Te protestosh permes artit

Te protestosh permes artit

Histori nën rikonstruksion/ Ardian Isufi, Fatos Lubonja dhe Stefan Çapaliku bashkë në një ekspozitë proteste në Galerinë FAB

Një vaj i gjatë burrash të bën të kalosh perden e zezë, bri së cilës është shkruar “Zonë duhani”, për të hyrë në dhomën e shndërruar në një dhomë morti. Në ekranin e madh, i vendosur përbri, një grup burrash të veshur si në një stinë të ftohtë dimri, vajtojnë sipas zakoneve të Veriut mbi trupin e pajetë të një burri. Pak minuta më pas janë gratë ato që e zgjasin vajtimin me tone të larta, duke u hedhur mbi trupin e të vdekurit. Këto imazhe të cilat vijnë në video-instalacionin e Stefan Çapalikut janë marrë nga një kamera anonime amatore, e cila sjell një ritual morti të vitit 1995, në Bajram Curri. “Histori nën rikonstruksion” quhet ekspozita ku prezantohet kjo video-instalacion, e cila u hap dje në ambientet e Galeri FAB, me pjesëmarrjen e tre artistëve Ardian Isufi, Stefan Çapaliku, dhe Fatos Lubonja.

Gjithë ekspozita kërkon të transmetojë shqetësimin e artistëve për trashëgiminë kulturore dhe ruajtjen e identitetit tonë. Paketat e cigareve të vendosura mbi tavolinën e dhomës së mortit të improvizuar nga Çapaliku, risjellin në kujtesë bashkëbisedimet e gjata që njerëzit bëjnë me cigaren në situata të tilla. Në një kontekst më të gjerë, tema e zgjedhur prej tij, sjell dhe një reflektim mbi mënyrën sesi shoqëria e sotme ka zgjedhur t’i trajtojë duhanpirësit, duke i lënë në dhoma të veçanta. Por cigaret, duket sikur humbasin, sapo një zë vaji gruaje duket sikur del prej ekranit. Për të, kjo video është në njëfarë mënyre dhe folklori i ri shqiptar, mënyra sesi sot e trajtojmë vdekjen. Gjëma e burrave në vitin 1995 në Veriun e Shqipërisë, është një element i cili rivjen në këtë vepër, për të kthyer vështrimin mbi vlerat e folklorit tonë. Fatos Lubonja e ka quajtur instalacionin e tij në formën e një ikonostasi, i cili të shfaqet menjëherë sapo hyn në Galeri, “Kthimi i zogjve”. Një titull i ndjeshëm për vetë temën që Lubonja kërkon të prekë përmes kësaj pune.

 

Ky “ikonostas” modern është i formuar me objekte të cilat ai i ka blerë në tregun e veprave të vjetra të artit, apo objekte që kanë qenë prej vitesh pjesë e familjes së tij. Duke i bërë bashkë, ai i sjell para publikut, si një mënyrë për t’i çuar këto objekte në “vendin e tyre”. Ndërsa Ardian Isufi, i cili është dhe kuratori i kësaj ekspozite, prezantohet me punën “Dhurata”. Trupi i një manekini të madh, i ngjashëm me ato që shohim në argjendari, dhe në qafën e të cilit ndodhet një varëse e kuqe. “Varësja sjell një antagonizëm mes dy simboleve që integrohen me njëra-tjetrën. Ai i dogmës fetare, dhe kazma që është simbol i komunizmit. Të dyja bashkë ato e vënë publikun para një pikëpyetjeje”, thotë Isufi. Puna e tij është një lloj reflektimi për historinë tonë, për një të shkuar të afërme dhe së tashmes, ku sipas tij vazhdojmë të jemi peng i shkatërrimit.

Ekspozita është dhe një lloj revolte ndaj sistemeve të pandërtuara drejt, të cilat vazhdojnë të rrënojnë shoqërinë. Secila prej punëve të prezantuara shkon përtej temës që autorët kanë zgjedhur të trajtojnë. Si në rastin e “Ikonastasit modern” të Lubonjës, i cili që në vështrim të kujton masakrat që janë bërë këto 23 vjet ndaj trashëgimisë kulturore.

 

Videoja e Stefan Çapalikut të bën të reflektosh mbi identitetin tonë kulturor, sa e kemi mbrojtur këto vite. “Histori nën rikonstruksion janë arkitektura shpirtërore të ndërtuara nga ngjarje dhe përjetime faktike, që me anë të ndërhyrjeve artistike të artistit-kritik ndaj fenomeneve të ndryshme të paqëndrueshme janë nën vëzhgimin pamor të “syrit kritik” drejt një “realizmi të ri” dhe domosdoshmërisë për të riformatuar edhe vetë historitë që shpesh ngelin “pezull”! Hannah Arendt thotë se “kritiku është një alkimist që praktikon artin e fshehtë të shndërrimit të elementeve shterpe të konkretes në artin e qëndrueshëm dhe rrezatues të së vërtetës, ose më saktë, që vëzhgon dhe interpreton procesin historik prej nga lind një transfigurim i tillë magjik”, thotë kuratori Isufi. Përtej energjive që ndjen, sapo i sheh këto vepra të ekspozuara, ato janë dhe një zë që i flasin realitetit, duke kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore apo historike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama