Hajne, Gëte etj., duke kuptuar se asnjë gjë e madhe nuk mund të jetë e tillë nëse njeriu që i ka krijuar ato nuk ka qenë i madh. Dhe Schwartz ishte i tillë, jo vetëm se na solli një botë të ndaluar, por se krijoi një shkollë të tijën të përkthimit, tek e cila do të ndalojnë gjithnjë ata që do t‘i përkushtohen artit të përkthimit.
Por le t‘i rikthehemi letrës që ai ia drejton Edvinit, për të zbuluar diçka më tepër mbi mënyrën sesi e analizonte jetën në Shqipëri, përkthyesi i njohur.
"Më 1948-ën, fill pas krijimit të shtetit të Izraelit, të gjithë hebrenjve të Shqipërisë, gjithmonë jo më shumë se 200 persona, u erdhën vizat për t‘u riatdhesuar në shtetin e ri. Vizat erdhën nga ambasada izraelite në Moskë, d.m.th., me bekimin e Stalinit. Ne shitëm të gjitha orenditë e shumicën e plaçkave dhe u bëmë gati të iknim. Por ndodhi prishja me Titon e Jugosllavisë dhe ikja jonë u pezullua nga shoku Enver, i cili çuditërisht u kujtua se ishte mik i ngushtë "i vëllezërve arabë", që shpërthyen një seri luftërash fort "të suksesshme" dhe "të shenjta" kundër shtetit të ri të Izraelit, luftërat dihen si përfunduan", shkruan ai.
Pas dështimit të këtij udhëtimi ai rrëfen se në Shqipëri hebrenjtë duhet të ulnin kokat dhe të rrinin shumë urtë, sepse patjetër që ishin "sionistë të tërbuar".
Në vitin 1951-1953 ai do të kryejë shërbimin ushtarak, pasi nuk pati fatin të hynte në shkollë të lartë, për arsyen se më 1949-ën ishte përjashtuar nga të gjitha shkollat e mesme të Republikës.
Interesante është edhe momenti kur Schwartz rrëfen për pasionin e tij për të shkruar. "Më 1957-ën disa shokë dashamirës dhe me peshë në botën letrare, si Drago Siliqi më mbushën mendjen të shkruaja e të botoja. Mbanin mend se unë kisha botuar me sukses në shtypin letrar që kur isha një 16-vjeçar. 1957-1961 isha ndër letrarët e rinj më prodhues, si në poezi ashtu edhe në prozë. Por, më 1961-shin hoqa dorë nga krijimtaria origjinale, sepse s‘kisha ndër mend të bëhesha konformist me regjimin si shumë e shumë moshatarë të mi dhe sepse m‘u mbush mendja përfundimisht që këtu s‘ishte puna për "parime", por për ruajtje froni dhe për luftë të egër klanesh. ...Atëherë vendosa të merrem kryesisht me përkthime letrare nga letërsia botërore", shkruan Schwartz.
Një letër që ati ia çon të birit nuk ka si të mos jetë vetëm e sinqertë. Ndoshta se janë orët kur ti kërkon t‘i rrëfesh të vërtetën krijesës që e ke bërë me aq dashuri. Të tilla janë këto rreshta të Schwartz. Dhe përkthimi do të ishte dashuria që do të zëvendësonte atë dashuri tjetër që ai e varrosi thellë brenda tij për të shkruar. Kjo, pasi në atë regjim totalitar nuk mund të ishte kurrë një shkrimtar i lirë dhe se shkrimet do ta çonin vetëm drejt një fundi që mund të ishte burgu. "Në kohërat më të errëta u botua dhe u vu në skenë "Arturo Ui", paralelizmi me diktaturën dukej ashiqare. Po ashtu, edhe në inkuizicionin (Francisko Goja), me kampet e përqendrimit dhe me poezitë e forta të Brechtit. Por, krahas suksesit si përkthyesi më i mirë i letërsisë gjermane, dosja ime mbushej me denoncime nga më të ndryshmet, e jo vetëm nga ziliqarët edhe nga spiunët vullnetarë", shkruan Schwartz.
