Te jetosh buze kufirit

Të jetosh buzë kufirit

Historia

Kohë më parë, një botues enciklopedist, më dha, për nevojat e punës së tij, një material me zërat Plavë e Guci, marrë nga enciklopedia elektronike Wikipedia. Ajo që shkruhej aty, nuk kishte asnjë lidhje me një imazh të fjetur në kujtesë për këto vende, prandaj nuk e mora përsipër përkthimin e atij materiali, duke pasur parasysh se ai do të servirej për publikun shqiptar. Duhej të kërkonim ndonjë burim tjetër informacioni, pasi ato vende lidheshin me një moment të njohur të historisë sonë: këtë e kishim të qartë të dy, prandaj nuk pat ndonjë kundërshtim. Konkretisht, për mua qe i pakuptueshëm fakti se këto dy vende mbizotëroheshin (me një përqindje të lartë mbi të tjerët) nga popullsia boshnjake, kur e dija fare mirë se Bosnja qe mjaft larg prej aty, kurse historia fliste vetëm për problemet me një vend që hapej aty gjeografikisht, Malin e Zi. Informacioni se dikur në Jugosllavi rëndom përdorej termi “kombësi myslimane”, nuk i sqaronte paqartësitë.

Historia thotë se Kongresi i Berlinit (1878) ia dha Plavën e Gucinë Malit të Zi.

Historia thotë, gjithashtu, se shqiptarët e udhëhequr nga Ali Pashë Gucia (ai u bë pashë pas kësaj beteje) dhe Jakup Ferri (ra dëshmor në këtë betejë) i vunë pritë ushtrisë malazeze pranë vendit të quajtur Nokshiq dhe e hodhën në lumin Lim, duke i detyruar Fuqitë e Mëdha që, me Traktatin e Shën Stefanit, t’i jepnin Malit të Zi Ulqinin.

Ndërkohë, te “Kamus-ul alam” (1889-1898), enciklopedia e parë në Turqi, në zërin Pejë, Sami Frashëri shkruan se në këtë sanxhak “në përgjithësi popullsia është shqiptare. Vetëm një pjesë e popullsisë së kazave të Gucisë e Beranës flasin sllavisht, por dinë edhe shqip dhe nuk dallohen nga shqiptarët për nga doket e zakonet”.

Sot, sigurisht, fytyra e këtyre vendeve nuk është më e njëjta, sepse vendet buzë kufijve e kanë të vështirë të mbeten të njëjtët..

Rruga për në Plavë e Guci

Rruga për në Plavë kthen diku në rrugën kombëtare që të çon në Beograd ose në Prishtinë, rrugë malore, pasi vetë Plava është mbi 900 m mbi nivelin e detit. Por para se të hysh në Plavë mund të shikosh Nokshiqin, vendin ku u zhvillua beteja e famshme midis ushtrisë shqiptare dhe asaj malazeze. Është vendi i poetit Esat Mekuli, i cili ka përdorur edhe pseudonimin Sat Nokshiqi. Po të kesh shoqërues një shkrimtar, do të mësosh plot gjëra për letërsinë, kështu që bëhet me dije se brigjet e lumit Lim kanë nxjerrë disa nga poetët më të mirë të Malit të Zi, por, për fat të keq, jemi kaq afër dhe nuk e njohim letërsinë e njëri-tjetrit. Se çfarë poezie është shkruar në këto brigje, ndoshta mund të na e japë një ide poezia Mbramja e Esat Mekulit.

Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërtën shami,

n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra nën borë -

flakron perëndimi... Retë mbi krye prorë

ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsi.

... Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë:

cipa e natës shtrihet mbi fushat e përhime,

malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime,

si të humbte jeta - çdo gja u nxi, u zhduk.

N’ajri ndihen klithmat e natës që ra -

drujt pranë rrugës era i përkund...

Ndërsa dita e bardhë, e tretun dikund,

shigjeta të flakta mprehë errësirës me i ra.

Terri sundon botën. Katundet e shtrime

në mes të natës prehen n’luginë me andrrime.

Lumi Lim të çon deri në liqenin e Plavës, një liqen i mrekullueshëm alpin. Boshnjakët kanë blerë shtëpi në këtë vend, prandaj thuhet se përqindja më e lartë e popullsisë u përket atyre, mirëpo shumë mbiemra janë shqiptarë, që do të thotë se pavarësisht nga gjuha që flitet, këtu ka shumë gjak shqiptar. Kjo bashkëjetesë, sigurisht, ka bërë që edhe të tjerët të kuptojnë shqip nga pak. Tri lagje që mbahen pastërtish shqiptare, i përkasin Gucisë, që ndodhet aty afër, por më pranë kufirit me Shqipërinë. Njëra nga këto lagje është Vuthaj...

Shumë afër prej këtu janë Bjeshkët e Nemuna, por ata janë brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Vitet e fundit është hapur pika kufitare e Vermoshit, e cila u jep mundësi popullsive anës kufirit që të komunikojnë lirshëm me njëra-tjetrën.

Hapja e kësaj pike kufitare ka zgjuar ambicien e Komunës së Plavës për ta shfrytëzuar më tepër atë, sepse do të shkurtonte disa orë të mira rrugë për të dalë në Podgoricë, nëse do të rregullohej rruga që gjarpëron përgjatë lumit Cem, brenda kufijve të Shqipërisë. Ata ia kanë kërkuar këtë kryeministrit shqiptar që inauguroi hapjen e pikës kufitare, por ky kryeministër lëvizi nga detyra brenda asaj jave, prandaj mezi ç’presin të hapet edhe një herë kjo temë.

Të jetosh buzë kufirit

Mali i Zi i pushtoi Plavën e Gucinë vetëm pak para Luftës I Botërore, por gjatë kësaj të fundit, ia lëshoi ato Austrisë. Austriakët hapën shkollë shqipe në këto anë, ku dha mësim arbëreshi i Zarës, shkrimtari Josip Rela, të cilit iu tha ose të mobilizohej, ose të jepte mësim kaq larg vendit të tij. Me ndihmën e Serbisë, Mali i Zi i mori Plavën e Gucinë vetëm pas kësaj lufte.

Ndërsa menjëherë pas Luftës II Botërore, qeverisja lokale e Plavës nuk kishte më fytyrë shqiptare.

Sidoqoftë, nga këto anë kanë dalë shumë shkrimtarë e artistë, studiues e akademikë, të cilët kanë bërë emër në kulturën shqiptare, kur u vendosën në një kryeqendër kulturore si Prishtina.

Mirëpo shpërngulja drejt kryeqendrës tjetër kulturore, asaj të Podgoricës, ka sjellë një problem tjetër, atë të humbjes së gjuhës. Shkrimtari Zuvdi Hoxhiqi - Berisha është njeriu që e ilustron më së miri këtë shembull. Ai është autor librash me poezi, tregime, por në mënyrë të veçantë, i dy romaneve “Viti i Gucisë” dhe “Ylli i Davidit”, që megjithëse i përkasin traditës shpirtërore shqiptare, të gjitha janë të shkruara në gjuhën serbo-kroate.

Suksesi i tij si shkrimtar i ka kapërcyer kufijtë e ish-Jugosllavisë, kur në një gazetë hungareze është shkruar se “e shquajnë fuqia e madhe epike, gjuha e pasur dhe e madhërishme, frymëzimi i veçantë prej liriku... një zbulim i vërtetë letrar dhe vepra e tij meriton t’i prezantohet Evropës”.

Disa postulate që ai përdor në këto libra, janë: Lum vendi në kufi në kohë paqe, vaj halli për të, në luftë! Ose: Kush lind në kufi – ose trandet nga gjithçka, ose bëhet aq i shurdhër sa nuk mund ta frikësojë më as dreqi i zi! Kjo është Gucia, vendi që ai i ka ngritur përmendore të mrekullueshme letrare. Të dy këto romane janë përkthyer e botuar në Prishtinë, por megjithëse janë përfolur nuk e kanë parë dritën e botimit në Tiranë.

Është fat i rrallë që ta kesh mikpritës dhe shoqërues në këto vende këtë shkrimtar, i cili nuk është vetëm njohës i jetës shpirtërore por edhe i natyrës, pasi është edhe një alpinist dhe botanist i pasionuar dhe i ka prekur me këmbë edhe majat më të larta të maleve. Kur ai thotë se cila është maja e Durmitorit apo e Vizitorit, kujtesa ime rrudhet dhe e kupton se janë toponime të lexuara te poema “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës: ndër ato maja rrinë zanat e “shkijeve” (sllave). Pra, këtu është teatri antik, ku luhet ajo epika që këndon Fishta në atë poemë, sidomos kënga “Ali Pashë Gucia”!

Asgjë tjetër nuk ka vepruar më shumë tek unë, sesa ky vend, për të rilexuar dhe rishijuar poemën “Lahuta e Malcis”.

Natyrisht, Fishta ka ardhur deri këtu për të njohur mirë vendin ku do t’i vendoste ngjarjet e poemës së tij, çka e rrit seriozitetin e veprës së tij, por edhe që perceptimi i saj lidhet me njohjen e historisë e gjeografisë, mbi të cilat është ngritur.

Nevoja e njohjes

Në gusht të çdo viti, në Plavë organizohet veprimtaria letrare “Ditët plaviane”. Në këtë aktivitet thirren të gjithë krijuesit e trevës, të cilët mund të jetojnë në çdo cep të ish-Jugosllavisë, deri në Kosovë. Të gjithë ata i lexojnë krijimet e tyre në gjuhën që shkruajnë serbo-kroatisht, shqip, malazisht, boshnjakisht (është e ditës prirja për t’i quajtur gjuhët sipas popujve, pasi bëhen përpjekje edhe për të prekur koinenë e dikurshme serbo-kroate). Pikë e fortë e aktivitetit është se shumë kritikë e studiues përkujtojnë autorë të ndryshëm, ose flasin për probleme të ndryshme të letërsisë së kohës.

Duhet theksuar se jo vetëm letërsia, por edhe kultura shpirtërore njihet pak. Poeti boshnjak dhe përkthyesi i poezisë shqipe, Ismet Markoviç, befasohet kur mëson për versionin tonë të legjendës së murimit në kalanë e Shkodrës, pasi njihte vetëm versionin serb nga përmbledhja e folkloristit Vuk Karaxhiq, dhe ishte i interesuar ta bënte menjëherë krahasimin.

Bjeshkët e Nemuna

Gucia ndodhet pranë Bjeshkëve të Nemuna dhe Zuvdi Hoxhiqi, i rritur nën hijen e tyre, u ka kënduar me shumë pasion. Te romani “Ylli i Davidit”, një personazhi të ardhur nga ato anë i ka ngritur lapidar, gati duke e parë si njeri legjendash.

Por Bjeshkët e Nemuna,siç thamë më lart, janë brenda kufirit shtetëror të Shqipërisë.

Kur hyn në Shqipëri nga pika kufitare e Vermoshit, shikon problemin e madh të shqiptarëve: infrastrukturën. Të huajt që mund të të zërë syri këtu janë vetëm alpinistët e rrallë (çekë apo polakë), që e bëjnë rrugën në këmbë, vetëm me shkopin e tyre të zakonshëm. Padyshim, një infrastrukturë e zhvilluar do t’i jepte një pamje tjetër këtij vendi me bukuri të rralla natyrore, por që po boshatiset gjithnjë e më shumë nga vetë popullsia, e cila emigron në Amerikë: në këtë zonë të izoluar nga bota, jeta nuk është edhe aq e lehtë, pasi mungesa e rrugëve i privon nga shumë mundësi jetike, megjithëse, për ironi të fatit, është kohë paqeje.

Për fat të keq, kjo perlë alpine nuk shikon ndonjë dritë shprese në këtë drejtim: ka vetëm ndonjë iniciativë të brishtë private për të tërhequr vizitorët në këto vende.

Kjo do të thotë se ajo do t’u mungojë edhe shumë njerëzve që adhurojnë natyrën.

Bjeshkët e Nemuna janë gati një personazh që duhet ta sodisësh në çdo orë të ditës, sepse nuk të ofrojnë kurrë të njëjtën pamje: lëvizin pareshtur fenomenet e natyrës dhe asociacionet e mendjes njerëzore.

Bjeshkët e Nemuna janë si një fytyrë njerëzore, të cilën nuk e largon lehtë nga mendja.

Për shumëkënd ajo mund të jetë një fytyrë që duhet ta shohësh përsëri.

Gazmend Kransiqi : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama