Tension ne Kuvend Beqaj fyen Albina Deden kafshe por me pas i kerkon ndjese publike

Tension ne Kuvend, Beqaj fyen Albina Deden 'kafshe', por me pas i kerkon ndjese publike

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë sërish nga debatet, tensioni dhe polemikat mes mazhorancës dhe opozitës.

Grupi Parlamentar i PD-së ka kërkuar ndërprerjen e seancës pas tensionit mes Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe deputetes demokrate Albina Deda. Kjo e fundit pretendon se Beqaj e ka fyer jashtë mikrofonit me fjalën “kafshë” dhe ka kërkuar që t’i kërkojë falje.

Sipas deputetes demokrate, seanca nuk duhet të vazhdojë nëse Beqaj nuk kërkon falje publikisht. Po ashtu, deputetët demokratë kanë mbështetur kolegen e tyre, duke kërkuar marrjen e masave ndëshkimore ndaj ministrit.

Deda e ka akuzuar Beqajn si “ministrin e hajdutërisë që duhet të japë doreheqjen”.

Debati ka lindur për shkak të akuzave të Dedës ndaj ministrit Beqaj për mungesën e ndihmës mjekësore për rastin e një fëmije të sëmurë i cili ka nevojë për transplant mëlçie jashtë vendit.

Sipas Beqajt, Ministria e Shëndetësisë është marrë me rastin dhe nevojitet një transplant i plotë dhe jo i pjesshëm i mëlçisë siç pretendon opozita.

Pas kërkesës së PD, Beqaj i kërkon falje deputetes Deda

Pas fyerjes që i bëri deputetes demokrate Albina Deda në seancën plenare të Kuvendit me shprehjen “kafshë”, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka marrë fjalën me rifillimin e seancës, duke i kërkuar falje për fjalorin e pahijshëm.

Partia Demokratike kërkoi dënimin e Beqajt, por pas mbledhjes së Konferencës së kryetarëve nuk u mor asnjë masë, pasi ministri nuk është deputet i Kuvendit.

“I kërkoj falje zonjës Deda, janë fjalë që nuk duhet thënë në Kuvend, – tha Beqaj. – Por me sa duket edhe unë njeri i gjallë jam dhe duket se e tejkalova faktin e personave që kanë funksione të larta publike. Kjo ndjesë publike të mund të vlejë dhe në ditët në vijim, që ne politikanët dhe deputetët të përdorim sa më pak fyerje dhe ofendime. Zonja Deda edhe një herë ndjesë”, – u shpreh Beqaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama