Tension ne Kuvend ja replikat mes Topallit dhe Rames

Tension ne Kuvend, ja replikat mes Topallit dhe Rames

“Kryeministri Edi Rama e ka kaluar vijën e kuqe në lidhje me skandalin e përgjimit”.

Kështu deklaroi ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nga foltorja e parlamentit.

“Skandali i përgjimit është i rëndë ndaj dhe reagimi i ministrisë ishte një reagim frike dhe makthi. Hetimi po i kërcet në zyrë vetë ministrit të Brendshëm. Askush nuk do të guxonte të sillte dhe të përdorte përgjuesin në dhunim të ligjit, po të mos kishte urdhër nga lart. Këtë skandal, të denoncuar nga opozita, Rama është përpjekur për ta fshehur dhe për ta mbuluar me reformën në drejtësi. Unë besoj se Rama kaluar vijën e kuqe, kur kërcënoi opozitën dhe prokurorinë, për unë nuk besoj se i shpëton duke bërë avokatin e Grilos. Ky skandal nuk është i thjeshtë. E vërteta është se nervozimi i djeshëm po rritet dhe po shkon aty ku nuk mban. Në cilin vend të botës mund të guxojë ministri i Brendshëm t’i thotë prokurorit se ti je fronit i së keqes apo t’i thotë kryeministri gjykatësit se ti je killer me pagesë? Ku ndodh?,” tha Topalli.

Më pas reagoi kryeministri Edi Rama.

“Jozefinë, përmende shahun, por unë nuk jam i sigurt që ti nuk loz as damë. Se kjo mënyrë është si ajo loja tresh, nuk e di a e keni luajtur ju në Shkodër treshin dhe ti je për fat të keq e treta në bronz në PD. Në fakt unë prisja që dikush sot, dhe meqë grupi juaj sot është pa kokë, se koka mungon, të takonte ty që të thoshe dy fjalë për reformën në drejtësi,” tha Rama.

“Falenderoj partnerët ndërkombëtarë për përpjekjet e bëra për reformën në drejtësi. Të vetmit që nuk deshën të përfshihen seriozisht në këtë proces ishte opozita. Thelbi i suksesit, me ju ose pa ju, do të jetë shembja e sistemit të kalbur të drejtësisë. Ne jemi gati t’ju shtrijmë dorën, por me ju ose pa ju reforma do të bëhet. Ne jemi të gatshëm që çmimin e reformës ta bëjmë të përballueshëm dhe reformën ta votojmë”, tha Rama.

Sipas tij, kjo reformë është më e nevojshme se kurrë, pasi, siç tha ai, po shihet dita ditës gjendja skandaloze në gjykata, duke iu referuar këtu gjyqtarit Arian Aliaj, për të cilin qeveria pretendon se u zgjodh pa short për rastin e drejtorit të policisë, Haki Çako.

“Ai gjyqtar është killer me pagesë i drejtësisë, ose me flamur partie, që u përjashtua nga këshilli i lartë i kënetës. Ju i keni varur shpresat tek aleanca me këta horra, që kanë dhënë imazhin se në Shqipëri vetëm drejtësi nuk ka. Ka edhe gjyqtarë e prokurorë të ndershëm, por se kush janë nuk e vendosni as ju, as unë, por radiografia e sistemit, që do të bëhet përmes reformës”.

Në fund ai ka prekur edhe rastin e përgjimeve, duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës.

“Nëse mendoni se pala italiane është përfshirë në një skemë përgjimi për të dëgjuar cfarë i thotë Saliu Lulit në telefon, apo se si ankohet Jozefina për Lulin, atëherë i keni dhënë vetes një përgjegjësi që nuk e keni”, shtoi Rama.

Ky moment ka tensionuar seancën.

Deputetët e opozitës kërkuan që Rama të ndëshkohet për fyerje.

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka iu afrua foltores, ndërsa ndërhyri Garda.

Kryesuesja e seancës, Valentina Leskaj kërkoi dhjetë minuta pushim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama