Tekstet shkollore me shume gabime dalin jashte qarkullimit

Tekstet shkollore me shume gabime dalin jashte qarkullimit

Një tekst shkollor mund të bllokohet kur Shtëpia Botuese e hedh në treg me shumë gabime dhe cilësi të ulët të letrës. Pas denoncimit të një prindi në adresë të gazetës, për drejtshkrimin e gjuhës në lëndën “Edukim Figurativ 6” e cila nuk është e vetmja, Jovan Kristiqi tregon procedurat që futin në programet shkollore një tekst dhe njëkohësisht e nxjerrin nga qarkullimi. Në intervistë për “Shekullin”, ish-këshilltari i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës tregon se procedura e përzgjedhjes së teksteve shkollore edhe këtë vit është e ngjashme me praktikën që është ndjekur më herët. Ai shprehet se procesi i vlerësimit të një teksti është shumë i vështirë dhe kjo është e lidhur ngushtë me personat që e kryejnë atë dhe kualifikimin e tyre. 

Z. Kristiqi, procedurat që janë zgjedhur sivjet për tekstet si i shihni dhe si kanë ndryshuar ato në krahasim me vitet e kaluara?

Unë po ju them si kanë qenë procedurat për vitin e kaluar. Nxirret katalogu i teksteve nga ana e Ministrisë së Arsimit. Në këtë katalog janë të gjithë tekstet, që janë miratuar nga ministria. Ai i dërgohet shkollave dhe më pas mblidhen komisionet lëndore të shkollës dhe përzgjedhin tekstin që do punojë për vitin e ardhshëm. Sigurisht që teksti që përzgjidhet nga komisionet lëndore të shkollës duhet të jetë pjesë e katalogut. Këto komisione përbëhen nga 6 mësues dhe votohet. Ky procesverbal qëndron si dokument në shkollë dhe duhet ruajtur të paktën 2 vjet. Grupi i kontrollit mund ta konstatojë këtë dhe në qoftë se ka   shkelje, vihet para përgjegjësisë, njëlloj siç hetohet me dokumentet shtetërore. Pasi bëhet përzgjedhja, (zakonisht bëhet në muajin prill në mënyrë që t’i jepet kohë botuesit për të shtypur librat. Botuesit gjatë muajit korrik botojnë librat dhe në fund të muajit gusht ose në fillim të   muajit shtator fillon të bëhet shpërndarja. Mënyra e përzgjedhjes së teksteve që është bërë sivjet nëpërmjet mësueseve të shkollave është e ngjashme.

Kur një tekst mund të konsiderohet si “skandaloz”?

Kur Shtëpia Botuese e boton tekstin me shumë gabime dhe me një cilësi të ulët të standardit të letrës, automatikisht teksti bllokohet dhe botuesi nxirret nga skema e Ministrisë së Arsimit. Pra, nuk quhet partner i besueshëm i ministrisë.

A ka një shkallë vlerësimi për cilësinë e tekstit dhe një komision që jep vendimin për ta anuluar ose për ta mbajtur?

Ministria e Arsimit hap procedurën për tekstin. Pasi nxirret nga botuesi, ngrihen grupet e punës që e kontrollojnë këtë tekst. Këto grupe pune japin miratimin. Ka pasur një procedurë me të gjitha   rregullat përkatëse, se sa kredite duhet të merrte lënda për t’u kualifikuar dhe duheshin mbi 80 pikë. Procesi i vlerësimit të një teksti është pak i vështirë dhe deri diku subjektiv. Kjo varet nga personat, të cilët kryejnë kontrollin. Megjithatë nga certifikimi që i jepnim tekstit kishim një afat dhe një klauzolë, që kur teksti ka shumë gabime automatikisht nxirrej jashtë qarkullimit. Por duhet thënë se një tekst shkollor të jetë totalisht pa gabime është një gjë e rrallë. Si rregull, një mësues, me tekstin që do të punojë duhet ta shikojë dhe kontrollojë mirë. Flas për një mësues të përkushtuar. Një mësues i mirë i ka këto mundësi, sepse e ka lëndën të ruajtur në bibliotekën e shkollës me të gjitha alternativat. Koha për të parë dhe përzgjedhur alternativën më të mirë është e mjaftueshme. Komisioni lëndor i shkollës, si rregull bën mbledhje çdo dy muaj. Kjo është dhe një nga të mirat e altertekstit sepse të hapen shumë mundësi dhe shihen të gjitha variantet që paraqesin autorët. Por kjo ndodh në rast se komisionet lëndore e bëjnë si duhet punën e tyre. Në rast se janë mediokër do t’i nënshtrohen fjalës së drejtorit apo drejtuesit të arsimit. Si rregull, këto lëndë ne kishim ndërmend t’i rishikonim sepse në hapat e parë të altertektsit mund të kenë dalë tekste me cilësi të ulët, që në vitin 2006-07.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në programin e saj synon heqjen e altertekstit dhe unifikimin e lëndëve shkollore. Si e gjykoni këtë pjesë?

Ka dy mënyra. Është mënyra e parë me tekstin unik. Po ashtu, është dhe mënyra e dytë me tekstin alternativ në ekonominë e tregut. Nëse hedhim një vështrim në Evropën Perëndimore, aty punohet me altertekstin dhe mënyra e përzgjedhjes është e ndryshme. Mund të përzgjidhen nga mësuesit e shkollave ose nga specialistë të mirëfilltë të shkollës. Por që të kthesh një tekst unik duhet të kthehesh te format e vjetra, të cilat janë shpërbërë. Duhet të kesh një ndërmarrje libri, një sistem shpërndarjeje dhe këto sot nuk ekzistojnë. Në fundit të fundit, atë që doja të thosha, nuk është kryesor teksti shkollor, sesa është i rëndësishëm mësuesi që e jep atë lëndë. Një mësues i mirë mund të punojë dhe me një tekst të dobët dhe të nxjerrë nxënës me rezultate shumë të mira.

Gabimet në tekste të botohen me shtojca  

Ato që bien më shumë në sy, kryesisht nga prindër që shqetësohen për atë çka mësojnë fëmijët e tyre, janë gabimet drejtshkrimore. Hedhja në qarkullim e lëndëve të vitit të ri shkollor ka bërë që shumë njerëz të reagojnë, të nxitur nga programi që lëndët kanë, çmimet apo edhe informacioni që ka përcjellë media. Një lexues i “Shekullit”, e komenton problemin që tekstet kanë me gabimet drejtshkrimore, duke dhënë edhe variantin e tij për zgjidhjen, ku ato të botohen në shtojca dhe të shpërndahen te mësuesit. “Edhe pse janë të pafalshme dhe banale, gabime të tilla mund të ndodhin.

Një këshillë për korrigjuesit e teksteve, që është shumë e përdorur edhe në vendet e huaja është, që tekstin ta korrigjosh nga ana drejtshkrimore   duke e filluar leximin e tij nga fundi. Mbas kësaj teksti korrigjohet nga ana kuptimore (konteksti) duke e lexuar përsëri, por këtë here jo duke filluar nga fundi por nga fillimi. Gabimet duhen gjithsesi të evidentohen, të botohen në shtojca dhe t'ju shpërndahen mësuesve. Këta të fundit, nëse janë disi krijues duhet t'ju kërkojnë nxënësve, që gjatë leximit të përpiqen të gjejnë edhe gabimet e mundshme. Kjo praktikë krijon te nxënësit një përqendrim më të madh, i cili jep efekte më të mëdha nga ana mësimore. Kjo do të ishte mënyra më e drejtë për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi disi të pranueshme nga të gjithë”- komenton lexuesi. Ai shprehet ndër të tjera në mënyrë racionale, pas prononcimit të botuesit në gazetë ditën e djeshme, se koston e shtojcave duhet ta mbajë institucioni përgjegjës. “Shtesën e mjeteve financiare për shtojcat duhet ta marrë përsipër qeveria, në qoftë se gabimet janë për faj të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Nëse është shtypshkronja fajtore, atëherë duhet që kjo e fundit t’i shpërndajë shtojcat falas. Të kërkosh falje dhe të ofrosh një premtim se këto gabime nuk do të përsëriten është serioze, por nuk mjafton”, - e mbyll komentin e tij lexuesi. 

Tekstet, 4-5 alternativa 

Që prej datës 29 gusht ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se sivjet ka shumë herë më pak alternativa tekstesh krahasuar me vitin e kaluar, të cilat do të përdoren në ciklin shkollor parauniversitar. Burime nga MAS-i thonë se për vitin e ri shkollor janë përzgjedhur deri në 5 altertekste, nga 15 që kanë qenë një vit më parë. Bazuar në këto programe, numri i teksteve të nxjerra jashtë sistemit ka shkuar në 130 nga 450 që ishte totali. Lista e çmimeve, sipas shkollave ka një luhatje të vogël për shkak të një numri të vogël lëndësh, që bëjnë diferencimin. Ende nuk dihet, nëse Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ngrejë komisione për të bërë korrigjimet e fundit para nisjes së vitit shkollor, për ankesat që kanë ngritur disa prindër, lidhur me cilësinë e tyre në aspektin drejtshkrimor.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama