Te udhetosh ne Mars per te mos u kthyer me kurre ne Toke

Te udhetosh ne Mars, per te mos u kthyer me kurre ne Toke

Banori i Tokës së shekullit të XXI-të nuk është më i zakontë në dëshira. Një pasion dhe kërkesë e hershme e njerëzimit ka qenë kolonizimi i hapësirës dhe eksplorimi i vendeve të reja përtej kufijve tokësor, gjë që duket se do të ndodhë së shpejti.

Mediat ndërkombëtare kanë shpallur një ditë më parë listën e 100 kandidatëve të parë të përzgjedhur, të cilët do të ndërmarrin një udhëtim pa kthim në planetin Mars. “The Indipendent” ka publikuar intervistën e Maggie Lieu, studentes së astrofizikës, e cila është një prej 100 të përzgjedhurve nga 202.586 aplikantë fillestarë.

26-vjeçarja, studente në Universitetin e Birmingemit, do të ketë mundësinë për të jetuar dhe vdekur në planetin e kuq.

Misioni, i quajtur “Mars One”, është një grup njerëzish jo përfitues, të cilët synojnë të nisin kolonizimin e Marsit, duke ulur ekipin e parë prej katër personash në planetin e kuq, në fillim të vitit 2024. Programi do të fokusohet në mirëfunksionimin e aplikantëve, në mënyrë që ata të punojnë së bashku. Dhe në fakt, kjo konsiderohet si një nga gjërat e rëndësishme për jetëgjatësinë e udhëtimit.

Deri në përzgjedhjen përfundimtare, sigurisht që kandidatët do të kalojnë shumë filtra. Aktualisht 50 burra dhe 50 gra janë ende në garë për këtë udhëtim jashtëtokësor. 39 prej tyre janë amerikanë, 31 europianë, 16 kandidatë janë nga Azia, 7 nga Afrika dhe 7 nga Oqeania.

Nëse mes tyre do të ketë të zgjedhur për fluturimin e 2024-s, ata kurrë nuk do ta shohin më shtëpinë e tyre në Tokë. Pas lajmit për këtë udhëtim të jashtëzakonshëm, shumë njerëz ngrejnë pyetjen: çfarë janë këta që dëshirojnë të vdesin në Mars?

Por pyetja për programin “Mars One selection” është: kush dëshiron të jetojë atje?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama