Te semuret nga stomaku dhe melcia Presim mbi pese ore per nje vizite

Te semuret nga stomaku dhe melcia: Presim mbi pese ore per nje vizite

Radhët dhe orët e gjata të pritjes për të bërë një konsultë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, përkatësisht në pavijonin e gastroenterohepatologjisë janë kthyer në makth për pacientët. Ata tregojnë se u duhet të presin për orë të tëra për të bërë vizitën e nevojshme mjekësore.

 

Nga një vëzhgim i bërë prej gazetës “Shqip”, rezulton se pacientët që vuajnë nga stomaku apo mëlçia janë të detyruar të presin pesë orë apo më shumë për t’u vizituar, pa përjashtuar edhe rastet që nuk arrijnë të mbarojnë punë dhe kthehen ditën tjetër.

 

Në këtë pavijon sheh pacientë dhe familjarë, të ulur deri në parvazin e dritareve, pasi stolat dhe shkallët janë të zëna po nga qytetarët, që presin prej orësh. Nuk është çudi të shohësh edhe pacientë që zihen e shtyhen pranë derës, ku secili pretendon të futet i pari. Një prej pacientëve tregon se i duhet të vijë në QSUT nga Kruja tri herë në javë. Ajo është 65 vjeçe dhe quhet Hajrie Xhixha, e cila vjen e shoqëruar nga e bija për të bërë vizitat e nevojshme. E bija e saj, Kimetja, pohon se hasin një sërë vështirësish në marrjen e shërbimit, por edhe në ilaçe.

 

Ajo shton se ministria duhet të marrë masa, pasi ndodh që njerëzve u bie edhe të fikët duke pritur në radhë, sepse bëhet fjalë për moshën e tretë. “Vij tri herë në javë dhe pres pesë orë për t’i bërë vizitën nënës sime. Ilaçet i blejmë vetë, një pjesë të mirë. Sot (dje) bleva 50 mijë lekë. Na thonë mjekët shkoni blini, nuk kemi çfarë t’ju bëjmë. Ne që kemi njerëz të sëmurë e dimë si është halli këtu, por mirë kjo, por të paktën të na japin një zgjidhje të mos na lënë kështu. Dje (pardje) kam pritur deri pasdite vonë me nënën, që vuan nga mëlçia.

 

Nga mëngjesi deri vonë këtu, e lodhshme. Pastaj kemi njerëz, kemi familje, duhet të ikim në shtëpi se vijmë nga larg”, rrëfen zonja. Sipas saj, por edhe bazuar tek ajo që tregojnë pacientët e tjerë, kjo situatë përsëritet vazhdimisht, ndërsa autoritetet përkatëse thonë se kjo ndodh për faj të mjekëve të rretheve, por edhe prej vetë pacientëve, që i drejtohen QSUT-së, pavarësisht se kjo e fundit shërben për konsulta të specializuara.

 

Të pyetur nga gazeta “Shqip”, burime zyrtare në drejtorinë e qendrës spitalore “Nënë Tereza” thonë se këto radhë të gjata dhe pritje pafund vijnë për shkak të moszbatimit të sistemit të referimit nga ana e mjekëve të familjes dhe pacientëve. “Mjekët i dërgojnë direkt në QSUT ose ndodh që pacientët vijnë direkt këtu pa shkuar fare te mjeku i familjes. Veç kësaj, konsultat fillojnë në orën 10:00 dhe pacientët vijnë që në orën 08:00 dhe thonë se kanë dy orë që presim. QSUT-ja është një qendër terciare, e cila shërben për konsulta të specializuara dhe jo për vizita të thjeshta siç paraqiten shpeshherë pacientët”, shpjegojnë burime në QSUT.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama