Teknike e re imunitare mbron pacientet me HIV

Teknike e re imunitare, mbron pacientet me HIV

Mjekët kanë përdorur një terapi gjenetike për të përmirësuar sistemin imunitar të 12 pacientëve me HIV për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje në të gjithë trupin e njeriut. Arritja ka krijuar shpresa për pacientët, të cilët aktualisht marrin ilaçe çdo ditë për të mbajtur nën kontroll sëmundjen dhe përmes kësaj teknike mund të mos kenë më nevojë për ilaçe të përditshme.

Qelizat e bardha të gjakut të pacientëve u nxorën nga trupi, iu dhanë rezistencë HIV dhe iu injektuan sërish. Studimi i vogël i publikuar në një revistë shkencore sugjeroi se teknika ishte e sigurt.

Disa njerëz lindin me një mutacion shumë të rrallë që i mbron ata nga HIV. Kjo u zbulua kur një njeri pushoi së qeni i infektuar me HIV pasi mori transplant të palcës kurrizore gjatë një trajtimi për leucemi. Palca ishte marrë nga një njeri imun ndaj HIV. Tashmë kërkuesit në SHBA po përshtasin sistemet imunitare të të infektuarve duke krijuar të njëjtat mbrojtje.

Miliona qeliza T u morën nga gjaku dhe u rritën në laborator deri sa mjekët patën miliarda qeliza për të përdorur. Skuadra modifikoi kodin gjenetik brenda qelizave T për t’u dhënë atyre mutacionin mbrojtës, të njohur si ÇR5-delta-32.

Rreth 10 miliardë qeliza iu transferuan çdo pacienti, megjithëse vetëm 20 për qind e tyre ishin modifikuar me sukses. Pasi pacientëve iu hoq mjekimi për katër javë, numri i qelizave T të pambrojtura në gjakun e tyre ra në mënyrë dramatike, ndërsa qelizat e modifikuara duket se qenë në gjendje të mbroheshin. Testimi u dizenjua për të parë vetëm se sa e sigurt dhe e mundshme është përdorimi i kësaj metode dhe jo për të parë nëse mund të përdoret si zëvendësues për trajtimin me ilaçe në terma afatgjatë. Shkencëtarët që kryen kërkimin thanë se zëvendësimi i ilaçeve me sistemin imunitar të modifikuar është ende larg pavarësisht rezultateve inkurajuese.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama