Tetori gjerman- Filmi Barbara nga Christian Petzold ne Kinema Millenium Tirane

TIRANË, 9 Tetor / ATSH / - Në kuadrin e aktiviteteve të "Tetorit gjerman", që organizohen me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, ditën e hënë (12 tetor) në Kinema Millenium, Tiranë, do të shfaqet filmi "Barbara" nga Christian Petzold (2012).

Filmi i Christian Petzold, i cili u vlerësua në Berlinalen 2012 me çmimin e regjisë më të mirë, është një film i qetë, pa tensione dhe preçiz, i cili tregon për jetën e gjermanëve në RDGJ - larg diskurseve ideologjike.

Rreth nëntë vjet para rënies së murit: Mjekja berlineze, Barbara transferohet në një spital province si masë disiplinore ndëshkimi, pasi kishte bërë një kërkesë për të udhëtuar jashtë RDGJ-së dhe ishte arrestuar.

Ndërkohë që i dashuri i saj përgatit nga Perëndimi arratisjen e saj nëpërmjet Detit Baltik, Barbara punon e mbikëqyrur dhe e kontrolluar në pavijonin e kirurgjisë pediatrike.

Me sa duket shefi i saj i ri André bashkëpunon me punonjës të sigurimit të shtetit, por deri ku mund të shkonte ai në një rast serioz? Të paktën ai duket se e miraton përkushtimin e Barbaras për vajzën e re të veçuar, Stela. Mos vallë ka rënë në dashuri me kolegen e tij? Ditën e arratisjes së planifikuar, Barbara merr një vendim të papritur dhe të kushtëzuar.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama