Teodor Keko do të mbetet në kujtesën tonë si deputeti që luftoi kurdoherë dhe vetëm për të vërtetën, madje edhe në momente vendimtare e përcaktuese për fatet e demokracisë, duke u bërë kështu një shembull i ndjenjës së përgjegjësisë dhe përkushtimit qytetar në kryerjen e misionit të lartë të përfaqësuesit të popullit.
Me talentin e spikatur dhe krijimtarinë e shumtë e të nivelit të lartë, që nderoi letërsinë dhe publicistikën shqiptare, Teodor Keko do të mbetet në të njëjtën kohë edhe një personalitet që me figurën e tij rrezatoi vlera të larta morale e njerëzore në shërbim të shoqërisë. I ardhur në jetë nga një familje e nderuar artistësh, ai mbeti mishërimi i njeriut dhe politikanit të ndershëm që u udhëhoq nga parimi se politika ndërtohet mbi moralin dhe ajo vlen për sa kohë vihet në shërbim të qytetarëve.
Në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-deputetit të dy legjislaturave të Parlamentit Shqiptar, shkrimtarit, publicistit dhe intelektualit të shquar Teodor Keko, ne, një grup deputetësh që kemi patur fatin dhe nderin ta njohim nga afër, të jemi kolegë, shokë e miq të tij, ju propozojmë që ai të dekorohet për kontributin e madh që ka dhënë në favor të demokracisë e progresit.
Marre nga : Gazeta Albania