Duket se jeta në një sistem totalitar nuk do të ishte e lehtë për përkthyesin, që gjithnjë do të mbikëqyrej për çdo lëvizje. "Kisha punuar me një tension të jashtëzakonshëm nervor dhe në luftë të përhershme me të paaftët e përkëdhelur komunistë, kisha punuar 15 orë në ditë, duke i grumbulluar të gjitha punët në dorën time dhe asnjëherë s‘isha kompromentuar dhe se kisha turpëruar drejtorinë time, por ama s‘u kisha zbuluar komunistëve as ndonjë "spiun" turist apo drejtor firme", e përshkruan ai kohën kur punonte si shef i marrëdhënieve me jashtë në Drejtorinë e Turizmit shqiptar. Ishte një sfidë e përhershme, ashtu siç e quan ai, me shërbëtorët dhe zagarët e zellshëm të diktaturës.
Letra drejtuar Edvinit e rrëfen më mirë jetën e tij në Shqipërinë komuniste, duke rrëfyer në të njëjtën kohë dhe dramën e intelektualëve e personazheve të këtij dimensioni në socializëm.
Por, merita e Schwartz qëndron ndoshta në faktin se ai diti të hapte në këtë burg të madh një dritare për të gjithë ne. Një dritare nga ku shpresa vinte në një formë të tillë që të bënte ta doje aq shumë të ardhmen.
Tirana është qyteti ku Schwartz mund të kujtohet kudo. Miqtë që e kanë njohur nga afër thonë se e ndiejnë çdo ditë pranë nëpërmjet bisedave apo thënieve që ai mund t‘i ketë thënë qoftë edhe kalimthi. Lexuesit e njohin përmes imazhit të krijuar, ndërsa kanë lexuar "Tre shokët" apo "Asgjë e re nga fronti i perëndimit". Imazhet për të mund të marrin forma të ndryshme në mendjen tënde, si format që kërkojmë t‘u japim gjithnjë njerëzve më të dashur, atyre që na kanë çuar drejt udhëve që kemi dashur në jetë, ashtu siç bëri dhe Schwartz me ne nëpërmjet përkthimeve. Ndërsa portretin e tij fizik, Ardian Klosi ndoshta e shpjegon më mirë kur shkruan se "figura e vogël kokërrumbullakët, sytë thëngjij të errët e të thellë, me borsalinë si një borgjez i mirë në ilustrimet e metodave të gjermanishtes, cigare në cep të buzës, pardesy kafe të errët, çantë nën krah dhe hapa të shpejtë disi të zemëruar nuk kishte nevojë për libër përshkrues, sepse botonte shumë dhe të gjithë i blinim librat e përkthyer prej tij, sepse kishte edhe një histori, të cilat prapë të gjithë ia dinim, sikurse i njihnim dhe përpinim përkthimet që nuk ia kishin lejuar për botim e që qarkullonin dorë më dorë: "Asgjë e re nga fronti i perëndimit" ose "Harku i triumfit".
Ndërsa për mikun më të ngushtë të Schwartz, i cili dje kishte udhëtuar nga Italia për të qenë i pranishëm në këtë promovim, Amik Kasoruho, Schwartz qëndronte shumë më lart se interesi dhe meskiniteti, që shpesh vihen në themel të vlerësimeve. Nuk ua kishte nevojën lajkatarëve dhe kur i qëllonte të kalonte mes tyre, kujtonte fjalët e Dantes "non ragionar di lor ma garda e passa". Nuk ua kishte nevojën: shqipërimet e tij rrinë për bukuri pranë përkthimeve më të goditura në letërsinë shqiptare: ai qe mjeshtër i fjalës së shkruar. Pa bujë e pa rrahur gjoksin, pa ndukur njeri nga sedra, por duke punuar me ngulm me përkushtim e me dashuri deri ditët e fundit të jetës, ai na dha një varg kryeveprash që tingëllojnë shqip po aq bukur sa dhe në gjuhët nga janë përkthyer".
Monografia e hartuar nga Klosi sigurisht që na jep një portret më të ndjeshëm të Robert Schwartz. Por dhe Schwartz e dinte se për të rrëfyer një jetë nuk mjaftojnë ndonjëherë dhe një mori librash.
Për të mund të shkruash pafundësisht, qoftë dhe vetëm duke u nisur nga copëzat e kujtimeve që ai ka lënë te miqtë e tij. Por për të rrëfyer më mirë dashurinë me të cilën ai e deshi gjuhën shqipe, ndonjëherë mjaftojnë vetëm katër vargjet e shkruara nga ai në vitin 1990, që mbajnë titullin "Mbi varr". "Nga dashuritë e tij të mëdha, nga dashuritë e tij të forta, vetëm njërën s‘e harxhoi kot: atë për gjuhën shqipe".
Marre nga : Gazeta Shqip











